PA VIZA: Ku “fluturuan” shqiptarët

Sa ka ndikuar liberalizimi i vizave në ekonominë vendase? Fluksi i udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit është rritur 25%, ndërkohë që agjencitë konfirmojnë rritje minimale të turistëve

 

Kur kanë kaluar rreth 6 muaj nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me vendet “Shengen”, po shihen edhe efektet reale në ekonominë vendase.

Të dhënat zyrtare, por edhe opinionet e operatorëve privatë, marrë nga “Monitor”, konfirmojnë shtim të udhëtimeve drejt vendeve europiane, rritje të destinacioneve nga kompanitë e fluturimeve dhe turistike, si dhe të tregut të sigurimeve.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit (DPK) në 6 muajt e parë të këtij viti kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë rreth 1.8 milionë shqiptarë , rreth 25% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Fluks shumë të madh udhëtarësh vendas ka pasur drejt Greqisë, nga pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, që kanë pësuar shtim përkatësisht prej 11% dhe 52%. Ndërkohë, nga Porti i Durrësit rezulton të kenë udhëtuar drejt Italisë rreth 112 mijë shtetas shqiptarë, afro 20% më shumë se një vit më parë. Duket se pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë zgjedhur rrugët tokësore dhe detare për të vizituar vendet europiane, falë çmimeve më të lira në raport me linjat ajrore.

Fluks në rritje ka pasur pa dyshim edhe i vetmi aeroport ndërkombëtar në vend, ku sipas të dhënave të DPK-së rezulton të kenë udhëtuar jashtë vendit, rreth 220 mijë shqiptarë.

Burimet zyrtare nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës konfirmojnë shtim të numrit të avionëve që janë nisur nga Shqipëria drejt destinacioneve të huaja, me rreth 10%, duke arritur në 4155 nisje gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.

Të gjitha këto të dhëna, konfirmojnë se gjysma e parë e vitit është shfrytëzuar nga mjaft shqiptarë për të udhëtuar jashtë vendit, duke përfituar edhe nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave.

 

TABELA

                                    Janar-maj 2010                      Janar-maj 2011          Ndryshimi %

Pasagjerë (hyrje-dalje)  518,755                                   643,765                       24%

Lëvizjet e avionëve

(Nisjet)            3,765                                       4,155               10.4%

Burimi: Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës            

 

Kreu i kompanisë më të madhe ajrore në vend, Arbi Xhelo, ka konfirmuar se përmes “BelleAir” kanë udhëtuar rreth 25% më shumë individë se në 2010-n, ku rreth 60% e tyre janë persona që kanë udhëtuar drejt familjeve jashtë Shqipërisë dhe që ndodhen në emigracion. “Kjo shtresë përfaqësohet nga adoleshentë dhe pensionistë”, shprehet Xhelo.

Sipas të dhënave të “BelleAir”, vetëm 8% e udhëtarëve kanë pasur si qëllim turizmin, por në treguesin e kompanisë nuk janë përfshirë charter-at.

Agjencitë turistike kanë konfirmuar për “Monitor” se rritja e turistëve ka qenë modeste, pasi të ardhurat e tyre nuk janë më të larta se një vit më parë dhe si pasojë, shumë nuk mund të zgjedhin dot destinacionet europiane, për shkak të çmimeve më të larta që ato kanë kundrejt Turqisë apo Egjiptit.

 

TURIZMI

Agjencitë, rritja modeste

 

Ndryshe nga sa ishte parashikuar, agjencitë turistike nuk janë duke pësuar boom-in e pritur, si pasojë e hapjes së mjaft destinacioneve të reja me Europën.

“Liberalizimi i vizave nuk do të thotë që njerëzit kanë më shumë para dhe të ardhura dhe prandaj ne nuk kemi pasur shtim të prenotimeve krahasuar me një vit më parë”, thotë drejtori i “Union Travel”, Gëzim Hajdini.

Megjithëse agjencitë kanë nxituar të ofrojnë udhëtime “joshëse” drejt Spanjës, rivierës franceze etj., prenotimet nuk kanë shënuar fluks shumë të madh.

Dhe është pikërisht ky efekti pozitiv që ka sjellë liberalizimi i vizave, diversifikimi i ofertave dhe i mundësive për të bërë pushime në vende të ndryshme.

Sipas Hamdi Tafaj të “Albtours”, tashmë shumë agjenci kanë përfshirë destinacione që më parë nuk mund t’i ofronin, duke sjellë kështu spostime të disa klientëve nga udhëtimet tradicionale drejt Turqisë, në disa vende europiane.

“Gjithsesi ky mbetet sërish një numër i vogël”, thotë Tafaj.

Ndërkohë, oferta që bien në sy janë edhe kroçerat, të cilat janë shtuar si pasojë e mundësisë për të lëvizur pa viza në thuajse të gjithë Europën.

“Në fakt, kroçerat kanë pasur interes dhe ne si agjenci kemi pasur 10-20-fishim të klientelës në këto oferta”, thotë Besnik Vathi, i ATHS.

 

Spanja, joshja drejt Palma de Mallorka

 

Ajo që të bie në sy është numri i madh i ofertave drejt Spanjës, që është një nga vendet më joshëse në Europë për të kaluar pushimet verore. Sipas Andi Gorencës, të turit operator, “Vas Tour”, Palma de Mallorka ofrohet tashmë 3 herë në javë dhe përllogaritet se rreth 280 vetë fluturojnë drejt Spanjës çdo javë.

“Në fakt, kemi rritje të numrit të klientëve krahasuar me një vit më parë, falë hapjes së Palma de Mallorka, që u bë e mundur pas liberalizmit. Por niveli i të ardhurave bënë që rritja të mbetet e moderuar”, thotë Gorenca.

Ndërkaq, operatorët e tjerë pohuan për “Monitor” se Spanja mbetet ende një destinacion “i paprekshëm” për shumë klientë, sidomos ata familjarë që kërkojnë pushime më pak aventuriere.

 

Greqia, zgjedhje për fundjavë

 

Një nga ofertat që janë shtuar, është edhe Greqia. Operatorët turistikë kanë paketa të ndryshme për klientët e tyre, duke nisur që nga pushimet 10-ditore për të arritur deri te fundjavat 2-3- ditore.

Ndër vendet që ofrohen nga agjencitë janë Korfuzi, Kalkiriki apo edhe Luca, që ndodhet pranë Prevezës.

“Më shumë destinacionet në Greqi preferohen për fundjavën që zgjat 2-3 ditë dhe jo për pushimet afatgjata”, thotë Gazmir Bardhi i “Sava Tours”.

 

Ende në efektin Turqi

 

Ndonëse operatorët kanë vënë re spostim të disa klientëve drejt vendeve të Europës, të gjithë konfirmojnë se në “top-listën” e destinacioneve mbetet Turqia.

“Ne vazhdojmë të mbetemi nën efektin Turqi dhe kjo ndodh për dy arsye: së pari, sepse tradicionalisht njerëzit vazhdojnë të shkojnë aty ku kanë qenë më parë dhe nga ku kanë mbetur të kënaqur dhe së dyti, Turqia ka një raport të mirë cilësi-çmim”, shpjegon Besnik Vathi, drejtues i ATHS.

Për shkak të çmimeve, Spanja duket ende larg konkurrimit të Turqisë.

“Gjithsesi ka një numër turistësh që të lodhur me destinacionin Turqi ka zgjedhur të provojë vendet europiane, siç janë Italia, Franca, Greqia e Spanja”, thotë Tafaj i “Albtours”.

Gëzim Hajdini i “Union Travel” vë në dukje se një numër individësh kanë zgjedhur të shpenzojnë për të shkuar te të afërmit në Itali apo Greqi dhe për t’i kaluar atje pushimet, duke shmangur në kë të më nyrë agjencitë turistike.

 

SIGURIMET

143% më shumë kontrata

 

Liberalizimi i vizave duket se i ka dhënë spunto edhe tregut të sigurimeve, veçanërisht zërit “Jeta dhe shëndeti në udhëtim”. Kjo është një policë detyruese për t’u paguar nga çdo udhëtar që zgjedh të udhëtojë jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 5 muajt e parë të këtij viti, numri i kontratave të lidhura është rritur 143%, kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, duke arritur nivelin e mbi 16 mijë të tilla.

Kjo shifër konfirmon rritjen e numrit të udhëtimeve jashtë vendit gjatë janar-majit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por gjithsesi, ky zë ka peshë të vogël në tregun total të sigurimeve, për shkak të çmimit të lirë të një police, rreth 5 euro. Jeta dhe shëndeti në udhëtim zë rreth 3.9% të tregut të sigurimeve për 5 muajt e parë të këtij viti, për një total prej rreth 16.5 milionë lekësh.

 

Jeta dhe shëndeti në udhëtim ( JANAR-MAJ)

 

Vlera (000/lek)                       (Ndryshimi në %)      Pjesa e tregut

                        2010                2011                ‘11/`10                         2010                2011

Primet             10,369              16,858            62.59                           3.44                 3.92

Nr. i kontratave 6,717                       16,306             142.76                         25.36               39.85

Burimi: Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare                      

 

 

INTERVISTA/ Flet drejtori i përgjithshëm i “BelleAir”, Arbi Xhelo (VE FOTO TË ARBI XHELO)

 

Rritje 25%

 

A keni vënë re rritje krahasuar me vitet e mëparshme, të fluksit të udhëtarëve pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me vendet “Shengen”?

Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, fluksi i udhëtarëve ka pësuar rritje prej 25%. Rreth 60% e udhëtarëve në grafikun bashkëngjitur përfaqëson shtresën e pasagjerëve që udhëtojnë drejt familjeve të tyre jashtë Shqipërisë dhe që ndodhen në emigracion. Kjo shtresë përfaqësohet nga adoleshentë dhe pensionistë.

 

Cilat janë destinacionet më të preferuara?

Destinacionet e preferuara janë kryesisht Italia dhe Greqia që kryesohen nga Milano dhe Athina, por duhet theksuar interesi gjithnjë e në rritje për linjën Tiranë-Bruksel, që ka filluar operimet në prill 2011 dhe linja Tiranë-Londër, që ka nisur operimet në dhjetor të vitit 2010.

 

Ju keni futur së fundmi edhe dy linja të reja, Barcelonën dhe Parisin. A ka pasur interes për to apo fluks të madh?

Interesi fillestar është i madh, për sa i përket fluksit do të duhet të punojmë më tepër për ta bërë sa më të njohur faktin që këto linja mjaft të preferuara më në fund shërbehen drejtpërdrejt nëpërmjet “BelleAir” nga Tirana.

 

Sa destinacione mbuloni ju aktualisht dhe sa parashikoni të shtoni deri në fund të vitit. Nëse po, çfarë destinacionesh?

24 destinacione shërbehen momentalisht me nisje nga Tirana, me një flotë të përbërë nga 7 avionë të gjeneratave të fundit. Një pjesë e mirë e këtyre destinacioneve kanë frekuenca ditore, ose si Athina që tashmë shërbehet 2 herë në ditë.

 

 

RETAIL

Ruhen shitjet

 

Një nga sektorët që pritej ta ndiente më shumë liberalizimin e vizave dhe mundësinë e lëvizjes së shqiptarëve drejt tregjeve të Bashkimit Europian, ishte padyshim tregtia me pakicë. Sipas operatorëve të tregut, tregtarët e veshjeve kanë konkurrencën më të madhe, sepse në të dyja vendet fqinje, Itali dhe Greqi, periudha e skontove është e ndjeshme.

Dalina Troka, administratore e “Fashion Group” që menaxhon në Shqipëri dyqanet me 10 marka të ndryshme ndërkombëtare veshjesh, thotë se nuk kanë vënë re ndonjë efekt negativ dhe shitjet kanë qenë në të njëjtin trend me atë të një viti më parë, kur nuk kishte hyrë në fuqi liberalizimi i vizave.

“Në fakt, nuk është se këto efekte mund t’i masësh lehtë në tregun tonë. Por ajo që ne kemi vënë re është se veshjet janë konsum dhe është një shtresë e vogël për të cilët ne akoma nuk ofrojmë produkt që bëjnë shpenzime ekstra për të bërë shopping. Udhëtimet e punës dhe turistike kanë qëllime të caktuara dhe kanë qenë në çdo kohë”, shpjegon Troka

 

Por rritet konkurrenca

 

Por një fenomen të ri që duket se ka nxitur liberalizimi i vizave është nisja e tregtisë “me çanta” nga shumë individë. Sot në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, janë shtuar njësitë tregtuese që shesin veshje të markave europiane, të blera në dyqanet në Europë, duke shfrytëzuar periudhën e skontove.

Në Itali dhe Greqi, periudha e uljes së çmimeve është dy herë në vit, dhe uljet janë të mëdha. Edhe sot, njerëzit që kanë pasur mundësi të lëvizin lirisht kanë preferuar që të blejnë veshje të tyre jashtë vendit dhe fakti që tashmë të gjithë do të kenë mundësinë të udhëtojnë, jo të gjithë, por një pjesë e mirë e njerëzve do të blejnë në vitrinat e Italisë, Greqisë apo Gjermanisë dhe jo vetëm për vete, por edhe për biznes.

Dalina Troka e “Fashion Group” e vë në dukje këtë fakt, duke thënë se kjo është në thelb një konkurrencë e pandershme ndaj njësive të licencuara, që kanë të drejtën e shitjes së këtyre markave dhe që paguajnë të gjitha detyrimet fiskale.

“Nëse në 6 muajt e parë të këtij viti kemi pasur të njëjtin trend me 2010-n, pa shënuar rritje, kjo është si pasojë e konkurrencës nga këto dyqane informate”, thotë Troka.

Sipas operatorëve, hapja e kufijve me Europën do të shërbejë në rregullimin e mëtejshëm të tregut të veshjeve në Shqipëri. “Ne nuk shohim ndonjë efekt negativ nga liberalizimi i vizave. Ajo që ndodh, në fakt, ka dy anë: konsumatorët pasi kanë vizituar edhe vitrinat në Europë janë ndërgjegjësuar se çmimet janë njësoj. Njëherësh me këtë është shtuar edhe presioni për tregtarët abuzivë me çmimet dhe cilësinë”, thonë përfaqësuesit e qendrave tregtare.

Drejtuesit e qendrave tregtare kishin konfirmuar për “Monitor” se pas liberalizimit të vizave, padyshim që do të kishte interes të konsumatorëve për të dalë dhe për të bërë shopping jashtë dhe kjo pritej të reflektohet negativisht në muajt e parë të liberalizimit të vizave.

“Ajo që ne presim është rënia e shitjeve në 2-3 muajt e parë. Pasi njerëzit të kenë dalë jashtë dhe të konstatojnë se çmimet janë të njëjtat me ato në njësitë tona tregtuese, sidomos të atyre që janë përfaqësi e markave të njohura ndërkombëtare, do të kthehen sërish që të blejnë këtu”, deklaroi presidenti i QTU-së, Samir Mane, kur hyri në fuqi liberalizimi i vizave.

 

 

KURSI I KËMBIMIT

Jo efekte

 

Liberalizimi i vizave nuk duket të ketë pasur efekte negative në kursin e këmbimit. Sipas Armando Moshos, chief dealer në “Union Bank”, leku nuk duket të ketë pasur efekt negativ nga liberalizimi, kjo sepse lëvizjet e lira të udhëtarëve nuk kërkojnë shuma të mëdha në euro.

“Sado që mjaft individë kanë këmbyer lekë me euro për të udhëtuar më pas në vendet europiane, efekti i tyre në treg është minimal”, thotë Mosho.

Por, ekspertë të kursit valutor, thonë për “Monitor” se ato që po e zhvlerësojnë lekun, në një periudhë ku pritej forcimi i tij, janë bankat greke, të cilat janë duke dërguar vlera të mëdha në euro drejt Greqisë, e cila ndodhet në një nevojë të madhe për likuiditete.

“Nëse nevojitet që kursi të shkojë drejt normalizimit, atëherë duhet ndërhyrë pikërisht në shumat që këto banka çojnë drejt Greqisë”, thotë ekspertët.

Ndërkohë, me gjithë këto efekte, Mosho i “Union Bank” parashikon se euro duhet të bjerë gjatë muajve të verës në nivelin e 137-138 lekë, së paku bazuar në ecurinë grafike të tij.

 

Efektet e liberalizimit

 

POZITIVE

– shtim i numrit të udhëtimeve tokësore, detare dhe të fluturimeve

– shtim i destinacioneve turistike

– rritje e mundësive për tregti për bizneset e vogla

– ulje e çmimit të veshjeve dhe këpucëve

– rritje e kërkesave për karta krediti

 

NEGATIVE

– zhvlerësim i moderuar i lekut

– presion për largim nga puna i punonjësve me paga të ulëta

Leave a Comment

%d bloggers like this: