Prokuroria, nis hetimet per incidentit me Sulën

Incidenti i ndodhur në stadiumin e qytetit të Peqinit gjatë ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, bëhet objekt i hetimit të Policisë dhe Prokurorisë. Ngjarja në të cilën është “implikuar” deputeti i PD Dash Sula, është hetuar për dy ditë nga Policia e Elbasanit, e cila dje ka referuar dosjen në Prokurori. Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi, konfirmoi dje për gazetën “Panorama” se Prokuroria ka marrë materialin referues nga Policia lokale dhe ka nisur shqyrtimin e dosjes në fjalë. Nga ana tjetër, burime të Prokurorisë së Elbasanit thanë se dosja penale për ngjarjen ka mbërritur dje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, pak minuta para mbylljes së orarit zyrtar, 16:00. Sipas zyrtarëve të Prokurorisë, materialet shkresore dhe provat e mbledhura nga policia në lidhje me ngjarjen janë marrë në dorëzim, ndërsa vlerësimi i tyre do të fillojë ditën e sotme. Nga një shqyrtim paraprak i materialeve të referuara nga Policia, Prokuroria tha se bëhet fjalë për një raport të forcave të rendit në lidhje me incidentet në stadiumin e Peqinit. Krahas raportit të Policisë, referimi i ngjarjes përmban edhe deklarimet e të deleguarve të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe dëshmi të dhëna nga drejtuesit e klubeve. Sipas burimeve nga Policia, personat që kanë njoftuar policinë duke denoncuar ngjarjen, kanë qenë përfaqësues të klubit të Flamurtarit, të cilët edhe në deklarimet e tyre paraprake kanë pohuar se në stadium ka pasur incidente dhe të shtëna me armë. “Bashkë me materialet shkresore të mbërritura nga Policia, në cilësinë e provës materiale është dorëzuar edhe një objekt pistoletë. Nga këqyrja paraprake duket se bëhet fjalë për një armë zhurmuese, pra një mjet figurant si ato që përdoren në spektakle televizive nga aktorët”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, mjeti në fjalë shkakton zhurmë dhe në imazh ngjan me një armë të vërtetë, por në fakt nuk kryen qitje me plumba.
Hetimi
Prokuroria e Elbasanit tha se nuk ka ende një kualifikim ligjor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në stadiumin e Peqinit më 4 maj, gjatë ndeshjes mes skuadrave të Shkumbinit dhe Flamurtarit. Burimet zyrtare thanë se ditën e sotme materiali i referuar nga Policia do të regjistrohet si procedim penal dhe më pas do të vazhdojnë veprimet në kuadër të këtij procedimi. Sipas burimeve nga grupi hetimor i çështjes, objekt i veçantë i hetimit do të jetë pyetja e të dërguarve të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtuesve të klubeve. Marrja e tyre në pyetje do të bëhet me kujdes të veçantë, pasi vihet re se mes deklaratave që ata kanë dhënë për policinë dhe atyre gjërave që thonë në media, ka një diferencë të madhe. Kur paraqiten para hetuesve dhe paralajmërohen për përgjegjësi ligjore në rast se deklarojnë fakte të paqena, vëzhguesit e federatës por edhe drejtuesit e klubeve tregohen më të kursyer dhe më të kujdesshëm. Ndërkohë në media ata i ashpërsojnë akuzat, me sa duket për të mobilizuar palët dhe për t’i dhënë më tepër peshë asaj çfarë deklarojnë. Pasi është pyetur nga gazeta “Panorama”, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi, tha se hetimi do të vazhdojë sipas ligjit me ekspertimin e armës, e cila edhe pse duket se është zhurmuese, mund të deklarohet e tillë nga hetuesit vetëm mbi bazën e një ekspertimi.

FSHF hesht për dhunën, s’ka reagim
Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar edhe dje. Në mënyrë krejt të pakuptimtë, institucioni i futbollit hesht për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Peqin, por edhe për dhunën në Kukës. Zyra e shtypit ka përsëritur edhe njëherë se nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për ngjarjet e javës që kaloi. Nuk ka pasur asnjë qëndrim edhe nga Shoqata e Arbitrave, megjithëse kole-gëve të tyre iu bë presion i ashpër në Peqin.

Çfarë rrezikon Shkumbini
Duke iu referuar rregullores së FSHF-së, klubi peqinas rrezikon shumë, nëse vërtetohen incidentet. Kështu, neni 58-të thotë: Kushdo që kërcënon një zyrtar ndeshjeje, do të dënohet me një gjobë me vlerë jo më pak se 1 milion lekë të vjetër. Nëse kërcënimi kryhet gjatë zhvillimit të ndeshjes, ekipi ku bën pjesë personi që kryen kërcënimin ndaj zyrtarëve, do dënohet me humbjen në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe zbritjen e tri pikëve nga klasifikimi. Sipas informacioneve, Disiplina pritet të mblidhet nesër.

Leave a Comment

%d bloggers like this: