Pasaportat biometrike, aplikime jashtë vendit për emigrantët

Emigrantët shqiptarë do të mund të aplikojnë për pasaporta biometrike edhe në vendet ku jetojnë e punojnë. Sipas BBC-së, një vendim i fundit i qeverisë shqiptare do të mundësojë këtë proces, duke shmangur ardhjet në Shqipëri dhe sorollatjet nëpër sportelet e aplikimit. Italia dhe Greqia, ku janë dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, mësohet se do të jenë vendet e para ku do të çelen sportelet e aplikimit për pasaporta biometrike.
Në këto vende, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme është edhe numri më i madh i emigrantëve shqiptarë. Ky proces pritet të nisë në muajin tetor. Ende nuk është vendosur një çmim për aplikimin në këto vende për pasaportat biometrike, gjithsesi mendohet që të jetë një shumë që varion tek 100-110 euro, ndërkohë që në Shqipëri ky aplikim bashkë me kartën e identitetit kushton 7 200 lekë të reja. Pasaporta biometrike është dokumenti bazë për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian, pas heqjes së vizave për shqiptarët, proces që pritet të ndodhë gjatë këtij viti. Aplikimi në vendet ku jetojnë është një lehtësi për emigrantët, të cilët këto ditë që janë kthyer për pushime gjenden dhe nëpër dyert e zyrave për aplikime.

Vlorë, radhë të gjata për aplikimin e kartave
Sërish probleme dhe radhë të gjata në ambientet për aplikimin e kartave të identitetit dhe pasaportat biometrike. Ndërsa tashmë janë pesë punonjës nga tre që kryenin këtë funksion dy javë më parë, radhët e gjata mbeten të pranishme. Punonjësit e justifikojnë një gjë të tillë me mungesën e internetit, ndërkohë që problemet në sistem krijojnë radhë të gjata përpara ambienteve në fjalë. Ditët e fundit ka pasur edhe një rritje të numrit të qytetareve që kërkojnë të aplikojnë, çka lidhet edhe me sezonin turistik dhe mbërritjen e emigrantëve nga Italia apo Greqia. Ndërkohë, vetë qytetarët të cilët kërkojnë të aplikojnë pranojnë se një situatë e tillë mbetet e njëjtë për çdo ditë ku radhët janë mjaft të gjata. Ata thonë se veç problemeve në sistem, në mjaft raste nuk respektohen as radhët, madje hyjnë qytetarë të cilët kanë të njohur punonjësit. Qytetarë që presin për të kryer aplikimet, thonë se duhet gjetur padyshim një zgjidhje, ndërsa fakti që në ditët e ardhshme do të ketë më shumë kërkesa, shton problematikat në këto ambiente, të cilat nuk mund të përballojnë fluksin e qytetarëve që kërkojnë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike.

Po e paralizuar ka qenë puna ditët e fundit edhe në zyrat e gjendjes civile. Siç shpjegojnë punonjëset, e dukshme ka qenë prej të premtes së javës së kaluar. Ato pohojnë se ndihen të pafuqishme për të përballuar kërkesat, në kushtet edhe kur ato janë rritur, për të dhënë qytetarëve çertifikatat, sipas tyre është e vështirë lidhja me sistemin online. Shumë qytetarëve dje u është dashur t’u rikthehen radhës për ditën në vijim, pasi ka qenë i pamundur nxjerrja e të dhënave për plotësimin e certifikatave. Pranë zyrave nuk dinë të japin një përgjigje të saktë lidhur me rikthimin e normalitetit, ndërsa kanë sinjalizuar drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile.

Shekulli

Leave a Comment

%d bloggers like this: