Një përshkrim sprovë e specialistit të mjedisit jep një situatë turistike shqiptare me nota groteske por më shumë me një hidhërim të qartë, për shkallën e ulët të civilizimit që na rrethon kudo

Prej kohësh jemi ndruajtur të shkruajmë në pikun e turizmit, at`here kur edhe të dhemb më shumë, por jemi tutur se gjoja nuk qenkemi kështu atdhetar dhe ndikojmë në prishjen e imazhit turistik të vendit apo i bëjmë qejfin fqinjëve që nuk duan që ne të kemi bumin e shumëpritur turistik. Sigurisht, jo për të bërë rolin e shumë mediave, që godasin shumë herë, pa shkak çmimin e kripur të turizmit tonë dhe glorifikojnë si çmime shumë të lira ato jashtë. Në rolin e një qytetari me kërkesa, dhe jo të një qytetari të kënaqur me pak, nën syrin e një qytetari vëzhgues për të përmirësuar atë që sheh dhe jo të një snobi që shkon e shfryn jashtë, edhe si për t`u dukur, për të zezat e këtij vendi, pa le kur duan të ngrenë kredot e veta, duke sharë vendin e kombin nga vinë. Nejse. Le të kthehemi atje, ku duam të vëmë, por kësaj radhe, bisturinë mbi plagët e turizmit shqiptar. Më mirë, një apo dy vjet pa turizëm dhe pastaj shpërthim, se sa kështu me brek nëpër këmbë 20 vjet, rrudhe sot rrudhe mot, ku ujërat me lyrëra, me shkumë e me mutra, ende lundrojnë nëpër kanale deri në det, ku plastikat e letrat ende shkrumbohen në çdo cep të komunave shqiptare, por që gjatë beharit bien në sy ato të komunave bregdetare. Morëpo të vjen të plasësh. Fillo që nga Ballshi, Frataj, Memalia, Tepelena e Gjirokastra, ku djegia e plehrave të nxijnë rrugën dhe të përplas para syve qese e plastika të katranosura dhe mbasi shkon e pushon në Sarandë, janë prapë plehrat që të shoqërojnë, që ndonëse nuk digjen lëshojnë erën e vezëve të prishura përreth zones së kazanëve pa këmbë e pa mbulesë, pastaj kur Bashkia i lan se ankohen qytetarët, era e vezëve pushton qytetin turistik. Djegia e plehrave të nxijnë rrugën edhe në kthim, qysh në dalje të Sarandës, ku prej 20 vjetësh tymi i zi i tyre përzihet me atë të mielltë të guroreve aty pare. Tej në Borsh, i vëren që digjen aty pranë burimit lumë të pashtershëm. Drejt Himarës në të dalë, aty është nam fare. Qysh qindra metra më parë i sheh që përvëlohen si në një autokllavë natyrore, me mbulesë qiellin e hapur plehrat e qytetit me kulturë gjoja dhe greke një pjesë (se çfarë lidhje ka Himara me Greqinë, hajde gjeje, kur të gjithë mbiemrat i ka nga Mirëdita, si Gjini, Gjokaj, Zotaj, etj.) dhe kjo pamje nuk të shqitet edhe drejt Vunoit, edhe drejt Las Vegasit Dhermi, ku nuk gjen derman nga snobët dhe bosët që aty hanë e aty dhjesin, pa asnjë ndryshim për kësi punësh me Golemin e Durrësin. Profesioni na detyron që mos t`ju lemë injorant, ju të dashur pushues, por edhe ju z. Kryeministër, që edhe në Dhërmiun plazh të ndritur, ato ujërat me lyrëra, me ca si të zeza e me ca si m….., mbasi grumbullohen nëpër gropa gjoja shkëmbore, se ashtu lloj si në Dhërmi e në Golem vetëm septike nuk janë, (shumë pronarë dhe politikanë e përdorin akoma si term skeptike), thërrasin në fund të sezonit ndonjë makinë të (K)omunales që të heq ndonjë cope reçkë bebelino apo ndonjë pece grash që nuk tret dot shkëmbi gëlqeror, se pjesën tjetër të trashë e të hollë, atje ku lahesh zotrote e ke. Edhe ky qytet me kolonë grek e mban veten, megjithëse të gjithë mbiemrat i ka me origjinë nga Kruja, ku mbas rënies së saj në kohën e dushmanit osman, duke shkuar për në tokat e Alfonsit në Napoli, era i ktheu për në Himarë e Dhërmi. Edhe kjo, nejse, se është çështje tjetër. Sikur nuk mjaftojnë këto dy kuçedra, si flakja e ujërave të zeza dhe pjekja e plehrave për të trembur turistin e mençur, por për secilën nga këto komuna e bashki bregdetare, çdo njëri përballet me pamjet kaba të ndërtimeve pa kurrfarë sensi, ku vilës së bardhë, si pasha të ish turizmit të vjetër në Sarandë i rrinë si xhandar dy pallate 10-12 katësh nga prapa, ku më tej vëren në faqe të kodrës shkëmbore me qindra ndërtime si dobiça të mbjellë ferrave, pa kurrfarë lidhje, pa model gjeometrik, pa ndonjë simbol të caktuar, mur më mur me tjetrin, mur më gur me shkëmbin. Vitin e parë, pa ardhur tjetri, edhe sheh pak dritë e det, se pastaj puthu me Milon, vetëm kati i sipërm ka të nxjerrë pak kokën, si një zog i zënë nga bajga e lopës për të parë ndonjë anije që kalon aty pare. Po kur të del ai 20 katëshi, si div dragua i Dragobisë, që nuk ke me se e krahason? Si torre që mbron qytetin nuk të del se nuk është në kënd të qytetit, me qendër “down town” nuk të del se nuk është e sheshtë piaca, me kala të qytetit, nuk të del se nuk ka fortifikime natyrale rrethues. E di çke, gjeje vetë i dashur lexues. Po andej nga pllakat, që në vijë të parë, dikur ndesheshim me bunkerë, i shamë dhe i prishëm ata bashkë me regjimin, mirë bëmë, dhe tani i zëvendësuam me ngrehina 12 katëshe, që të zënë firomën nga sipër, dhe ti plazhisti nuk kupton pse nuk mbushesh dot me frymë, megjithëse pranë detit. Nuk ka libër urban, as të historisë botërore dhe as të eksperiencës së vendit, të rrok katrahurën urbane në Sarandë. Po pse vetëm në Sarandë? Po në Vlorë?! Ku rreshti i parë të ngrihet drejt e me pallate 9-12 kate me diell e det, dhe të tjerat si burg pas, me hënë e natë. Ethet e arit blu po i zënë sytë edhe arkitektit më të mirë, edhe urbanistit më të zotë, po pse jo dhe të ashtuquajturve mjedisorë, ku askush nuk po arrin të thërrasë memorien apo arsyen e kombit, që më parë intituivisht i ndërtonte këto qytete si brezare, më sakt si amfiteatre natyrorë, ku secila prej banesave kishte detin e dritën e vet, diellin dhe hënën përjetë. Dhe ashtu si paçavure urbane, edhe emrat që iu bashkangjiten, po ashtu tingëllojnë. Vini re me ç’emra thirren hotelet e bregdetit! Ku fjete e pyet tjetrin? Tek Capi, po ti, tek Cupi. Po për të ngrënë? Tek Pupi. Në vend se të memorizohet e kaluara fisnike historike, sidomos kur brezat e rinj dhe situatat sot janë në nevojë. Të duket sikur historia fillon sot me këta politikanë e biznesmena, zaptues të brigjeve të detit deri edhe pushtues të hapësirave detare, ku edhe piratët e kohës së Teutës së Ilirëve, as ata të mbretërve Bullgar e Serb, madje as sulltanët Mehmet e Mahmut, more po as diktatori, nuk mundën t’i uzurponin këto territore. Po ja, e more, or mos u ngopsh, po pse e vret bukurinë në Shën Pjetër, po pse e lë pa jetë rrugën Ujë i ftohtë – Skelë?. E dini çfarë ndodh në këtë rrugë të dashur lexues. Mbasi kërkon të hidhesh njëherë tej nga Vlora, kur pushon në Rradhimë e Orikum, mbasi torturohesh nga zvarritja pa mbarim të duket sikur shpëton sa futesh në ujë të ftohtë. Një makth tjetër të pushton. Të gjitha automjetet i drejtohen Vlorës, dhe kujt, një qendre tregtare me të drejt si Riviera, si e vetmja pikë sociopetale që mbledh njerëz, ndërkohë që “tanë” kjo rrugë duhet të ziente nga shërbimi turistik. Mirëpo, si kudo alla golemçe, bregdeti iu përket jo pushuesëve, jo turistëve, jo emigrantëve të shplodhen, por lakmiqarëve me shtëpi të dyta që kësisoj ndrydhin pasuritë e vendit, në vend se të fitonin, ata dhe ne bashkë, nga ato. Ndaj dhe kjo rrugë me shtëpi bosh, flinte në pikun e punës në vend se të gumëzhinte. Nejse, vinte një moment e mbrije tek Riviera. Do ecje e do kundruallje ndonjë dyqan të stolisur, në fakt me konfeksione “made in Italia”, por me shërbim “made in Labçe”, që mbasi i bën disa pyetje, ai, (Bosi i lokalit) të gjegjet, ti or vlla, e paske listën e kërkesave më të madhe se ajo e menysë. Pse me kaq do t’i mbyllësh plagët turistike në qytetin Vlorë? Do ruhesh nga ndonjë pickamë uji, e ngritur nga pllakat qysh nga koha e “qoftlargut”, që lëvizin trotuarëve mbas vaditjeve nga pronarët e lokaleve aty pranë. E më në fund, ashtu i rraskapitur kthehesh për të automjeti, që mezi i “keshje” gjetur një zgëq, kur të thonë se një polic po kërkon kacavidë për të të hequr targën. Po këtu nuk ka tabelë, i them. Nejse xhanëm, kuptoj gjobën, po kaçavidën pse e kërkon?!. Ke targë Tiranë vlla, po ik të q…..udhët, se po vjen ai me kaçavidë në dorë. Dhe ika, që të mos shtoja më plagët nga turizmi shqiptar.

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net