alenca ps -lsiAleanca e re PS-LSI trondit skenën politike. Llogaritë shifrore për zgjedhjet e 23 qershorit. Flasin politikanët Gjinushi, Ngjela, Brokaj, Koçi e Legisi si dhe analistët Stefani, Hoxha e Hila

“Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”. Aksioma e hershme ka marrë një provë të re se është e vërtetë me atë çfarë ndodhi më LSI-në në pesë vitet e fundit. Në mënyrë ironike dhe paradoksale, ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, që veç të tjerash, synonin hapur bipolarizimin e politikës në vend, i dhanë hapësirën e patjetërsueshme LSI-së për të qenë kushtëzuese e ngjyrës së qeverisjes në vend. Siç ndodhi në vitin 2009 dhe siç premton të ndodhë padyshim, edhe në këtë vit.

Gjithçka rrodhi shumë shpejt. Ajo çfarë ndjehej vetëm në mënyrë të kursyer dhe në mënyrë informale, shpërtheu në fundjavën e shkuar dhe brenda 48 orëve të mëpasme, u bë një realitet konkret politik. LSI u shpreh për daljen nga koalicioni qeverisës, një vendim që u ja tha edhe vetë kryeministrit, PS bën ftesë publike për koalicion me LSI-në të martën dhe një ditë më pas, Ilir Meta e pranon një gjë të tillë. Drejtuesit e partive të majta Evropiane dhe në Parlamentin Evropian kishin kërkuar të njëjtën gjë. Po në mbrëmjen e të mërkurës Berisha çon për dekretim tek Presidenti i Republikës shkarkimin e ministrave të LSI-së dhe të enjten paradite, anëtarët e rinj të qeverisë miratohen me nga 72 vota pro secili. Në një akt të fundmë “korrektese” ndaj marrëveshjes bashkëqeverisëse të 2009-ës, ndonëse në mënyrë të sforcuar, LSI abstenon, opozita socialiste voton kundër, por dhe kaq nuk mjaftoi. Tre vota “mercenare” të majta, Islami, Dogjani dhe Kadeli votojnë pro mbajtjes në këmbë të kabinetit Berisha. I pari do ta bënte një gjë të tillë sepse ka katër vjet që e konsideron Ramën si vjehrrën e të majtës, ndaj shtratin me mulixhiun Sali nuk e kishte për herë të parë; dy të tjerët, me kostum dhe kravatë në Kuvend, bënë të kundërtën e asaj që kërkonin të bënin tre vjet më parë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në grevën e urisë. Mbajtën në këmbë Berishën sot, kur tre vjet më parë kërkonin rrëzimin e tij me rrip të lidhur në kokë. Po për inat të Ramës dhe hajër të mullixhiut të zakonshëm.

 

Qeveria? Çfarë shakaje!

Morali dhe moraliteti janë nga termat që po përdoren gjerësisht ndaj lëvizjes së fundit në opozitë që ka shkaktuar jo pak trazime. Por miratimi i qeverisë së re, edhe në këtë plan, e tejkaloi pabesueshmërisht çdo nivel të pranueshëm të moralitetit qoftë dhe minimal të politikës. E thënë ndryshe, maxhoranca e dalë nga vota e deformuar e qershorit të largët 2009, është tërësisht e delegjitimuar. Qeveria e re, tashmë pakicë në Kuvend, qëndroi në këmbë vetëm me vota qartësisht të majta, të trafikuara në minutën e fundit.

Berisha kishte dy mundësi të vetme kushtetuese: mocionin e besimit dhe mocionin e mosbesimit, të dyja të parashikuara nga nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës. Vetë ai artikuloi një gënjeshtër të pastër kur tha se “Kushtetuta nuk pranon qeveri teknike”. Sepse, në variantin e parë:

Nëse nuk do të merrte në mocionin e tij të besimit më shumë se gjysmën e votave të deputetëve, Kuvendi do të shpërndahej për 48 orë dhe vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Ky do të ishte akti kurajoz i një politikani që do të respektonte dhe vullnetin e ndryshuar tashmë të Kuvendit. Berisha u justifikua duke thënë se një gjë e tillë, zgjedhjet e parakohshme, do ta privonin vendin nga armata e madhe e vëzhguesve të huaj, të planifikuar për të ardhur në Tiranë për 23 qershorin. Berishës nuk i ka munguar kurajoja në politikë, duke vazhduar të qëndrojë në këmbë me kurajo edhe atëherë kur cilido tjetër nga aktorët politikë të këtyre dy dekadave, do të ishin rrëzuar. Kësaj rradhe u fsheh si…, …në ligjërimin e rrugës do të thuhej se u fsheh si skuth i trembur, në shqipe më të kultivuar do të thuhej, nuk pati kurajë të vepronte ndryshe.

Në të kundërt, ai i afronte vetes një mundësi për të shfrytëzuar befasinë, inisiativën dhe hutimin me të cilën e majta priti koalicionin e ri PS-LSI. Në këtë rast, mund të gjykohet se më të fituara do të ishin partitë e tjera të vogla, kryesisht ato që dalin për herë të parë në garë në 23 qershor.

 

Në variantin e dytë: 

Opozita do të kërkonte një mocion mosbesimi për kryeministrin. Që ai të quhej i realizuar, por jo i përfunduar si akt që do të rrëzonte qeverinë, mocioni i mosbesimit duhej të merrte më shumë se votat e gjysmës së deputetëve. Por në të njëjtën kohë, opozita do të duhej të paraqiste një kandidat të ri për kryeministër i cili duhej të merrte gjithashtu më shumë se gjysmën e votave të Kuvendit. Opozita nuk e ndërmorri këtë hap sepse llogariti lëvizjen e rradhës të Berishës, kur edhe pse mund ta rrëzonte me votë, me konfigurimin e ri dhe rreshtimin e ri të “mercenarëve”, nuk garantonte emrin e kryeministrit të ri të vendit. Në një vend normal, logjikisht kryeministri duhej të zgjidhej në marrëveshje mes pozitës dhe opozitës. Por Shqipëria nuk është vend normal që të prodhonte qeverinë natyrale që do të zgjidhte ngërçin e krijuar me legjitimitetin: qeverinë teknike.

Një qeveri e tillë do të garantonte, edhe pse historia e pluralizmit nuk e ka parë si të suksesshme këtë skemë, uljen e tensionit politik në vend, kryesisht atë të lidhur me mundësitë teorike dhe praktike të deformimit të votës së shqiptarëve. Ishte koha për sakrificë, por Berisha nuk do ta pranonte kurrsesi një gjë të tillë sa kohë që tek deformimi i votës ka varur maxhorancën e shpresave të tij për t’i garantuar vetes një maxhorancë të tretë në zgjedhje.

 

Ekuilibret e prishura

Dy kanë qenë arsyet kryesore publike që LSI argumentoi në korrik 2009 kur pranoi ftesën për bashkëqeverisje të vendit me ish-kundërshtarin e saj në zgjedhje, PD-në. Stabiliteti i vendit, shmangia e krizës politike dhe ekonomike në vend dhe proceset integruese të vendit. Të dy këto shtylla, mbas katër vjetësh qeverisjeje rezultojnë të dështuara; së pari vendi është përfshirë gjerësisht në këto katër vjet nga destabiliteti, qoftë dhe pse ka pasur një qeveri përgjithësisht stabël; sot shqiptarët janë më të varfër se katër vjet më parë dhe mbi të gjitha, proceset integruese të vendit kanë mbetur pezull kryesisht për shkak të qeverisjes së vendit dhe polarizimit ekstrem të palëve.

E gjitha kjo i ka mbetur pas si pronë të shkuarës dhe me të, do të merren gjatë “historianët”, nëse perifrazohej Meta në deklaratën e tij të së mërkurës. Ajo çfarë është e pamundur të jetë lëndë për historianët, por detyrim për drejtësinë, është ndarja e madhe e palëve për qëndrimin ndaj 21 Janarit. Këtu vlen një sqarim: edhe duke marrë për bazë, gjë që nuk është plotësisht e vërtetë, se demonstrata e asaj të Premteje të Zezë u bë kundër audios dhe videos të Ilir Metës, martirët e sharruar gjakftohtësisht me plumba nga regjimi në Bulevard, u ekzekutuan nga pjesa tjetër e maxhorancës. Urdhërdhënësit që fshehën ekzekutorët dhe që bënë të pamundurën për dështimin e hetimit dhe dhënies së drejtësisë, mund të jenë objekt i drejtësisë vetëm në rast të rotacionit të pushtetit. Në të kundërt, drejtësia e pilotuar nga Berisha, me të gjitha gjasat, do të vijojë të nxjerrë fajtorë vetëm demonstrues dhe do të gradojë vrasësit e demonstruesve. Akuzat ndaj PS-së për harresë të katër Martirëve, janë emocionale për momentin dhe të pavërteta për të nesërmen. Një maxhorancë e nesërme e opozitës tradicionale plus LSI-në, në rastin më të mirë, do të çlirojë sistemin e drejtësisë nga presioni i djeshëm i segmentit kryesor të qeverisë, nga PD e Berishës.

 

Më shumë se aritmetikë

Në një sprovë interesante e muajit të shkuar tek Opinion i Blendi Fevziut, u bënë llogari numrash për të parashikuar të nesërmen e 23 qershorit. Fevizu, Hoxha dhe Zaloshnja, projektuan shifrat e zgjedhjeve të katër vjetëve më parë duke kombinuar variante të ndryshme të koalicioneve elektorale dhe duke marrë si pikpyetje, fatin numerik të partive të reja që konkurojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Versioni më i vështirë politikisht gjykohej ai që tani është realitet: PS dhe LSI, kundrejt PD-së me aleatët e rinj.

Tre gazetarët krijuan një tablo interesante të asaj që pritet të ndodhë. Nga llogaritë del se në katër qarqe, në Berat, Elbasan, Tiranë dhe Fier, për një grusht votash, opozita tashmë e bashkuar mund të sigurojë një mandat shtesë. Respektivisht, me vetëm 108 vota më shumë merret një mandat shtesë në Berat, me 314 të tilla, mandati shkon për opozitën në Elbasan, mjaftojnë 473 vota opozitare shtesë që mandati shtesë të vijë nga Tirana dhe 470 vota më shumë në Fier, e bëjnë opozitën me një mandat më tepër.

Po kështu në Vlorë e në Korçë, mjaftojnë 1399 vota dhe 1589 vota më shumë që opozita të marrë një mandat më tepër. Në Durrës dhe në Shkodër kjo llogari shkon respektivisht me 3136 vota dhe 3616 vota më shumë.

Mision gati i pamundur për të ndryshuar rezultatin e 2009-ës duket ai për në Dibër, Kukës, Gjirokastër dhe Lezhë, kur opozita duhet të thyejë respektivisht barrierën e 3129 votave, 2382 votave, 3777 votave dhe 4948 votave më shumë që ka marrë në 2009-ën PD-ja dhe aleatët e saj.

Sipas kësaj llogarie, ekuilibri ndryshon në favor të opozitës e cila merr minimalisht 75 mandate kundrejt 65 të tillave të PD-së dhe aleatëve të saj. Në këtë shifër nuk është përfshirë çfarë do të ndodhë me rrjedhjet e votave nga e majta dhe e djathta, për të paktën dy partitë e reja të paprovuara elektoralisht, nga FRD e AK.

E gjithë kjo llogari presupozon gjithashtu, që gjatë katër vjetëve të fundit të qeverisjes së Berishës, asnjë shqiptar që ka votuar më parë për të, të mos ndryshojë mendje e të jetë kundër tij në 23 qershor.

Aleanca parazgjedhore e PS-së dhe LSI-së afron dhe një detaj tjetër domethënës që ka të bëjë me mënyrën e administrimit të zgjedhjeve, kryesisht të numërimit të fletëve të votimit. Tashmë, një realitet i ngurtësuar në KQZ, tregon një balancë të përmbysur. L. Ll. e KQZ-së do ta ketë të pamundur si dje Ristani që të hidhte në votim çdo vullnet të PD-së dhe ta kthente atë në vendim me shumicë të thjeshtë kartonësh në KQZ. Këtu e hëngri përfundimisht në thembër shigjetën Akili zemërak i politikës shqiptare. Pritet që Berisha, sipas tij dhe deri diku me të drejtë, të insistojë që kompozimi i KQZ-së të reflektojë frymën e Kodit Zgjedhor. Por nuk ka asnjë mjet në dispozicion për ta zgjidhur këtë ngërç. Asnjë nga anëtarët e KQZ-së nuk do të japë dorëheqje dhe vetë Kodi nuk mund të ndryshojë më. Një futje e mundshme në lojë e Kolegjit Zgjedhor, as nuk gjen bazë ligjore dhe as nuk jep zgjidhje ligjore për të ndryshuar zgjedhjet tashmë të kryera në KQZ. Oferta deri tani pak e padukshme e PD-së ndaj PBDNJ-së për një afrim të mundshëm mes tyre, i ka të gjitha shanset të realizohet. Askush nuk nxiton të hipë në anijen që ka marrë ujë, një anije, kapiteni i së cilës, është i lodhur dhe i kapitur nga lundrimi i gjatë në pushtet. E njëjta situatë edhe në komisionet e numërimit dhe KZAZ-të e QV-të. Pra, më shumë se artimetikë e thjeshtë mbledhjesh votash, koalicioni paraelektoral PS e LSI, redukton në maksimum rrjedhjen e votave në mëngët e komisionerëve që i numërojnë ato. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ndryshon balanca e numrave në Këshillat Bashkiakë të qyteteve kryesorë të vendit, në shumicën dërmuese të të cilave, opozita e bashkuar fiton maxhorancën. Brenda kësaj skeme është dhe Tirana, por me gjasë, vetë Tirana do të mbetet formalisht jashtë një realiteti të tillë për shkak të marrëdhënies personale mes vetë Metës dhe Bashës.

 

Nga emocionet tek rotacioni

Mund të ketë shumë kritikë dhe emocion kritik për koalicionin paraelektoral të PS-së dhe LSI-së. Në kushte normale, një pjesë e tyre janë të sakta. Por, dhe ky është një “por” shumë i fortë, Shqipëria nuk është një vend normal. Opozita nuk kishte asnjë gjasë të hynte në një garë të drejtë e të ndershme, përballë arkitektit të parë të manipulimit të votës në Shqipëri, Doktor Berishës. Meqënëse është bërë e udhës që opozita të shihet me lupë në çdo lëvizje të saj, kurse kritikat ndaj pozitës shterojnë menjëherë mbas frazës absurde: “këta e dimë çfarë janë”, ka dhe një detaj që duhet mbajtur shënim. Një detaj që përmbys moralistët e minutës së fundit. Nuk mund t’i kërkohet opozitës në prag të betejës së egër elektorale që të presë deri dhe thonjtë e duarve, sa kohë që ka përballë një pushtet që i avitet kutive të votimit me thikë në dhëmbë.

 

 

 

Me syrin e pragmatizmit?!

Ka bërë mirë apo ka bërë keq? Ka moral apo jo Aleanca e Metës me Ramën? Duhej bërë tani apo më vonë? Kush fiton apo kush humb? Në këto hulli, rrotullohet i gjithë opinioni politik i kohës sonë për marrëveshjen që ka trandur mendjet dhe llogaritë e të gjithëve… 

Nga Gladiola Bendaj

 

 

 

Kryeministri Berisha? Sa të jetë ai në pushtet është e mundur çdo lloj aleance kundër tij. Ky duket lajtmotivi, por edhe filli lidhës i të gjithë asaj që ndodhi në ditët e fundit dhe që trandi të gjithë politikën shqiptare. Por, ndërsa, një njohës i mirë i politikës së majtë, kryetari i PSD-së, Gjinushi e shikon si fundin e moralit politik shqiptar, është njohësi tjetër i mirë i politikës së djathtë, Spartak Ngjela që shprehet se “qenia e këtij kryeministri është një fatkeqësi nga më të mëdhatë që mund të kalojnë shqiptarët. Akti që bëri Meta është një akt shumë i madh, në funksion të historisë së Shqipërisë dhe Partia Socialiste ka bërë shumë mirë që e ka ftuar sepse akti i tij është bërë në një kohë shumë të rrezikshme për historinë demokratike dhe zhvillimin shqiptar”. Por me sintaksën shumë optimiste, Ngjela tejkalon gati të gjithë opinionet e aleatëve të vegjël të PS-së, që vërtet e shikojnë si zgjidhje pragmatike, por jo me notat e mëdha që i vesh Ngjela kësaj lidhje. Këtë e shpjegon më qartë Petro Koçi, duke na rrëfyer se ajo që ka ndodhur nuk është një gjë aq e zakonshme dhe se ka nevojë për një arsye. “Duhet një shpjegim i mirë me elektoratin në lidhje me rolin e LSI-së, sidomos në këto vitet e fundit, si dhe bashkëqeverisja e saj me PD-në. Pra, përveç të tjerash, ky bashkim i detyrohet një shpjegim moral elektoratit, që të mund të merret maksimumi nga ky akt bashkimi. Sepse rezultati nuk vjen automatikisht, sigurisht”.

Për hir të së vërtetës, ajo që ndodhi e tejkaloi dhe mendjen më optimiste për të mos thënë se nxori zbuluar shumë nga analistët e medias, që pothuaj e shikonin të pamundshëm këtë bashkim. Ose të paktën si shprehet një nga politikanët e vjetër shqiptarë, z.Brokaj: “Shkëputja e Metës nga qeveria dhe bashkimi i tij me opozitën mund të ishte bërë të paktën një vit më parë. Kështu edhe efektet mbi elektoratin e majtë do të ishin më të pakta dhe nuk do të rrezikonim atë që ndodhi në Greqi në zgjedhjet e para një viti. Mos u çudisni për këtë. Unë besoj që Rama dhe PS mund t’i fitonin zgjedhjet e qershorit të ardhshëm edhe pa i shtrirë dorën LSI-së. Gjithsesi, nëse bëhet fjalë për kosto, dihet që ato janë të gjitha të PS-së dhe të vetë Ramës. Në këtë skemë të re, sido që të jenë rezultatet që ajo do të japë për të majtën shqiptare, Meta dhe LSI nuk kanë asnjë kosto”.

Me pak fjalë, bashkimi i Metës me familjen e tij natyrale politike, ka një kosto. Po çfarëdo kosto, dhe me çfarëdo morali, përkthehet më shumë vota për të Majtën. Të paktën, tani për tani.

 

Ndre Legisi: Jemi të hapur për çdo forcë që ndahet nga qeveria e Berishës

Mendoj se çdo parti politike në opozitë, që të bëhet shumicë, duhet që të kërkojë të bashkëpunojë me partitë e tjera. Në këto rrethana, ftesa ishte një përpjekje e Partisë Socialiste, e kryetarit të saj z. Rama, për ta kthyer LSI-në në pozicionin e vet, në pozicionin e saj normal, sepse bashkëpunimi me PD-në është konsideruar vazhdimisht diçka jo shumë e gjetur dhe jo shumë normale. Fakti që përgjigjja ishte pozitive, kjo është pa diskutim një gjë shumë e mirë. Pra, qëllimi, interesat, përfitimi, si do të shkojë më tej situata etj., etj., kjo është diçka që duhet parë në vijim.

Nuk po ndalem të them nëse jam optimist apo pesimist për këtë, sepse si sekretar i koalicioneve në PS unë mund të them që kjo është diçka që nuk ka lidhje me pozicionin tim, unë nuk jam marrë përgjithësisht me këtë lloj marrëveshje. Megjithatë, unë jam anëtar i kryesisë së PS dhe si i tillë respektoj vendimet e forumeve. Ne jemi të hapur për çdo forcë politike që ndahet nga qeveria e Berishës dhe nga pushteti i tij dhe që angazhohet për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

Petro Koçi: Ka një deficiencë morale ky akt bashkimi

Një ditë do vinte natyrshëm bashkimi i LSI-së me të majtën, por ndoshta do të duhej një rrugë tjetër për ta realizuar këtë. Më e udhës do të kishte qenë që kjo të ndodhte para një viti, pra që LSI të largohej nga qeveria, të futej në opozitë dhe natyrshëm pastaj të shkohej së bashku në zgjedhje. Megjithatë, ky bashkim, dalja e Metës nga qeveria, ftesa e PS dhe më tej pranimi për të hyrë në koalicionin parazgjedhor sigurisht që besoj se është paraprirë nga një marrëveshje paraprake.

Sa iu takon kostove ose jo, dua të shtoj se, është e qartë që kjo lëvizje për bashkim është bërë për të sjellë më shumë përfitime në zgjedhjet e ardhshme dhe kjo mund të realizohet jo thjesht duke transmetuar forcën numerike të rezultateve të deritanishme, por kërkon dhe investim në shpjegimin e anës morale të procesit. Sepse për momentin duket se ka një deficiencë morale ky akt bashkimi. Pra duhet një shpjegim i mirë me elektoratin në lidhje me rolin e LSI-së, sidomos në këto vitet e fundit, si dhe bashkëqeverisja e saj me PD-në. Pra, përveç të tjerash, ky bashkim i detyrohet një shpjegim moral elektoratit, që të mund të merret maksimumi nga ky akt bashkimi. Sepse rezultati nuk vjen automatikisht, sigurisht.

 

Sabit Brokaj: Bashkim

i panevojshëm, Rama do të fitonte edhe i vetëm

Në princip, bashkimi i partive të një krahu, natyrisht është normal. Këtu, problemin e sjell, së pari fakti që njëra nga këto parti, pra LSI vjen nga një qeverisje shumë e kompromentuar dhe e inkriminuar, ndaj të cilës Partia Socialiste ka pasur kritika shumë të rëndësishme principiale, siç janë vrasjet, korrupsioni i madh, mosndëshkimi i krimit, rritja e krimit të organizuar, për ta quajtur me emrin real atë të faljes së hapësirës detare, pra, një tradhti kombëtare, të cilën Partia Socialiste e fitoi në Gjykatën Kushtetuese si një çështje të madhe. Pra, këto probleme, që janë madhore, e sjellin diskutimin nga njëra anë. Nga ana tjetër, diskutimi lind vetiu, pasi Edi Rama u tregua në angazhimet e tij për qeverisjen e re dhe politikën e re, pothuajse radikalist, në kuptimin më pozitiv. Në këtë pikëpamje, në të dy rastet, si për faktin e realitet të qeverisjes, ku LSI ishte jetike në qeverisje për PD, si dhe pamundësia tashmë që Edi Rama të realizojë ato që shpalli e bëjnë qytetarin apo politikanin që e shikonte me shumë pozitivizëm lëvizjen e Ramës drejt vendosjes së shtetit ligjor, të dyshimtë. Domethënë, të gjithë ata që nuk gjykonin nëse Rama e kish me të vërtetë, por më shumë sugjestionoheshin dhe e prisnin dhe e dëshironin që Rama të ishte ashtu siç thoshte, këta ndjejnë zhgënjimin pasi nga një qëndrim i madh e i prerë, rilindës siç e quajti ai, vendoset një bashkëqeverisje apo qeverisje në ato përmasa ku lundrohet brenda ditës në këmbë. Kjo ka sjellë atë që mund të quhet jo natyrshmëri në princip të këtij bashkimi.

Nga ana tjetër, është elementi i kohës. Shkëputja e Metës nga qeveria dhe bashkimi i tij me opozitën mund të ishte bërë të paktën një vit më parë. Kështu edhe efektet mbi elektoratin e majtë do të ishin më të pakta dhe nuk do të rrezikonim atë që ndodhi në Greqi në zgjedhjet e para një viti. Mos u çudisni për këtë. Unë besoj që Rama dhe PS mund t’i fitonin zgjedhjet e qershorit të ardhshëm edhe pa i shtrirë dorën LSI-së. Gjithsesi, nëse bëhet fjalë për kosto, dihet që ato janë të gjitha të PS-së dhe të vetë Ramës. Në këtë skemë të re, sido që të jenë rezultatet që ajo do të japë për të majtën shqiptare, Meta dhe LSI nuk kanë asnjë kosto.

 

Skënder Gjinushi: Nuk shoh ndonjë aleancë PS-LSI, lëvizja është thjesht pragmatiste

Sa i takon çështjes së moralit politik, dua të them se PSD ka kohë që e shpreh, madje ka kohë që kemi thënë që për politikanët morali është kthyer në imoralitet. Dhe këtë e kemi pasur më së fundi të drejtuar në adresë të korrupsionit dhe të faktit që politikanët, tashmë të panumërt, kanë bërë superskandale, janë bërë pjesë të skandaleve të aferave, të çështjeve të denoncuara publikisht, deri zyrtarisht dhe prapë mbijetojnë, madje hiqen sikur s’ka ndodhur asgjë, apo hiqen, ca më shumë, si ish të persekutuar. Pra e quajnë vlerë që kanë abuzuar dikur, vlerë që kanë shpërdoruar 300 milionë euro për rrugën Durrës-Kukës, apo deri dhe që kanë urdhëruar vrasjen e katër të pafajshmëve në mes të Tiranës. Për PSD-në ky lloj morali ra, ose u vendos më saktë, në 2007, që me takimin Nano-Berisha, dhe në mënyrë të çuditshme këta dy kundërshtarë historik, jo thjesht për shkëmbim replikash dhe llafesh, por për veprime konkrete, duke filluar që nga burgosja e Nanos, manipulimi i ’96-ës, katastrofa berishiane dhe dhuna dhe kasaphana e ’97-ës, grushti i shtetit i ’98-ës, vrasja e Azem Hajdarit, që Berisha për katër vjet e mbajti në tension Shqipërinë nën akuzën që e ka bërë Nano&Co, etj., etj. e pastaj, një ditë të bukur kthehen në miq dhe në bashkëpunëtorë për të ardhmen e Shqipërisë dhe i thonë opinionit publik që këto 15 vjet kanë qenë thjesht replika elektorale. Kjo paralajmëroi që këtej e tutje çdo gjë është e moralshme dhe s’ka më gjëra të pamoralshme për politikën. Pastaj Gërdeci, 21-janari, Durrës-Kukësi, videoja e Priftit… treguan që jo vetëm s’ka më moral, po që s’ka më as penalizim. Pra, kur dy të kundërta bëhen bashkë pa asnjë lloj reflektimi, pa asnjë lloj shpagimi, pa asnjë lloj kostoje, vdes morali.

PSD-ja e ka thënë dhe do e thotë gjithnjë që politika fillon e pastrohet nga dorëheqja. Pra mos prit që të jetë gjyqësori ai që thotë fjalën e parë. E dyta që kemi thënë është që politikanët, në esencë, kanë aq moral sa ç’ka shumica e popullsisë. Sepse nuk kryen politikani veprime publike të pamoralshme, po të di se penalizohet nga opinioni. Ish-ambasadori danez e tha fare qartë që pas 21-janarit, asnjë popull në Europë s’do vepronte si shqiptarët. Vetëm në Shqipëri ndodh çudia e madhe që Lul Basha ka kurajën të kandidojë si kryebashkiak në qytetin ku sapo ka vrarë si ministër i Brendshëm dhe sapo është tallur me këto vrasje.

Por, meqë jemi në këtë situatë, duke i lënë mënjanë të gjitha, bëhet fjalë për një lëvizje që do ta quaja pragmatiste, ose taktike, – sepse sot për sot unë nuk shoh ndonjë aleancë PS-LSI.

PS është aleati ynë dhe kjo është një zgjedhje e saj. Nga ana tjetër, sigurisht që PSD ka gjithë të drejtën të shprehë qëndrimin e saj në aspekt të kësaj situate të re. Megjithatë, ne i qëndrojmë në mënyrë absolute misionit të fitores së të majtës, i gabuar apo i pagabuar qoftë ky veprim. Ka pasur edhe herë të tjera që brenda të majtës janë bërë plot veprime të gabuara dhe PSD përsëri i ka qëndruar të majtës, jo për të lëpirë gabimet, por për të mos e lënë këtë të shfrytëzohet nga pala tjetër, tipar ky që duhet ta vëmë në dukje se është përdorur jo një herë nga LSI dhe ne e kemi denoncuar. Për inat të Nanos në 2005 kontribuojë në humbjen e të majtës dhe për inat të Ramës në 2009 kaloi mandatet në të djathtë.

Megjithatë, ne jemi të bindur që, pavarësisht turbullirës së krijuar, absolutisht opozita është fituese në 23 qershor. Siç besoj se edhe pakënaqësitë e shprehura për këtë lëvizje të fundit nuk mund të shkojnë votë te Berisha, aq më shumë të shkojë në indiferentizëm.

 

 

 

 

Rama-Meta dhe 23 qershori

 

 

Tre analistë të njohur të shtypit komentojnë aleancën më të re mes PS dhe LSI. Cilat janë pritshmëritë numerike të këtij koalicioni, sa e ndryshon ai konfigurimin politik në prag të zgjedhjeve dhe sa gjasa ka opozita të fitojë me këtë lëvizje të re?

 

 

 

Andrea Stefani: “Nuk do vijnë ëngjëjt por do ikë një djall”

Çfarë fushate na pret përpara, pas koalicionit më të ri mes PS e LSI? A do të jetë ajo më e ashpër?

As nuk duhet të mendohet se tashmë që aritmetika e votave kalon qartazi në anën e opozitës, Berisha do dekurajohet dhe do zhvillojë një fushatë më të butë.  Përkundrazi fushata, për mendimin tim, do të jetë më e ashpër. Ajo mund të qe më e moderuar nga ana e Berishës duke pasur Metën në koalicion gjë që i jepte një aritmetikë shumë më inkurajuese (përfshi edhe një përqindje manipulimi që se ka të vështirë ta bëjë çdo qeveri), se do të mund të kapte një mandat të tretë. Largimi i Metës ka sjellë hutim dhe panik në kampin e Berishës, edhe pse ky mbahet gjakftohtë sa për sy të botës. Por pas hutimit vjen zemërimi dhe pas edhe mobilizimi i të gjitha forcave, potencialeve dhe teknikave nga më të rafinuarat deri te ato më vulgaret, për të shmangur humbjen e parajsës d.m.th., të pushtetit. Pres që të nisë një debat i ashpër për përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe pse jo, ndonjë tjetër lidhur me pasaportat që mund të shpërndajë Berisha për një numër kosovarësh në mënyrë që ata të votojnë në Shqipëri. Berisha do bëjë gjithçka që të kompensojë deficitin e votave ashtu si për shembull është përpjekur të ulë shifrat e papunësisë duke përfshirë në statistikë edhe babysiterat.

 

Orët e para pas këtij koalicioni të njoftuar, kanë prodhuar një reagim të fuqishëm negativ brenda radhëve të opozitës. A prisni që ky reagim të fashitet me kalimin e ditëve, apo ky negativitet do ta shoqërojë Ramën dhe Metën deri në ditën e zgjedhjeve?

Mendoj që reagimi do të fashitet sepse elektorati  majtë do ta kuptojë se  nuk bëhet fjalë për mëkatet e Ilir Metës dhe për pajtimin me to, por për rikthimin në shportën e majtë të mijëra votave që kanë shërbyer padrejtësisht për të mbajtur për katër vjet Berishën në pushtet. Dhe këto vota nuk mund të rikthehen tek e majta pa u rikthyer Ilir Meta tek e majta. Personalisht do të doja që e majta dhe opozita në tërësi të mos kishte fare nevojë për votat e LSI në misionin për të përmbysur Berishën por kjo nuk rezulton, mesa duke, as në llogaritë që bën Edi Rama dhe PS. Një baticë e pamjaftueshme rrjedhojë kjo, edhe e disa hapave të gabuar që ka hedhur opozita në këto vite duke nisur që nga viti 2008. Thënë ndryshe, avantazhi që opozita ka siguruar deri më sot pa Metën, duket se nuk është I një shkalle të tillë sat i bëjë ballë mekanizmit të sofistikuar të vjedhjes së votës  “made in pony” të përsosur në këto dekada nga Berisha. Mendoj se elektorati I majtë do ta kuptojë jo vetëm kaq gjë por do të kuptojë edhe tjetrën, që është dhe më e rëndësishme, se pa largimin e Berishës nuk mund të flitet as për demokraci, as për drejtësi dhe për rrjedhojë as për një përtëritje morale të Shqipërisë. Ideja e rotacionit jetik për demokracinë do fitojë mbi të gjithë moralizimet që, në fund të fundit, nuk mund të mos çojnë ujë në mullirin e pushtetit të Berishës që vihet në lëvizje nga vorbullat kaskadave të korrupsionit.

 

Cilat janë kalkulimet kryesore të Ramës dhe të Metës, në këtë bashkim disi të papritur kauzash?

Rama e ka shprehur publikisht që me një aleancë PS-LSI fitorja është e garantuar. Dhe aritmetikisht është logjike. Berisha mundi të qëndrojë në pushtet vetëm në sajë të mbështetjes nga Meta. Ai nuk pati vota të mjafta në 2009 dhe jo t’i ketë ato pas 4 vjetësh të tjerë qeverisje të dështuar në fushat më kryesore. Eshtë një bilanc që ja vështirëson Berishës legjitimimin e një manipulimi të mundshëm. Dihet se qeverisjet të konsumojnë dhe nuk ti rrisin votat. Aq më tepër në kohë krize. Mendoj se edhe Meta bën kalkulimet e veta dhe ndoshta e kupton se ndërsa vajtjen tek Berisha e justifikoi me mos lënien e vendit pa qeverisje, nuk mund të përdorë të njëjtin argument për të qëndruar me Berishën. Ka zëra si Skënder Gjinushi apo Zabit Brokaj që thonë se Meta do t’i çojë prapë votat e së majtës tek Berisha. Dyshimet nuk janë pa vend. Edhe unë I kam të tilla pas atij kapërcimi të ylberit që Meta bëri në vitin 2009. Ndoshta në loja ka edhe disa faktorë të tjerë që do ta pengojnë Metën të riushtrojë një pindarizëm të tillë postelektoral. Gjithsesi gjërat do kthjellohen më mirë kur Meta të thotë diçka publikisht pas ftesës së marrë nga Rama.

 

Sa dhe si e modelon kjo aleancë e re, qeverisjen e nesërme eventuale të së majtës?

Mendoj se kjo do të jetë pjesa më problematike. Petro Koçi ka uruar një intervistë që kalimi i Metës me të majtën të mos jetë një manovër në mënyrë që Berisha t’i shpëtojë drejtësisë nesër kur të mos jetë në pushtet. Nuk mendoj se jemi përpara një rasti të tillë megjithëse, duhet pranuar, që videoskandali Meta-Prifti është në vetvete të premisë për një qeverisje të dedikuar fort dhe radikalisht për luftën kundër korrupsionit galopant të akumuluar gjatë 8 viteve të qeverisjes Berisha. Por unë nuk jam ndër ata që mendojnë se pastrimi i politikës apo i qeverisjes nga korrupsioni do të bëhet kur në qeveri të vijnë politikanë të moralshëm. Nuk e di nëse ekzistojnë të tillë edhe në Europë. Çështja është që politikanë të pamoralshëm të mos mund të bëjnë shumë dëm kur vijnë në pushtet. Dhe këtu vijmë tek sistemi. Pra, çështja është të lejosh hapësira për krijimin e prokurorisë dhe gjyqësorit të pavarur. Dhe kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që në pushtet është autokrati i korruptuar Berisha. Largimi i tij është premise e parë për rithemelimin e drejtësisë të lirë nga kapja politike dhe bashkë me drejtësinë do të rilindë edhe morali. Shpresa nuk është se me ndërrimin e pushtetit do të vijnë në qeverisje engjëjt por se do të largohet sigurisht një djall.

 

Artan Hoxha: “Lsi, garante e rotacionit të butë e paqësor”

Çfarë fushate na pret përpara, pas koalicionit më të ri mes PS e LSI? A do të jetë ajo më e ashpër?

Logjikisht fushata duhet të jetë më e butë, krahasuar nëse LSI do ishte në mes apo me PD. LSI po largohet pa konflikt nga mazhoranca, pasi kontribuoi për 4 vite. Pra, në të majtë kalon një faktor normalizues. Gjithashtu, lidershipi socialist duket se përllogarit si rritjen e forcës konkurruese të koalicionit me LSI, ashtu edhe atë të administrimit zgjedhor pa me më pak rreziqe nga kjo aleancë, ndaj ndjehet më i qetë dhe ka më pak arsye të nervozohet. Nga PS mund të largohet një pjesë ekstremiste që nuk do ta gëlltisë dot këtë aleancë. Edhe ky është një faktor normalizues. Ndaj si përfundim fushata duhet të jetë më normale e më e butë ndërkohë që gara do jetë mjaft më e fortë dhe e ngushtë.

 

Orët e para pas këtij koalicioni të njoftuar, kanë prodhuar një reagim të fuqishëm negativ brenda radhëve të opozitës. A prisni që ky regim të fashitet me kalimin e ditëve, apo ky negativitet do ta shoqërojë Ramën dhe Metën deri në ditën e zgjedhjeve?

Më së shumti do fashitet e ndoshta një pjesë e vogël do demoralizohen apo do e çojnë votën kuturu. Për më tepër, mendoj se ekstremistët janë një pakicë mjaft e vogël në të dy krahët e politikës. Duket sikur janë shumë pasi luajnë shumë “luftash” në internet, por janë shumë pak dhe kur vjen dita e votimit më të shumtët votojnë partinë që kanë votuar zakonisht.

 

Cilat janë kalkulimet kryesore të Ramës dhe të Metës, në këtë bashkim disi të papritur kauzash?

Edi Rama duket se ka vlerësuar se ai rrit mundësitë e fitores duke zgjeruar koalicionin. Zgjerimi i koalicionit vërtetohet se është strategjia dhe taktika më e mirë. Historiku i zgjedhjeve që nga 2001 deri në 2011 është e dhëna më e besueshme. Të dhënat historike tregojnë se ka një sjellje shumë, shumë të ngurtë ëe mbi 90% të votuesve dhe pjesa tjetër që ndryshon votën e bën këtë në mënyrë simetrike dhe pra me efekt zero. Ky konkluzion ka vite që është bërë i ditur dhe Edi Ramës më në fund duket se i ka dalë gjumi me ëndrra nanuritëse të fitores i vetëm dhe, pasi i bëri detyrat e thjeshta aritmetike pranoi se s’mund të fitojë pa Ilir Metën, apo, thënë ndryshe s’mund të fitojë pushtet pa ndarë pushtet. Aleanca me LSI duket se i jep Edi Ramës edhe një ndjesi sigurie më të lartë për administrimin zgjedhor. Them duket, se në fakt komisionet zgjedhore do të jenë të balancuara dhe s’ka arsye që Edi Rama të besojë më shumë komisionerët e LSI se sa komisionerët e vet e nëse nuk iu ka besuar të vetëve ç’kuptim do kishte që do t’iu besonte të tjerëve. Gjithsesi, ky iluzion i bën mirë atij dhe fushatës dhe i heq pretekset në rast humbjeje.

 

Pas përpjekjeve që s’dhanë rezultat për një koalicion në qendër, Ilir Meta duket se ka vlerësuar se del më i fituar nga aleanca me PS se ajo me PD. Ai pa një Edi Rama dhe PS në nevojë të madhe për aleancën me të dhe LSI. Nëse do të merrnim katër rastet teorike me gjasa ai ka vlerësuar se një fitore në koalicion me PS i jep më shumë fryte se ato të njohura tashmë nga një fitore me PD. Ilir Meta do ketë shumë më tepër peshë në rast fitoreje në qeverisjen e ardhëshme. Ndërkaq, një humbje bashkë me PD do të ishte traumatike për LSI ndërsa një humbje në koalicion me PS do të ishte e pajustifikueshme dhe pra dërrmuese për Edi Ramën dhe jo për Ilir Metën të cilit, nga kjo humbje, i hapet një perspektivë për lidershipin e të majtës së bashkuar në opozitë pas zgjedhjeve. Natyrisht, nëse vetë LSI do të arrinte një rezultat të kënaqshëm brenda koalicionit të majtë.

 

Sa dhe si e modelon kjo aleancë e re, qeverisjen e nesërme eventuale të së majtës?

Në rast fitoreje të koalicionit të majtë, LSI, me kushtin që do ta ketë peshën shumë më të madhe në qeverisjen e ardhëshme, qoftë si numër deputetësh e qoftë si drejtim ministror, me gjasa do të sillet si forca politike garante e rotacionit të butë e paqësor dhe e nxitjes së konsensusit politik për objektivat e integrimit. Ilir Meta u shpreh qartë për këtë në konferencën për media të së mërkurës. LSI do të ishte edhe faktor moderimi i tezave ekstremiste programore të PS, si taksa progresive apo shëndetësia pa sigurime shëndetësore dhe pra edhe faktor i vazhdimësisë në thelb të modelit të duhur të krijuar tashmë të një sistemi fiskal konkurrues në tregun ballkanik dhe europian apo e modelit të administrimit dhe financimit të shëndetësisë që është në fazën e vet të fundit të zbatimit të tij. Gjithnjë, vetëm nëse LSI do të rrisë peshën e saj dhe/ose nuk do t’iu dorëzohet tezave ekstremiste e populiste të “Rilindjes Shqiptare”.

 

Dritan Hila: “Rama zgjodhi të luajë me sigurinë”

Çfarë fushate na pret përpara, pas koalicionit më të ri mes PS e LSI? A do të jetë ajo më e ashpër?

Përkundrazi, do jetë një fushatë ku do frenohet gjuha pas dhëmbëve. Demokratët kanë përballë ish aleatin e tyre të katër vjetëve me të cilin ndanë halle, derte dhe pasuri kombëtare. Vranë për llogari të tij katër njerëz, dhe çfarë është më e rëndësishmja do vazhdojnë të qeverisin në nivel lokal gjithë Shqipërinë. Të dy palët janë koshient që për një plesht, domethënë aparencat publike, mos djegin jorganin, që do të thotë qarin e pushtetit. Sa i takon socialistëve, ata tashmë nuk mund të shajnë vetveten. Në katër vjet koalicion PD-LSI, dikasteret më problematike rezultojnë ato që drejtonte LSI-ja. Tashmë askush nuk është i interesuar ti nxjerrë lakrat tjetrit. Do të ishte harakiri. Ndoshta Berishën mund ta kapë ndonjëherë zjarri, por do arrijë deri tek batutat. Ai i ka bërë pazaret e veta për jetën post 23 qershorit.

 

Orët e para pas këtij koalicioni të njoftuar, kanë prodhuar një reagim të fuqishëm negativ brenda radhëve të opozitës. A prisni që ky reagim të fashitet me kalimin e ditëve, apo ky negativitet do ta shoqërojë Ramën dhe Metën deri në ditën e zgjedhjeve?

Kush ka iniciuar koalicionin, ka pasur parasysh eksperiencën e tranzicionit shqiptar, ku asgjë nuk çudit. Ndodhi ’97-ta dhe të gjithë dolën pa lagur, përjashto fatkeqët që binin pre e bandave. Atëherë çfarë mund të çudisë më. Aq më shumë që politika shqiptare, e trajton zgjedhësin si një lloj guhaku. Dhe me thënë të drejtën zgjedhësi shqiptar është pak i tillë. Nuk e di se ku tjetër shefi i një partie i kapur me presh në dorë duke vjedhur, të votohet ende?

Gjithashtu sofizmi është sport kombëtar i politikës shqiptare. Janë zbavitëse akrobacitë e së majtës shqiptare të ditëve të fundit, për të parfumosur Ilir Metën. Të paktën të kishin ndjekur këshillën Tuaj: “Të zinin hundën e të rrinin urtë”. Por në fund do mbizotërojë pragmatizmi. Do jetë një minorancë zgjedhësish që nuk do mund ta bluajë këtë kompromis, por i pa rëndësishëm në ndryshimin e rezultatit të votimit.

 

Cilat janë kalkulimet kryesore të Ramës dhe të Metës, në këtë bashkim disi të papritur kauzash?

Rama ka zgjedhur të luajë me sigurinë. I është thënë shpesh se është shansi i tij i fundit. Dhe nuk ka preferuar të rrezikojë aspak. Strategjia e tij është: “Hap pas hapi”. E di që kjo krushqi është nga ato me fishek në pajë, por preferon të fitojë një herë zgjedhjet. Nuk ka parë sa i ka kushtuar kjo dasmë, dhe sa do ti shkojë shpenzimi në të ardhmen. Më vonë, me të parë e me të bërë.

Sa i takon Metës, ka bërë lëvizjen më të mirë të mundshme. Një koalicion parazgjedhor me Berishën, do rezultonte problematik në zbatimin e tij në terren. Elektorati i të dy palëve, asnjëherë nuk e ka honepsur njeri-tjetrin. Gjithashtu elektorati i Metës, nuk është ai idealist i 2009-tës, por pragmatisti i 2011-ës, të cilin nuk e ka testuar ndonjëherë në zgjedhje të përgjithshme, dhe nuk ishte çasti më i mirë 2013-ta që ta bënte.

I rreshtuar me socialistët, Meta i qaset imazhit të tij si i majtë, megjithëse koha ja ka ciflosur bajagi këtë zmalt dhe i ka nxjerrë llamarinat. Por koha shëron çdo plagë. Është njeriu që socialistët i kërkuan bashkëpunimin, që në masën e madhe të njerëzve përkthehet si një pathyeshmëri politike e Ilir Metës. Kjo do ta ndihmojë në të ardhmen për rritjen e peshës së tij në politikën shqiptare. Shqiptarët përpara se të jenë idealistë, janë pragmatistë

 

Sa dhe si e modelon kjo aleancë e re, qeverisjen e nesërme eventuale të së majtës?

Patjetër që e kushtëzon. Edi Rama, do duhet t’i heqi ndryshkun instinkteve të kompromisit. Me Ilir Metën, nuk do ketë përballë një vasal, por një partner. Dhe këto instinkte do ti hyjnë në punë shumë. Dikasteret që do drejtohen nga Ilir Meta, do jenë domen ekskluziv i tij, por nuk do mungojnë edhe shëtitjet në bahçen e fqinjit. E ka bërë në kohën e Berishë, lere më paskëtaj, kur nuk dallohet edhe ngjyra e shkelësit të gardhit. Pesha e tij, do jetë shumë më e madhe se ajo e numrit të ministrive dhe deputetëve.

Por synimi kryesor i Ilir Metës, nuk është qeverisja e ardhshme, sa kryesimi i Partisë Socialiste. E ka ëndërruar prej kohësh. Dhe pret që nisur nga pesha që rifitoi tek e majta, të mundësojë rritjen e numrit të përkrahësve të tij nga radhët e aleatëve. Do ti fusë shkopinj në rrota qeverisë së Edi Ramës dhe në bashkëpunim me Berishën, ti nxijë jetën dhe çojë në dështim qeverisjen e tij. Në këtë mënyrë të mundet ta shkurtojë mandatin qeverisës të aleatit, dhe bashkë me të edhe qenien e tij kryetar i PS-së. Do jetë rruga për të mundësuar kthimin e tij tek partia e vjetër. Nëse nuk e merr nga brenda, shpreson ti përthithë elektorat, dhe një ditë të mos merret vesh se kush peshon më shumë, nëna apo bija.

Midis këtyre luftërave të hapura ose nën rrogoz, nënshtetasit shqiptarë do shikojnë se sa i takon standardeve të transparencës, qeveria nuk ka për të pasur risi. Secili nga udhëheqësit e majtë, ka qenë me vite të tëra në pushtet, dhe dihet si punon. Sa i takon efikasitetit, nuk do kemi çudira, pavarësisht vrullit që kanë të sapoardhurit të bëjnë gjëra të mira, qoftë edhe për imazh. Paratë kanë mbaruar; bota është në krizë; dhe në situata të tilla mendohet si të mbijetosh dhe jo të shtosh. Do jetë një katërvjeçar ku nga pikëvështrimi ekonomik, njerëzit do mbijetojnë. Nga ajo politike, do ketë shfaqje të vazhdueshme. Tashmë jemi në stadin kur politika bëhet nga tre njerëz. Gjithë ne të tjerët, jemi figurantë. Ose si në rastin tonë, komentatorë.

 

 

 

Lufter Xhuveli: Lëvizjet e LSI-së?

Si me PD-në, por edhe me PS-në s’janë sakrilegj

Flet për ‘JAVA’, kryetari i partisë Agrare Ambientaliste, Prof. Dr. Lufter Xhuveli. Si e shikon ai koalicionin e ditëve të fundit PS-LSI, në optikën e vet. Çfarë kahu do të mbajë në zgjedhjet e fundit dhe mendimin për inefiçencën e sistemit të sotëm zgjedhor aktual…

Intervistoi Ben Andoni/RevistaJava/

 

 


Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2013 · Subscribe: RSS Twitter · WordPress Theme designed by Theme Junkie