Pezë: i vihet flaka urës para shtëpisë së Edi Ramës

Kanë qenë të habitshme dhe të dyshimta rrethanat e një ngjarjeje të ndodhur rreth 1 orë pas mesnate mes së enjtes dhe së premtes në Pezë të Tiranës. Një ure të vogël e cila ndodhet pranë banesës së deputetit të PS-së Dashamir Peza në fshatin Pezë të Tiranës, i është vënë flaka pak para se aty të kalonte kryetari i opozitës Edi Rama. Siç është bërë e ditur edhe më parë, Rama e përdor këtë banesë për qëndrim disa ditë gjatë javës.

Sipas informacioneve një person i panjohur i ka vënë flakën urës e cila ndodhet pranë shtëpisë së deputetit të PS-së Dashamir Peza. Kjo urë lidh shtëpinë e deputetit Peza me pjesën tjetër të fshatit. Rama kalon aty çdo herë që duhet të kthehet në shtëpi.

Policia nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë incident dhe lajmi është shfaqur vetëm pjesërisht në një ose dy media gjatë ditës së sotme.
Si për Drejtorinë e Policisë së Tiranës, si për stafin e trup-rojave të Ramës, kjo temë ka qenë e papëlqyeshme dhe telefonatat për informim ndërpriteshin.

Sipas disa burimeve lokale, ura e vogël prej druri është kallur në flakë pak pas mesnate. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e policisë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shuar flakët. Sipas burimit, policët kanë qenë ende duke shuar flakët, kur eskorta e Ramës me Ramën në makinë ka mbërritur në zonë. Flakët janë shuar, ndërkohë që policia ka bërë një provë kalimi me makinën e vet, para se në urë të kalonte si përnatë makina e kryetarit të opozitës.

Shtëpia e Dashamir Pezës e cila përdoret me qira nga kryetari i PS, Edi Rama, u vu edhe pak ditë më parë në qendër të vëmendjes, kur forca policie e rrethuan atë, pasi Ministria e Kulturës nxorri një urdhër të papritur për të rikthyer në shtëpi-muze, pak kohë pasi, po vetë, e kishte hequr nga lista.


Leave a Comment

%d bloggers like this: