Pensionet greke, aventura për 280 euro

Nga: Ben Andoni- Qeveria greke vendosi të shtrëngojë pensionet për “homogjenët”. Qindra pensionistë shqiptarë duhet t’i marrin pensionet e tyre “greke” duke u paraqitur vetë në pikat e tërheqjes në shtetin fqinj. Një procedurë aspak e lehtë, që ua bën të vështirë këtë shpërblim, në emër të një politike të dyshimtë të Athinës zyrtare. Ja historitë e katër pensionistëve që vuajnë për të marrë pensionin në fjalë

Është një frazë, që përmendet gjithnjë kur ndahesh me grekët. “I urrej grekët dhe kur më dhurojnë…”. Në fakt për shqiptarët, fqinjët e tyre, që historia i ka lidhur shumë, kjo ka rezultuar me dy faqe. Kanë ndarë bashkë halle dhe gëzime të mëdha, por dhe i kanë derdhur njëri-tjetrit siklete pafund. Një nga të fundit, që po e vuan, një pjesë e popullsisë shqiptare, është shkurtimi i pensioneve greke. E ndërsa këta të fundit e justifikojnë me krizën dhe mashtrimet, minoritarët dhe përfituesit e tjerë po bëjnë një apel, se kështu dalëngadalë, do të zbrazet Jugu dhe Shqipëria do të humbasë minoritetin. Në terren, si zakonisht, gjërat janë të thjeshta. Greqia ka vendosur të ketë kujdes maksimal për financat e veta, për çfarëdo arsye që do përdoren ato… .

Pensionistët
Këtë e dinë mirë Janulla L. dhe i shoqi Spiro në Himarë, por tashmë u duhet të maten mirë, që të udhëtojnë për çdo muaj, për të marrë pensionin e tyre mujor në Greqi. Gaqo K. në Tiranë e ka zgjidhur më lehtë. E ka gjetur gjuhën me ata që ndajnë pensionin dhe nuk ka pse të shkojë, por nëse ai atje në Athinë shikon që gjërat “nuk shkojnë”, duhet ta lajmërojë që të shkojë. Harallambi T. dhe e shoqja tashmë kanë filluar të bëjnë kalkulime të tjera, në Pogradec. Që prej muajsh ata marrin vetëm një pension, ashtu si gjithë të tjerët, ndaj kanë filluar të mendojnë për burimin tjetër. Anipse, edhe me këtë janë të kënaqur. Edhe ata e kanë “gjetur gjuhën” me punonjësit grekë. Nuk kanë pse të ikin. Por Kristo. L. në Tiranë është i shqetësuar. E ka gëzuar pak vjet pensionin, ndërsa ngaqë nuk ka njerëz, duhet që të shkojë brenda dhjetë ditëve të para të çdo muaji. “Kam dëgjuar se do të na i heqin fare. Në fillim i përgjysmuan. Në familje e marrin vetëm njëri dhe shumë shpejt thonë se do të na i heqin fare. Vendi im mbetet Shqipëria. Sa për grekët ne jemi sërish të huaj dhe na konsiderojnë njësoj si të tjerët”. Në fakt, ka filluar ta ndjejë në palcë vështirësinë. I duhet në logjikën më të mirë, që të shpenzojë gati gjysmën e pensionit prej 280 Eurosh për udhëtimin dhe kjo vërtetë nuk ia vlen.
Historia e tij dhe e pensionistëve të tjera filloi kohë më parë, kur grekët në kohën e kinse lulëzimit të tyre pas viteve ’90, strehuan qindra mijëra shqiptarë. Ata aplikuan një program të veçantë për minoritarët dhe u jepnin pension të gjithë bashkëkombësve të tyre, që kishin nivele pensioni shumë më të ulët sesa në Greqi. Fillimisht, thjesht duhej të deklaroje se ishe “vorio-epirot”! E kësaj kohe, ka qenë deklarata shumë qytetare, por dhe me ngarkesë shumë atdhetare e deputetit të Himarës, z.Anagnosti, që i kërkoi Komisionit të Politikës së Jashtme, referenca për këtë fenomen. E megjithatë, gjërat rrodhën njësoj. Ai, që në Shqipëri kishte një kartë të Omonias, kishte privilegje dhe madje edhe mund të kurohej më mirë në vendin “e tij”. Skema e pensionit, që arriti të mbante gati 25 mijë minoritarë, qëlloi fatlume në jug, sepse i lehtësoi shumicën e minoritarëve prej pensionit të prindërve të tyre dhe nga braktisja e vendit. Nga ana tjetër, përpjekja e shqiptarëve për të marrë këtë pension dhe abuzimi me të, e bëri numrin e tyre shumë hipotetik dhe një burim konfliktesh mediatike dhe politike në vend. Përveç banorëve minoritarë, një pjesë tjetër, që duhet thënë se nuk e kishte këtë përkatësi, u përpoq ta fitonte, falë makinacioneve të politikanëve lokalë. Tek shteti grek, ndihma për bashkëkombësit e tyre u justifikua me sjelljen e vërtetë ortodokse, të mos i linin të vuanin bashkëkombësit e tyre. Dhe, në fakt, kjo ndihmë, në një farë mënyre zgjidhi një problem jo të vogël për moshën e tretë në jug. Kjo u shkoi për shtat politikanëve të Jugut, që disa herë e kanë shfrytëzuar fenomenin shëmtuar, ndërsa vetë qarqet greke, me kohë, e shmangën retorikën e tyre vorio-epirote.

Si nisi
Në thelb, kjo retorikë ishte baza e gjithçkaje. Vetëm se çdo gjë e ka një fund. Nuk mund të shpenzohej më kështu. Për shkak të vështirësive ekonomike, por dhe të abuzimeve me skemat e pensioneve, shteti grek vendosi gjatë muajve të kaluar disa kushte shtesë për ata që do të merrnin pensionet këtej e tutje. Pensionisti duhej të paraqitej vetë, me qëllim për të tërhequr paratë, sepse në rast të kundërt ajo shkonte për llogari të shtetit. Instituti i Pensioneve OGA, që filloi zbatimin nga 1 nëntori i 2010-s, njoftoi se minoritarët grekë në Shqipëri nuk mund të tërheqin më pensionin e tyre me prokurë, si deri më atëherë. Sipas këtij vendimi, minoritari duhej veçse të ishte banor në shtetin grek, por nëse nuk paraqitej në 10 ditët e para të muajit, pensioni i digjej dhe nuk i jepej. “Duhet më pas një adresë dhe duhet të shkosh njëherë ose dy herë në tre muaj” dhe pastaj gjërat zgjidhen. Po ai që është 90 vjeç si mund të shkojë?”, vetëpyet Gaqo që e ka gjetur një zgjidhje. Dhe sërish, ka dhe më keq. Qeveria greke ka nxjerrë sërish një urdhëresë që homogjenët grekë të Shqipërisë që e përfitojnë pensionin, duhet të jenë fizikisht, të paktën pesë ditë të çdo jave në Greqi. Në fillim të vitit 2010, kur shteti grek ndodhej në mes të krizës financiare, Instituti i Sigurimeve Shoqërore që mbulon të punësuarit në bujqësi dhe minoritarët grekë në Shqipëri, OGA mori një tjetër vendim. Sipas këtij vendimi, në një familje minoritarësh që përfitoheshin disa pensione, këtej e tutje vetëm 1 person në familje duhet të merrte pension.
Deri më atëherë, paratë mund të merreshin nga pinjollët e emigrantëve të moshuar falë një prokure. Kjo, e ka bërë të vështirë skemën e marrjes për tri familjet që përmendën në fillim të shkrimit, edhe pse ata janë të kënaqur me shkuarjen në Greqi!!! Duhet të paguajnë 35 Euro udhëtimin deri në Greqi dhe po aq për kthimin. Nëse nuk do të kishin fëmijët apo të afërmit për ato ditë qëndrimi ose dhe ditën tjetër, nuk do të ia vlente, sepse i shtohet dhe një 20-30-40 Euro për fjetjen dhe pak euro për ushqimin. Kështu pensioni i tyre, tashmë shkon drejt gjysmës. “Nuk ia vlen më! Por, edhe ne, duhet të mësohemi me krizën e tyre. Tek e fundit na kanë mbajtur deri tani”, thotë Janulla me Spiron. “Po të mos ishte Gërqia (kështu e thonë), atëherë ne do të ishim ku e ku më keq”. Por, Kristo është vërtetë i shqetësuar. Ka shkuar në fund të moshës së pensionit dhe falë rregullimit të dokumenteve të duhura ia doli të marrë pensionin. E quante si një dhuratë nga qielli, por me kohë dhe kjo dhuratë po i ikën. “E ku gëzon fukarai, ndonjëherë! – thotë. Ç’më duhet mua se çfarë hallesh kanë grekët dhe çfarë kanë italianët. Dua të kem atë që kam marrë”. Sa i përket Gaqo K. dhe së shoqes, ata janë mësuar. Presin që gjërat të jenë mirë dhe njeriu që kanë në Greqi mos t’i besdisë. E kanë gjetur gjuhën thjesht me të. Si minoritarë të mirë binden për çdo gjë. “E duam shtetin tonë, do e gjejmë zgjidhjen…”. Skema e re është vërtetë e sikletshme. Duhet të paraqiten vetë në dhjetëditshin e parë, pas urdhrit që hyri në fuqi prej fundit të vitit dhe për të janë informuar të gjitha pikat shpërndarëse të pensioneve në Greqi. “Që të lësh 150 Euro për të marrë ato 280 Euro janë si shumë”- thotë një nga minoritarët, që s’do me asnjë kusht t’ia përmendësh emrin.

Greqia
Greqia në vitet e fundit, sipas burimeve mediatike, kishte një ndihmë që shkonte deri në 3 miliardë Euro në vit! Duke u futur në marrëdhënien antikrizë të muajve të fundit, specialistët e huaj të BE-së dhe organizatat e tjera ndërkombëtare financiare i kërkuan uljen e shpenzimeve. Shteti u detyrua të ulë pagat dhe pensionet edhe vetë në vend, duke filluar që nga administrata e lartë, ushtria, por edhe pensionet që konsiderohen si të larta. Greqia, deri në atë kohë jepte dhe një rrogë të 14-të për punonjësit e vet, si dhe pushime të stërzgjatura. “Financial Times”, ka shkruar se gjatë dekadës së fundit kostoja e punës për njësi prodhimi në ekonominë greke është rritur me 40 për qind dhe për këtë shkak, ekspertët perëndimorë besojnë se zgjidhja kryesore e krizës financiare në Greqi do të bëhej nëse do merreshin masa te ulja e pagave, pensionet dhe shpërblimeve suplementare, të cilat deri më atëherë kapnin shifra katastrofike.

Epilog
Vendimi, që ka kohë që përflitet, por për shkak të situatës në Shqipëri dhe në Greqi, duket si në hije, pritet të bllokojë shumë këtej e tutje dhënien e pensioneve për minoritarët shqiptarë. Arsyeja e parë mbetet kriza, por e dyta është dhe frenim ndaj akuzave për të rritur numrin artificialisht të minoritarëve në Shqipëri dhe abuzimet e zakonshme. Vetë kryeministri Berisha, jo shumë kohë më parë i kërkoi homologut të tij nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve lidhur me problemin e pensioneve (sigurimeve shoqërore) të emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi, një hallkë e domosdoshme për ta vendosur në binarë të drejtë problemin për brezat e tanishëm të emigrantëve shqiptarë. Kurse për politikanët e Jugut, ka hapur një betejë të re, që do të thotë administrimi i banorëve të jugut dhe gjetja e një retorike të re zgjidhjeje për ta. Jo më kot, lideri i partisë kryesore të Minoriteve, Vangjel Dule, e kishte në axhendën e tij kur takoi kryeministrin grek. Dhe, madje, ka të ngjarë, që fryt i këtij takimi, të jetë dhe lehtësimi i politikës drastike për pensionet ndaj minoritarëve në Shqipëri dhe më tej akoma, heshtja rreth këtij problemi. Tek e fundit, në kohën e re, grekët mund t’i besosh kur të japin diçka. Këtë mendim e mbajnë dhe personazhet tona, që edhe pse i ruhen medias, kanë gjetur mënyrën që sërish të marrin diçka nga atdheu amë. Tek e fundit, mos të udhëtojnë gjithmonë me shqetësim para burokratëve të vendit tyre.

Leave a Comment

%d bloggers like this: