Përmbytjet, 127 milionë euro!

Ekspertët kanë përllogaritur për herë të parë dëmin që i është shkaktuar shtetit shqiptar dhe banorëve të zonës nga përmbytjet e fundit. Si janë llogaritur dëmet, fatura e plotë dhe mënyra se si të dëmtuarit mund të marrin paratë e tyre

Strukturat shtetërore dhe banorët e përmbytur të zonës së Shkodrës po luftojnë çdo ditë me ujin që ka hyrë në banesat e tyre, por, nga ana tjetër, janë duke menduar për faturën financiare të kësaj katastrofe. Bilanci i parë flet për mijëra shtëpi të përmbytura, prona të tëra të shkatërruara, më shumë se 12 mijë njerëz të larguar nga banesat e tyre.
Me kalimin e situatës emergjente të përmbytjeve, veprimi i parë që do të ndërmerret nga autoritet do të jetë dëmshpërblimi i banorëve për humbjet që kanë pësuar. Pasi të ketë bërë verifikimet në terren, qeveria duhet të shpërndajë masën e dëmshpërblimit për të gjithë të prekurit nga përmbytjet. Për momentin, ende nuk ka një kosto totale, pasi ujërat nuk janë tërhequr për t’i lenë vendin grupeve të vlerësimit, por tabelat e miratuara një vit më parë nga qeveria gjatë përmbytjeve të ngjashme të janarit, tregojnë për një kosto jo të vogël të tyre në buxhetin e shtetit.

Metodologjia e përdorur në përllogaritjen e dëmeve është një llogaritje e thjeshtë bazuar në shifrat zyrtare të publikuara nga shteti shqiptar. Ekspertët kanë përllogaritur shpërnguljen e banorëve dhe rikthimin e tyre në shtëpi, pasi të ketë kaluar situata e rëndë. Në llogari janë vendosur dëmet e shkaktuara në bujqësi; blegtori; dëme materiale në biznese; dëme në infrastrukturën e kullim-bonifikimit; dëme në infrastrukturën rrugore dhe rrjetin elektrik, por edhe paratë e shpenzuara për ditë të tëra me operacionet e ndihmës në zonën e përmbytur.

Struktura dhe vlera sipas një parashikimi të përafërt do të jetë:
Dëmshpërblim i drejtpërdrejtë për familjet e përmbytura. Këtu llogaritet nevoja në lekë që duhet t’iu jepet familjeve të përmbytura tani që janë të shpërngulura për një nivel jetese afër normales (shpenzime akomodimi, ushqime, veshmbathje, ngrohje etj.) dhe në momentin e kthimit në shtëpitë e përmbytura. Shuma e lekëve kur të kthehen në shtëpi ka të bëjë me mundësimin e fillimit të një jete afër normales dhe përfshin disa zëra si blerje pajisjesh elektronike, orendi si, karrige, divane, tavolina, dollapë, rafte, dyshekë, batanije, e komplete të tjera të kësaj natyre.
Në shpenzimet e akomodimit etj., mund të pranojmë për një muaj 100 euro personi. Deri tani janë shpërngulur rreth 13.000 persona. Për një muaj janë 13.000×100=1.300.000 euro.

Në këtë rubrikë duhet të futen edhe ndihmat ushqimore për ato familje që nuk janë shpërngulur apo pjesëtarë të familjeve që kanë ngelur të rrethuar e të izoluar nga uji. Mund të jenë më shumë se 20.000 qytetarë të kësaj kategorie. Kostoja do të jetë rreth 80 euro personi për një muaj = 16.000.000 euro.

Në shpenzimet për kthimin në shtëpitë e tyre do të futen edhe paratë e për transportin, rehabilitimin e shtëpive nga dëmtimet, punime të lehta për të larguar ujin nga oborret etj. Për një familje, kjo shumë mund të jetë rreth 5000 Euro. Përafërsisht rreth 5000 familje, shuma mund të shkojë 25 milionë Euro, n.q.s., nuk do të tallen me qytetarët e përmbytur.

Zhdëmtim për kulturat bujqësore, nga pemëtaria e vreshtaria për një sipërfaqe afërsisht 10.000 ha tokë, duke pasur parasysh dëmtimin e minimalisht të një sesioni kulturash bujqësore. Nëse dëmi do të jetë 0,5 E / m katror kuptohet se vlera e dëmit do të kalojë 10000x10000x0.5= 50 milionë Euro dëmshpërblim, nëse qeveria nuk do të tallet me fermerët.

Zhdëmtim për ngordhje të gjësë së gjallë dhe humbje prodhimi nga ato, që mund të vejë një shifër rreth 1 milion euro.

Zhdëmtim të dëmtimit të pronës e të bizneseve për bizneset e ngritura në zonë si ato të materialeve inerte, materialeve të ndërtimit, të serave bujqësore të luleve, të komplekseve blegtorale, të hoteleve, bar restoranteve, dyqaneve e minimarketeve etj., të këtij lloji. Po të bëhet vlerësimi real shifra do t’i kalojë 15 milionë Euro.
Humbja e biznesit kushton më shumë se investimi fillestar dhe për ketë ka legjislacion të veçantë, mbi të cilin pronarët do ta kërkojnë dëmshpërblimin qindarke për qindarkë qoftë edhe me gjyq ndaj Qeverise…

Rehabilitimi dhe kthimi në gjendjen e mëparshme të sistemit të bonifikim-kullim-vaditjes në zonë ku duhet të riparohen diga, argjinatura, kanale të niveleve të ndryshëm etj., që do të shkojnë rreth 15 milionë euro.

Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore nacionale e rurale, i linjave të shpërndarjes të energjisë elektrike, i telefonisë etj., elementë që do të evidentohen pas inspektimit në zonë, që mund të kapin vlera rreth 3 milionë euro.

Shpenzime për operacionet qe kryhen e do të kryhen deri në kthimin e banorëve në shtëpitë e tyre, që mund të shkojnë rreh 5 milionë euro. Shifër kjo që përfshin shpenzimet e policisë, të ushtrisë, të strukturave të emergjencës civile, të pushtetit vendor si ndërmarrjes lokale, komuna, prefekture, qark etj.

Të gjitha këto shpenzime arrijnë minimalisht në shumën e 126.8 milionë eurove!

Nga pritet të dalin paratë
Dëmshpërblimi i humbjeve nga përmbytjet pritet të përballohen nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit, i cili fillimisht ka qenë në vlerën e rreth 2.5 miliardë lekëve. Por përgjatë gjithë vitit, ai është prekur me vendim të ndryshme të qeverisë, duke bërë që në arkë të mos jenë më shumë se rreth 500 milionë lekë. Vendimi i fundit i qeverisë, i cili prek fondin rezervë ka të bëjë me blerjen e një autoveturë me vlerë 70 milionë lekë në llogari të Parkut të Delegacioneve. E vetmja zgjidhje për të përballuar faturën e majme të përmbytjeve është të ndryshohet buxheti i shtetit dhe të ndahet një zë i veçantë për dëmshpërblimin./Revista Shiptari/

Leave a Comment

%d bloggers like this: