Se shpejti ndryshojnë rregullat për marrjen e lejes së patentes. Ndryshimi i marrjes së patentës do të ndryshojë që nga mënyra e formulimit të pyetjeve të testit dhe më pas ndryshimi më kryesor do të jetë implementimi i patentës me pikë sipas standardeve europiane.

Implementimi i kësaj patente bëhet edhe për shtrëngimin e masave për personat që shkelin rregullat e qarkullimit. Me futjen e patentës me pikë do të ndëshkohen personat që i shkelin rregullat e qarkullimit, për çdo shkelje që do të ketë, personit do t’i ulen pikët dhe do të ketë edhe pezullim të përkohshëm, madje në këto masa do të përshihet edhe heqja e patentës përgjithnjë. Implementimi i patentës me pikë do të fillojë që të aplikohet në muajin qershor të vitit tjetër. Ndërsa në lidhje me procesin e kolaudimit të mjeteve ai ka sqaruar se procesi po shkon normalisht dhe se  Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor merr informacione të vazhdueshme në lidhje me këtë proces.

Interviste me Drejtorin e Drejtorisë së  Shërbimit të Transportit Rrugor, Arbën Pinari.

 -Zoti Pinari, cilat janë ndryshimet e reja  për dhënien e lejeve të qarkullimit rrugor?

-Në drejtim të normave për lejet e drejtimit kohët e fundit ne kemi pasur ndryshimet tona. Këto ndryshime kanë konsistuar më shumë në përmirësimin e rregullave që kemi, natyrisht dhe në implementimin e standardeve të normave të Bashkimit Europian. Konkretisht ndryshimi i këtyre që kemi aktualisht konsiston tek pyetjet e provimit të kursantëve. Ne kemi 856 pyetje dhe çdo pyetje ka nga katër alternative. Pra janë katër nënpyetje. Pra një test ka një numër prej 10 pyetjesh me katër nënpyetje, ku gjithsej bëhen 40 pyetje. Në një testim të bien 10 pyetje dhe numri minimal për të qënë kalues është 30 pikë dhe numri maksimal është 40 pikë, që korrespondon me 25% numër gabimesh. Ne në bashkëpunim me shoqatën kombëtare të autoshkollave kemi pasur kontakte të vazhdueshme, dhe kemi rënë dakord për rishikimin e këtyre testeve dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor kanë bërë përpunimin e të gjithë pyetjeve që ne i kemi në përdorim dhe i kemi arrit në një reduktim prej afro 11 pyetje. Këto pyetje të reduktuara u janë dhënë shoqatës së shkollave dhe brenda muajit korrik do të fusnin variantin e përfunduar. Sipas kontakteve që kemi do të ulen specialistë të dy grupeve dhe do të bëhet çekimi një për një i pyetjeve. Kjo do të bëhet pa cenuar standardet europiane. Në nga problemet është dhe terminologjia e re, sepse shumë terma janë në gjuhë të huaj.

 -Duke u ndalur te çështja e përmirësimit të testeve, ju si drejtori tashmë e keni përfunduar këtë proces dhe e keni dërguar për konsultim në Ministrinë e Transporteve dhe te Shoqata e Autoshkollave, pse lindi nevoja për përmirësim dhe rishikim të testit të marrjes së lejes së drejtimit?

-Testimi për marrjen e lejes së drejtimit pranë nesh zhvillohet që nga muaji nëntor për të gjitha kategoritë e lejeve dhe gjithçka bëhet përmes testeve në kompjuter. Këto teste i kanë të gjithë autoshkollat të instaluara në kompjuterët e tyre dhe gjatë mësimit, natyrisht që u bëjnë kursantëve teste stimuluese për të parë ku është niveli i përgatitjes. Shoqata e Autoshkollave në kërkesën e saj parashtronte reduktimin e disa pyetjeve që kishin përsëritje nga një kategori në tjetrën. Pra, pyetjet që binin në Kategorinë B, përsëriteshin në Kategorinë C, apo edhe CE dhe DE. Pra, shkurtimi i këtyre përsëritjeve të pyetjeve ishte kërkesa e parë. Në teste gjithashtu kishte pyetje që pretendohej se nuk i përkitnin kategorisë ku po kërkohej leja e drejtimit, pra një pyetje e Kategorisë C binte edhe te Kategoria B. Duhej një ndarje sipas kategorive. Kërkesa e tretë që hasej më shumë lidhej sidomos me terminologjinë e pyetjeve. Duke qenë se janë pyetje specifikisht teknike, gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde, pasi krijohet konfuzion te kursantët. Për shembull, në autoshkollë ata hasin fjalën “kambio”, por te testi ynë kjo fjalë është “kutia e shpejtësisë”. Me të marrë kontakt me Shoqatën e Autoshkollave ne filluam të ndërtojmë procedurat e punës për ndryshimin e testit.

 -Kur do të përfundohet ky program?

-Brenda muajit shtator ne do ta kemi përfunduar qoftë rishikimin e pyetjeve, qoftë implementimin në programet kompjuterike, por edhe botimin në libër dhe në faqen e Websajtit. Pra janë mëse transparente.

 -Cilat janë disa nga ndryshimet e tjera që do të ndodhin për marrjen e lejes së drejtimit të mjetit?

-Në muajin dhjetor të vitit që shkoi u bënë disa ndryshime të kodit rrugor të cilat konsistonin jo vetëm në marrjen e masave ndaj shkelësve të qarkullimit, por u futën edhe disa koncepte të reja. Një nga këto është edhe futja e patentës me pikë. Patenta me pikë mund të themi që jemi të vonuar, por është një nga standardet që përdoret nga Bashkimi Europian, dhe nuk është thjesht marrja e masave ndëshkuese ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit, por po fillohet që të shtrëngohen masat ndaj atyre personave që shkelin rregullat e qarkullimit. Patenta me pikë është hapi i parë që qytetari do ta aksesojë vetë faqen e tij nëpërmjet internetit, pra do të jetë një shërbim i hapur. Çdo person do të ketë pasuordin e tij dhe faqen e çdo qytetari do ta kontrollojnë institucionet përkatëse. Qëllimi i këtij ndryshim është që në rast se një qytetar ndëshkohet herë pas here atij do ti reflektohen këto shkelje me uljen e pikëve për çdo shkelje që bëhet. Normalisht që nuk është caktuar akoma se sa do të jetë sasia maksimale e pikëve dhe për çdo lloj shkelje nuk dihet se sa do të jetë numri i pikëve që do të ulen.

 -A do të ketë ndëshkim deri në heqje të patentës për personat që i shkelin rregullat për arsye të caktuara?

-Në kod është e përcaktuar që për rastet ekstreme të aksidenteteve që ka me pasojë jetën e njerëzve, natyrisht ka masa me heqje të përkohshme, por ka dhe masa me heqje të përhershme. Natyrisht për personat që pinë alkool dhe persona të droguar pasojat janë të rënda për shumë njerëz. Por nga ana e policisë së shtetit ka filluar zbatimi në mënyrë rigoroze i këtyre rasteve, sidomos për personat problematik. Shkaku aksidenteve janë të ndryshme, si nga përdorimi i alkoolit, apo edhe nga shkaqe të tjera. Pra ka raste që i hiqet leja e drejtimit dhe personi pas një periudhe tranzitore duhet të fillojë nga e para.

 -Kur do të fillojë implementimi i patentës me pikë?

-Sipas afatit ligjor ajo duhet të hyjë në fuqi brenda tetëmbëdhjetë muajsh. Ligji ka hyrë në fuqi në datë 27.12.2011. dhe brenda muajit qershor që vjen ne duhet të kemi filluar implementimin e këtij vendimi dhe ajo do të zbatohet sepse është afat ligjor dhe do të zbatohet patjetër. Por para se të shkojmë tej implementimi i patentës me pikë ne duhet të bëjmë një sërë gjërash të tjera. Ne sot nuk kemi një regjistër onlinë të drejtuesve të mjeteve. Ne kemi regjistrat e drejtuesve të mjeteve në 13 drejtori rajonale, kemi dhe një unik i cili azhurnohet me  bekape(back up), pra nuk e kemi onlinë dhe të qendërzuar. Në jemi prag të tenderimit të këtij projekti për qendërzimin e të gjithë të dhënave, ngritjen e regjistrit kombëtar të drejtuesve të mjeteve. Me të përfunduar ky qendërzim i cili do të ketë tre module, janë arkivat, janë regjistrat, janë personat që janë pajisur me leje drejtimi, ato që janë në proces për t’u pajisur me leje drejtimi, por janë dhe të gjithë ato që janë pajisur me leje drejtimi që nga viti 2009 kur ka filluar për herë të parë testimi elektronik. Aty pra janë të tëra testet e të tërë qytetarëve që janë pajisur me leje drejtimi. Por ky proces natyrisht që do të kalojë dhe një proces tjetër që është çekimi i të tërë qytetarëve që janë pajisë me leje drejtimi me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Pasi mund të kemi shumë raste që për një germë i ndryshojnë të dhënat qytetarit. Ajo ndodh për gabime njerëzore dhe për një germë ndryshojnë të tëra të dhënat. Natyrisht që duhet të hapen arkiva të tëra për ti kërkuar. Po ashtu ka edhe mjaft persona që kanë ndryshuar mjaft herë emrat.

 -Duke u ndalur pak tek procesi i kolaudimit të makinave mund të na thoni sip o shkon ky proces dhe a ka parregullsi?

-Ashtu sikurse e prekëm më lart regjistri kombëtar i mjeteve motorike është i aksesueshëm nga shumë institucione. Një ndër këta institucione është edhe kompania koncensionare SLS, e cila merret me kryerjen e shërbimit të kolaudimit, ose të kontrollit teknik siç  quhet në gjuhën ligjore. Ne tek detyrat e projektimit që ka pasur informatizimi i regjistrit kombëtar të mjeteve kemi pasur edhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Ky shkëmbim informacioni ka filluar nga sistemi i policisë së Shtetit, dhe nga AMF(Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare). Një qytetar i cili bën herë pas here aksidente ai do të paguajë më shumë. Por më parë personi duhet të paguajë edhe taksat vjetore dhe pastaj ai mund të bëjë kolaudimin. Natyrisht ajo është një kompani e specializuar dhe ne shkëmbejmë informacion çdo ditë se çfarë mjetesh kanë bërë jetë kontroll. Ato na japin informacion se cilat janë mjetet që janë brenda normave dhe cilat nuk janë brenda normave dhe pastaj ato do të shkojnë përsëri për të bërë këtë proces.

 -Duke qenë se jemi në periudhën në të cilën mjaft emigrantë hyjnë në Shqipëri, dhe ka nga ata që duan që mjetin e tyre ta lënë në Shqipëri. Çfarë procedurash duhet të ndjekë një person për ta lënë mjetin e tij në Shqipëri të sjellë nga jashtë?

-Natyrisht ato mund ta lënë. Por unë e ftoj këtë kategori që duhet ta regjistrojnë mjetin e tyre në Shqipëri. Nëse ato nuk duan që ta marrin mjetin më në vendin në të cilin ato punojnë ato patjetër që duhet ta regjistrojnë atë. Pastaj nëse do ta dhurojnë apo do ta mbajnë në pronësi ajo është çështje që do e vendosin vetë. Ato mund ta dhurojnë, apo mund ta lënë për përdorim të afërme të tij në Shqipëri është tjetër çështje pastaj. Në momentin që automjeti nuk ka asnjë pengesë për të qarkulluar edhe jashtë shtetit madje, nëse është me dokumente jo shqiptare ai do të ketë një sërë problemesh.

 -Po në momentin që një emigrant vjen në Shqipëri me mjetin e tij për pushime dhe pastaj do e marri sërish kur të iki a ka ndonjë taks që do të paguajë ky person gjatë kohës së pushimeve që do të rrijë në Shqipëri?

-Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2011 me heqjen e taksës së mjeteve të përdorura ose heqja e doganës. Njëkohësisht u hoq edhe taksa në momentin e shitblerjes së mjetit, ose taksa e tatimit për të ardhurat. Nëse një qytetar shiste mjetin ai për të ardhurat që realizonte ai duhet të paguante një tatim mbi të ardhurat. Pra sot qytetarët janë të lirë të shesin apo të blejnë mjete pa paguar asnjë taksë. Ato do të paguajnë vetëm për tarifat e shërbimit pranë noterëve. Pra ne si shtet nuk marrim asnjë të ardhur, as për shitjet as për blerjet që mund të bëjnë qytetarët. Kjo ka sjellë një reflektim edhe në statistikat tonë. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2011, kemi pasur 902 ndryshime pronësie mjetesh, në gjashtë mujorin e parë të 2012 ne kemi pasi 16 380 ndryshime pronësie, pra afro 15500 ndryshime pronësie, kjo do të thotë që ky treg është liruar, sepse natyrisht qytetarët për të hezituar për të paguar atë taksën për të ardhurat personale ato e shisnin mjetin dhe nuk e regjistronin në emër të atij që e blinte.

 -Çfarë mund të na thoni për procedurën e taksës vjetore, pasi ekzistojnë shumë paqartësi nga lexuesit tanë lidhur me mënyrën e pagesës së kësaj takse?

-Kjo është një paqartësi të cilën   e ndeshim  shpesh  tek shumë qytetarë. Vetë termi “taksë vjetore” do të thotë  që ajo llogaritet si taksë vjetore, ku në ligj thuhet se ajo duhet të paguhet para kontrollit teknik të automjetit. Pra, kemi një datë ose një afat brenda të cilës ajo duhet paguar, sepse lidhet me një procedurë administrative dhe teknike. Por dua të theksoj këtu, që taksa është vjetore dhe jo kalendarike, sepse i tillë është siguracioni dhe jo taksa vjetore. Taksa vjetore paguhet në çdo ditë të vitit dhe paguhet për vitin që qytetari është aktualisht. Nuk ka rëndësi se në cilin nga muajt e vitit është paguar taksa, sepse ajo është e lidhur vetëm me kontrollin teknik, qytetari mund të mos e kryej kontrollin teknik por kjo nuk e përjashton nga taksa vjetore. Pra qytetari mund të jetë shmangur nga mos kryerja e kontrollit teknik por kjo nuk e përjashton nga taksa, pasi taksa nga tatimi këtu ndryshon.  Ka shumë qytetarë që shprehen se nuk e përdorin mjetin e tyre, por kjo nuk ka lidhje me taksën vjetore. Kur paguan taksën merr një pullë, e cila e ka të përcaktuar qartë vitin që bëhet pagesa e saj. Siguracioni i mjetit është kalendarik, ndërsa taksa është vjetore, që do të thotë edhe po të kalojë afati i pagesës, qytetari nuk paguan asnjë gjobë. Nëse flasim për një automjet i cili sapo është regjistruar dhe vjen të paguaj taksën vjetore p.sh në dhjetor të 2011-ës, atëherë ky qytetar paguan vetëm një muaj taksë vjetore, dhe i hiqet detyrimi i muajve të tjerë, sepse mjeti sapo është regjistruar, ai nuk është debitor dhe nuk ka shkel asnjë ligj. Taksa vjetore është e vetmja nga taksat që nuk shoqërohet me gjobë. Pra kjo është paqartësia e shumë qytetareve, ndaj citoj edhe njëherë se nuk ka rëndësi se në çfarë dite e bënë pagesën e saj, por pagesa bëhet për vitin që qytetari paguan taksën vjetore.

 Rregullat për dhënien e patentës

Këto ndryshime kanë konsistuar më shumë në përmirësimin e rregullave që kemi, natyrisht dhe në implementimin e standardeve të normave të Bashkimit Europian. Konkretisht ndryshimi i këtyre që kemi aktualisht konsiston tek pyetjet e provimit të kursantëve. Ne kemi 856 pyetje dhe çdo pyetje ka nga katër alternative

Implementimi i patentës me pikë

Sipas afatit ligjor patenta me pikë duhet të hyjë në fuqi brenda tetëmbëdhjetë muajsh. Ligji ka hyrë në fuqi në datë 27.12.2011. dhe brenda muajit qershor që vjen ne duhet të kemi filluar implementimin e këtij vendimi dhe ajo do të zbatohet sepse është afat ligjor dhe do të zbatohet patjetër.

Heqja e taksës së shitblerjes

Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2011 me heqjen e taksës së mjeteve të përdorura, njëkohësisht u hoq edhe taksa në momentin e shitblerjes së mjetit, ose taksa e tatimit për të ardhurat. Nëse një qytetar shiste mjetin ai për të ardhurat që realizonte ai duhet të paguante një tatim mbi të ardhurat.

Sjellja e mjeteve nga jashtë

Natyrisht ato mund ta lënë. Por unë e ftoj këtë kategori që duhet ta regjistrojnë mjetin e tyre në Shqipëri. Nëse ato nuk duan që ta marrin mjetin më në vendin në të cilin ato punojnë ato patjetër që duhet ta regjistrojnë atë. Pastaj nëse do ta dhurojnë apo do ta mbajnë në pronësi ajo është çështje që do e vendosin vetë

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2013 · Subscribe: RSS Twitter · WordPress Theme designed by Theme Junkie