Pedroza: Dua të marr pjesë në “luftë”!

Motoçiklizëm: Piloti spanjoll i Hondës zyrtare shpreson që të arrijë të rikuperojë fizikisht në këtë fazë të pushimeve verore

 

Nga Ermal Godenca

 

“Nuk jam rikuperuar ende 100%, megjithatë shpresoj që të fitoj garë pas gare dhe në fund do të shohim nëse do të arrij të bëj “luftë”. Daniel Pedroza duket shumë më i karikuar, pas vendit të tretë që zuri në Laguna Seka.

Spanjolli pretendon të përfitojë nga pushimet verore, për të rikuperuar sa më shumë sa i përket formës fizike, për garën e ardhshme që do të zhvillohet më 14 gusht në Brno të Çekisë. “Objektivi im është që të rikuperoj sa më shumë për formën time fizike dhe të arrij të fitoj ndonjë garë.”

Sa i përket synimeve dhe luftës së tij për titullin kampion të këtij sezoni, duket se shpresat janë venitur. “Stoneri ka më shumë vazhdueshmëri, ndërsa unë kam qenë i pafat.”

Aksidenti i ndodhur në La Mansh, sigurisht që e ka penalizuar shumë Pedrozën, i cili tani, duke patur parasysh edhe pushimet verore, pretendon të rifitojë energjitë.

“Plani im është që të rikuperoj sa më shumë, pasi i kam muskujt jashtë forme, për këtë arsye më duhet të pushoj,” – shkruan piloti spanjoll në faqen e internetit të skuadrës Hondës Repsol.

Më pas nuk mungon edhe një koment i tij rreth botërorit. “Ata janë duke u marrë me punët e tyre, ndërkohë që unë isha i pafat në këtë sezon. Niveli është shumë i lartë, por le të themi që nuk jemi të gjithë në nivelet maksimale. Lorenco ka bërë gabime dhe vetëm Kejzi mund të përfitojë nga kjo situatë,” – përfundon deklaratën e tij, Daniel Pedroza.

 

Në Motegi do të garohet normalisht!

Në Motegi të Japonisë do të garohet normalisht. Nuk pret asnjë replikë dhe koment deklarata zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Dorna, që është edhe organizatorja e kampionatit botëror të motoçiklizmit, vazhdon përpara pa i konsideruar problemet që mund të kenë pilotët.

Në faqen zyrtare të pistës së Motegit, ka filluar shitja e biletave, shenjë kjo që organizatorët janë gati për të zhvilluar garën e planifikuar për datën 30 shtator. Për fat të keq, hotelet dhe qendrat, ku do të qëndrojnë pilotët dhe gazetarët, ndodhen në qyteti Mito, shumë pranë me zonën e centraleve të Fukushimës.

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: