Pensionet greke, rritet divorci mes pleqve

Nëse qëndrojnë bashkë, njëri e humbet pagesën. Gjykata zgjidh dy kurora çdo tri ditë

Autoritetet greke nuk do ta kenë të lehtë të ulin faturën financiare të pensioneve që u paguhen të moshuarve “homogjenë” në Jug të Shqipërisë. Vendimi i Athinës për të dhënë pension vetëm për një person në familje, ka nxitur një valë të paparë divorcesh mes pleqve në Sarandë, ku jetojnë një numër i madh “homogjenësh”.

Divorcet

Në Gjykatën e Sarandës thonë se prishjet e martesave zënë pothuajse vendin e parë në çështjet e gjykuara kohët e fundit. Kjo, sepse ndarjet po bëhen si një lloj mode dhe konsumimi i martesës vjen shpejt për arsye nga më të ndryshmet e më komplekset.

Por situatën sociale të mbarsur me shkaqe të vërteta, që çojnë në ndarje, e rëndojnë edhe ndarjet jo për shkaqe, por për sebepe. Sebepi më origjinal i divorceve të sajuara është ai i pensioneve greke, manovrimi për të mos e humbur atë, në kushtet kur autoritetet greke po i përmbahet kriterit që vetëm njëri prej bashkëshortëve të moshuar e përfiton atë. Atëherë, “o burra të figurojmë të ndarë me gjykatë dhe eurot e pensionit grek është e sigurt se vijnë prapë në Shqipëri”. Prandaj në “modën” e divorcit të rremë me gjyq, po futen edhe gra 65-vjeçare, që kërkojnë ndarje nga burrat pleq jo për aventurë, por për të mos humbur pensionin prej 350-400 eurosh nga shteti grek. Na thanë se përpjekja e parë është bërë gjatë aplikimeve në zyrat e Aleat, ku në dhjetëra raste operatorëve të tyre u është kërkuar të plotësohet dokumentacioni për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, duke u kthyer grave të moshuara mbiemrin e kohës së vajzërisë. Pasi kanë parë që kjo nuk ka qenë e mundur, me gjithë ofertat e mira në euro, gratë pensioniste kanë depozituar padi në gjykatë. Për këtë arsye, në Gjykatën e Sarandës thanë se “mozaiku” i kërkesave për divorce ka brenda moshat e reja, të mesme dhe ekstreme. Sipas këtij burimi, gjatë muajit mars të këtij viti, mjaft prej kërkesave për divorc rezultojnë të jenë bërë edhe nga persona të moshës mbi 65 vjeç e në një vështrim më të përgjithshëm, nga mosha e tretë, në emër të mosprerjes së pensionit grek.

Statistikat

Sipas një statistike që u referohet dy viteve të fundit, në Sarandë janë divorcuar 500 çifte. Këtë e konfirmon kancelari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, Xhevahir Guga. Në vështrimin e tij, paditë ngrihen mbi probleme ekonomike kryesisht, por edhe të natyrave të tjera, që kanë të bëjnë me emigracionin e gjatë të njërit prej bashkëshortëve, me ndryshime të pozitës ekonomike dhe asaj sociale në çift etj. Burime nga Gjykata e Sarandës shtojnë se në masë dërrmuese iniciativa për të kërkuar divorcin ose zgjidhjen e martesës u përket grave. Kanë qenë ato në shumicën e rasteve që u janë drejtuar organeve të gjyqësorit për mosfunksionimin dhe pushimin e marrëdhënies bashkëshortore. Edhe më e veçantë se kjo është e dhëna që japin në Gjykatën e Sarandës lidhur me moshat e bashkëshortëve që divorcohen. Statistikës së divorceve të dy viteve të kaluara u shtohen edhe 57 kërkesa të tjera për zgjidhje martese, të bëra në tre muajt e parë të vitit 2011. “Vetëm ditët e fundit, në Gjykatën e Sarandës po shqyrtohen 16 raste divorcesh, pjesa më e madhe e protagonistëve të tyre vijnë nga emigracioni”, thotë kancelari Guga. SHQIPTARI.NET

Leave a Comment

%d bloggers like this: