provimi i letersise 2013Me date 31 Maj, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të parë të detyrueshëm, Provimit të Letërsisë per 2013.

Aktualisht hartuesit e tezave janë ngujuar në Agjencinë Kombëtare të Provimeve për të përzgjedhur mëngjesin e 31 majit testin final. Pyetjet do të zgjidhen nga një fond me rreth 3000 të tilla. Teza do të përmbajë 25 të pyetje, të cilat do të jenë me zhvillim dhe alternativa. Ajo do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Rreth 60 për qind e pyetjeve të testit i përkasin lëndës së letërsisë, ndërsa pjesa tjetër rreth gjuhës. Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërisht të punuara në klasë.
Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë, ku të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Specialistët shtojnë më tej se maturantët duhet të tregohen të kujdesshëm që gjatë periudhës përgatitore dhe të mos mbështeten vetëm në perceptimin e fragmentit të tekstit, pasi testi do të përmbajë edhe pyetje rreth tërësisë së veprës së autorit përkatës. “Gabimet më të shpeshta që penalizojnë maturantët, vijnë pikërisht nga mosleximi i duhur i veprave të përzgjedhura. Këto gabime kanë të bëjnë me mosleximin e plotë të veprës letrare, çka bën që edhe përgjigjet e dhëna nga maturanti në test të mos jenë në nivelin e duhur”, sqarojnë specialistët e AKP-së. Sipas tyre, një tjetër problematikë e konstatuar është edhe puna me një fragment që shihet edhe si objekt. Kështu, fragmenti i zgjedhur për testin është një pjesë e shkëputur nga trupi i veprës së plotë, çka do të thotë se testi do të ketë pyetje edhe rreth veprës së plotë, dhe jo vetëm në fragmentin e përzgjedhur. “Nxënësit duhet të bëjnë kujdes që të mos dalin nga natyra e përgjigjes së kërkuar, pasi në këtë formë humbasin pikë në rezultatin e përgjithshëm të provimit”, sqarojnë specialistët.
Testi i provimit
Struktura e testit do të jetë e ndarë në 3 pjesë. Pjesa e parë, tekst joletrar që do të ketë 40 për qind të pyetjeve, që kryesisht do t’i takojnë gjuhës shqipe, ndërsa dy pjesët e tjera të teksteve letrare që do të kenë secila nga 30 për qind të pyetjeve, do të jenë rreth fragmenteve të autorëve të përzgjedhur. Teza e provimit do të përmbajë 25 pyetje. 13 pyetjet e para janë me zgjedhje, ku do të rrethohet vetëm shkronja përbri përgjigjes së saktë. Pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të bërë veprimet e nevojshme. Koha e vënë në dispozicion të maturantëve për zhvillimin e testit është 2 orë e 30 minuta. Ditën e zhvillimit të provimit, maturantët duhet të kenë me vete vetëm një stilolaps dhe kartën e identitetit.

ZIRINA LLAMBRO/Panorama

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net