Përfaqësuesja pa atdhe, "fantazma" që “u mohua” nga FIFA

Aventura e Lazlo Kubalas, një prej talenteve të të gjitha kohërave (sipas Di Stefanos “teknikisht më i pastër se Peleja”) dhe e vjehrrit të tij Ferdinand Daucik, trajner me një inteligjencë të pashoqe

Hungaria e Daucik ishte skuadra e formuar nga lojtarë pa atdhe. Ishte skuadra e lojtarëve që për klasin që kishin nuk mund të “mbërtheheshin” dot as nga skemat e futbollit dhe jo më nga ato politike, sociale apo kulturore të regjimeve të Evropës Lindore të pas Luftës së Dytë Botërore. Ekipi për të cilin bëhet fjalë nuk ka pasur “jetëgjatësi” të madhe, por duhet thënë se për aq sa ka luajtur ka mundur që të lërë shenjën e vet në futbollin botëror. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe disa prej individëve të asaj skuadre.

Në atë ekip spikatën dy persona që dashuronin futbollin. Bëhet fjalë për Ferdinand Daucik dhe Laszlo Kubala, respektivisht vjehërr dhe dhëndër. Lidhja e këtyre dy figurave kyçe të atij ekipi ishte vetëm njëra prej shumë historive të Hungarisë, skuadrës që “jetoi” vetëm në fushën e futbollit, skuadrës që mbart në vetvete legjendën e legjendave, skuadrës që emri nuk i figuron në asnjë almanak, skuadrës pa pikë grumbullimi, skuadrës pa stadium, skuadrës pa trofe, skuadrës që lojtarët i luanin vetëm se një ditë kërkonin që të vazhdonin që të bënin pjesë të botës së futbollit. Ajo ishte një skuadër e çuditshme pasi përbëhej prej lojtarësh “pa atdhe”. Ajo përfaqësuese u mohua edhe nga FIFA dhe u mbrojt për interesa futbollistike dhe politike nga Federata Spanjolle e Futbollit. U mbrojt nga regjimi i Frankos, nga njëra prej pesë kolonave evropiane kundër komunizmit.

Kubala

Pjesëtarë të atij ekipi të madh përveç Kubalas ishin edhe Monsider, Marik, Simotec dhe mbi të gjithë, Ferdinand Daucik. Ky i fundit pati shumë sukses edhe në rang klubesh. Pasi mori drejtimin e Barcelonës ai arriti që të krijonte skuadrën më të fortë të fillim viteve ’50 (ekipi i Torinos, një tjetër skuadër e madhe në atë kohë u zhduk pas tragjedisë ajrore të Superga-s). Njëri prej individëve më të rëndësishëm të atij ekipin ishte Laszlo Kubala. Ky i fundit me golat dhe lojën që bënte arriti që të fitonte respektin e shumë ikonave të futbollit. Njëri prej tyre, Alfredo Di Stefano, tha për Kubala-n: “… për nga teknika ai është më i fortë edhe se sa Pelé”. Laszlo, djali i një familje me origjinë sllovake, lindi në Budapest më 10 qershor të 1927-ës. Në moshë të re ai nisi të punonte në një fabrikë. Nga aty Kubala e kuptoi se kishte talent. Ishte një futbollist i lindur. Në fillim ai, pas punës, luajti me ekipin e Ganz ET-së. Më tej i riu u thirr edhe në kombëtare kur veshi fanellën e të rinjve të Hungarisë. Në moshën 17-të vjeçare, sapo kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore, ai u ble nga Ferencvaros-i ku luajti për herë të parë më 29 prill të ’45-s. Edhe pse i ri në moshë Kubala u zhvillua mjaft (1,75 metra i gjatë dhe peshonte 83 kilogram) dhe me këmbët e tij tërë klas dhe fantazi bëri që të gjithë ta kishin zili. Pas ndeshjeve të para që zhvilloi me ekipin hungarez për atë filluan edhe kohët e këqija. Themi kështu pasi i riu në pranverën e ’46-ës, i joshur nga një kontratë e majme, vendosi të ikte drejt Bratislavës pasi do të luante me Slovan Bratislava-n. Duke qenë se u vu para faktit të kryer Ferencvaros-I vendosi që të pranonte një tip dëmshpërblimi të ofruar nga Slovan Bratislava, 15.000 monedha ari. Ky hap i madh ishte i pari pasi më vonë, duke përfituar edhe nga prejardhja çekosllovake e të atit, Kubala-s iu hapën dyert edhe nga Përfaqësuesja e Pragës (pra nga Çekosllovakia). Më fanellën e kësaj kombëtareje ai luajti 11 ndeshje dhe shënoi plot 8 gola. Gjatë kësaj periudhe ai u njoh dhe më pas u dashurua me të bijën e Komisarit Teknik, Ferdinand Daucik, Ana Viola-n. Më këtë të fundit ai pati edhe një djalë dhe më pas u martua. Por momentet e bukura për të po shkonin drejt fundit: në ’48-ën Laszlo shkoi në Budapest që të luante me Vasas. Në pamje të parë gjithçka dukej në rregull. Si futbollist profesionit ai kaloi nga një klub në tjetrin por këtë “monotoni” mendoi mirë që t’ia shkatërrojë qeveria hungareze që vendosi ta inkuadronte në “Legjionin e kuq”. Përpos atij vendimi ajo qeveri vendosi që Kubala të mos udhëtonte më jashtë shtetit. Në atë moment jeta e tij nuk kishte më asnjë sens: Kubala qëndronte si “i burgosur” në Budapest, ndërkohë që gruaja (Ana) dhe i bri (Branko, edhe ky një talent në futboll, vdiq në moshë të re pasi vuajti nga leucemia) ishin në Çekosllovaki shumë larg, Laszlo-s. Ndërkohë që vjehrri, Ferdinand-i, ashtu si edhe Kubala nga Hungaria, po projektonte arratinë. E para që u arratis ishte Ana së bashku me djalin, më pas ia doli që të largohej edhe Ferdinand Daucik. Gjysma e familjes së bashku më disa persona të tjerë ata gjetën strehim në Vjenë.

Pezullimi i pakuptimtë i FIFA-s

Për Laszlo-n, arratia ishte mjaft e vështirë. Pas shumë e shumë përpjekjesh ai më në fund ia doli që ta dërgonin në një repart pranë kufirit. Prej aty, në një natë të ftohtë dimri, me një divizë sovjetike, ai hipi në një kampion refugjatësh. Kështu që arratia e famshme doli me sukses dhe familja Kubala u ribashkua në Itali. Si për ironi të fatit Pro Patria kishte kontaktuar me parë me futbollistin që Federata magjarë e Futbollit e pezulloi përjetë. Këtë vendim, si për çudi, e ratifikoi edhe FIFA.

Lindja e “Hungarisë”

Por ja që lojtari nuk u dorëzua: në fillim ai firmosi një parakontratë me Pro Patria-n dhe më pas u stërvit në Busto Arsizio. Më tej formoi skuadrën e re, Hungarinë. Kjo e fundit ishte një lloj Kombëtare e Lindjes që përbëhej nga “robër” që kishin fituar lirinë duke u arratisur nga vende të Evropës Lindore. Takimet e para kjo përfaqësuese i luajti në Spanjë. Vendi i madh i Gadishullit Iberik, që ishte nën drejtimin e Frankos, ishte i lumtur që të priste kësisoj ndeshjesh për arsyet që thamë pak lart. Në ato pak ndeshje shpërtheu edhe “dashuria” e futbolldashësve spanjoll me Laszlo Kubala-n. Sapo panë talentin hungarez, Real i Madridit dhe Barcelona i hapën “luftë” njëra-tjetrës për të marrë shërbimet e lojtarit. Në fund këtë duel e fituan kuqeblutë falë Pepe Samitier. Ky i fundit, që ishte drejtor i Përgjithshëm i Barçës, me zotësinë e vet arriti që t’i mbushte mendjen Kubala-s që të luante në Katalonjë. Gjithsesi, nga ana tjetër, Pro Patria nuk u dorëzua pasi mendonte që t’i mbushte mendjen FIFA-s për të tërhequr vendimin që kishte marrë pak kohë më parë. Por më kot, tentativat e klubit Italian ranë në vesh të shurdhër pasi vetë shteti fqinj, në atë kohë, nuk kishte peshën e duhur politike që të realizonte një gjë të tillë. Kështu, Samitier ia doli që të bënte gjithçka që nuk bëri Pro Patria: rimbursoi klubin Lombard dhe i dha Kubala-s një pasaportë spanjolle përveç edhe kontratës së artë. Aftësitë e drejtorit katalanas bënë të mundur që Kubala të debutonte më Barcelonën në prill të ’51-it. Influence e madhe e Samitier-it u panë në momentin kur ky i fundit arriti që nëpërmjet miqësive të fuqishme të bënte FIFA-n që të hiqte dënimin që kishte marrë për lojtarin.

Mirënjohja

Pas tërë këtyre peripecive Kubala tregoi se nuk do të harronte kurrë familjen. Kështu mori me vete në Spanjë edhe të vjehrrin, Ferdinand Daucik. Trajneri çekosllovak arriti që tek Barcelona të ndërtonte një skuadër të madhe. Ai arriti që të gjente lojtarët e duhur për ti vënë në dispozicion Laszlo-s. Kështu u krijua edhe një nga ciklet më fituese të klubit të famshëm katalanas.

Sukseset tek Barça

Në katër vite që Daucik drejtoi Barcelonën ai arriti që të fitonte të gjitha trofetë më të rëndësishëm. Në sezonin ’51-‘52 ata triumfin në “Grand Slam”: pra fituan La Ligan, Kupën e Spanjës (në atë kohë njihej si Kupa e Kryekomandantit), Kupën Latine, Kupën Eva Duarte dhe Kupën Martini & Rossi. Sipas disa biografëve të Barçës ai formacion ishte edhe më i fortë se sa ekipi i viteve të fundit që përbëhej nga Koeman, Stoichkov e Romario. Ajo Barcelonë mund të themi se renditet vetëm pas kësaj së sotmes (që luajnë Mesi, Ksavi dhe Iniesta). Në atë kohë Barça kishte një sulm të frikshëm. Atij ekipi i pëlqente të luante në sulm pasi ai repart formohej nga futbollistë si Basora, César, Kubala, Moreno dhe Manchòn. Tekniku i tyre, Daucik bëri të mundur që tërë kalsin e këtyre futbollistëve ta inkuadronte në një skemë shumë efikase. Përveç se ishte një teknik shumë i zoti ai ishte edhe një njeri i mirë. Në atë kohë thuajse i mbushte mendjen futbollistëve që kishin humbur besimin në vetvete se më një gjysmë aspirine mund të rrisnin nivelin e tyre. Në të njëjtën kohë ai kërkonte disiplinë taktike. Çdo ndeshje ai e kuronte deri në detajin më të vogël. Duhet thënë se ishte pikërisht tekniku në fjalë ai që drejtoi edhe Hungarinë që sapo ju folëm pak më lart. Daucik ishte komisari teknik i Hungarisë që dha spektakël vetëm në tri ndeshje të verës së 1948-s. Ishte drejtuesi i Hungarisë së talentit Laszlo Kubala, babait të Brankos, burrit të Ana Violas dhe dhëndrit të Ferdinandit (vdiq më 1986-n). Ky i fundit, pas asaj eksperience të mrekullueshme që pati me Barcelonën, drejtoi edhe skuadrën e Atletikos së Madridit, Portos, Betisit dhe Espanjolit.

Liria pas topit

Kubala, në 1965 luajti në të njëjtin ekip me të birin (në atë kohë ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç) tek Espanjoli. Një tjetër sodisfaksion ai e mori edhe si trajneri kur stërviti Kombëtaren e Spanjës nga ’69 deri në ’80. Kjo është edhe historia pra e Ferdinand Daucik dhe Laszlo Kubala-s e dy ikonave të Hungarisë që kanë pasur të njëjtën ëndërr: dhëndri dhe vjehrri që kërkuan lirinë, duke i vajtur pas topit të futbollit. Ende sot askush nuk është në gjendje që të thotë nëse ata ia kanë arritur qëllimit të tyre të vërtetë. Askush nuk mund të thotë nëse netëve që kanë kaluar të vetëm, a kanë parë ndonjëherë pas. Deri më tani vetëm një gjë është e sigurt. Kjo dyshe zbaviti botën me Hungarinë, përfaqësuesen që ekzistoi vetëm për pak kohë, përfaqësuesen e futbollistëve “pa atdhe”.

Leave a Comment

%d bloggers like this: