Policia postale: Kujdes postën elektronike, ruhuni nga mesazhet e panjohura

TIRANË- Policia e Shtetit bëri sot me dije se ka nisur të aplikohet një tjetër lloj mashtrimi pre e të cilëve janë qytetarët shqiptarë. Në një njoftim për mediat, policia sqaron se autorët e këtyre mashtrimeve dërgojnë mesazhe elektronike (e-mail), duke u paraqitur si përfaqësues të kompanive Yahoo, Gmail, Hotmail etj, në të cilat njoftojnë se posta elektronike është e vjetër dhe kërkohet rinovimi i fjalëkalimit përkatës.
Gjithashtua ata dërgojnë për plotësim një formular, përmes të cilit kërkojnë të dhëna për gjeneralitetet, numrin e dokumentit te identifikimit dhe fjalëkalimin aktual të postës elektronike. Duke marrë të plotësuar këtë formular këta persona bëhen në mënyrë të paligjshme posedues të postës elektronike dhe e përdorin atë për qëllime mashtrimi.

Pasi kanë marrë në zotërim postën elektronike, autorët dërgojnë mesazhe në listën e kontakteve, duke kërkuar para për arsye nga më të ndryshmet. Në njoftimin e shpërndarë policia sqaron se nga hetimet e kryera ka rezultuar se autorët e këtij mashtrimi janë kryesisht nga vendet e kontinentit Afrikan, Nigeria, Bregu i Fildishtë etj.

Gjithashtu u bëhet apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në komunikimet në Internet me përdorues të panjohur prej tyre. Ndërkaq në dispozicion të qytetarëve është vënë në dispozion edhe numri i telefonit 0964102688, i Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Leave a Comment

%d bloggers like this: