Orët e Shqipërisë

Muzeu i Parë i Orëve ngrihet mbi ish Dyqanin e Sahtçiut. Specialisti restaurator Sulejman Dashi përfundon objektet për ekspozitën e 11 Sahateve të Shqipërisë, plotësuar me mbishkrime dhe portrete të themeluesve

Gjithkujt i ka rënë rasti ta shohë ndërtesën e vogël e lyer pjesërisht me gëlqere ngjitur me Kullën e Sahatit të Tiranës, në krah të djathtë të hyrjes. Dikur është quajtur Dyqani i Sahatçiut. Tani e tutje do të jetë i pari Muze i Orëve Monumentale të Shqipërisë.

Këto dy muaj, specialistin restaurator Sulejman Dashi e sheh shpesh paraditeve aty, i ulur para tavolinës së drunjtë me presë në dorë “për të ngritur nga themelet” kullat e 11 Sahateve të Shqipërisë. Ai mendon që ta hapë këtë muze me një ekspozitë, ku të prezantohen të gjitha maketet e Sahateve të Shqipërisë, mbishkrimet që janë gjetur në to dhe portretet e njerëzve që i kanë ndërtuar. Sipas specialistit, rëndësia e kësaj ekspozite qëndron në informacionin që do të marrin vizitorët aty.

“Shumë njerëz nuk e dijnë dhe e marrin vesh për herë të parë që qytetet shqiptare, në ndryshim nga të gjitha qendrat urbane të perandorisë osmane, kishin secili nga një kullë sahati”, thotë ai. Për krijimin e maketeve, ai ka përdorur kryesisht karton dhe materiale sintetike, dhe për dizajnimin e jashtëm bojëra uji dhe akrilik.

Megjithëse për disa nuk ka të dhëna të sakta për kohën e saktë të ndërtimit të tyre, ata janë ndërtuar në shek. XVI-XVII kohë e Perandorisë Otomane dhe mbërrijnë deri në shek. XX.
Ndërtoheshin në pikën më të lartë të qytetit dhe afër pazareve dhe xhamive, shërbenin si “rregullator i jetës sociale”. Njerëzit aty mësonin se kur duheshin hapur dyqanet, kur duhet t’i mbyllnin dhe kur duhet të faleshin.

Dashi tregon pak për historinë e tyre. Më e vjetra është “Ora e Shkupit” e ndërtuar në vitin 1555, kurse brenda territorit të Shqipërisë është Sahati i Krujës, që dikur ka qenë këmbanorja e një kishe që u prish dhe pastaj u bë sahat me tinguj.

Ai mendohet të jetë ndërtuar në shek. XVI-XVII. Më vonë u ndërtua ai i Beratit, i cili u prish në vitin 1967 dhe tashmë ky është qyteti i vetëm në Shqipëri që nuk ka një matës ore. Flitej që ai ishte aq i madh sa mund të mbante 16 burra ulur brenda dhe se tingulli i tij dëgjohej kilometra larg.

Ali Pashë Tepelena ndërtoi një në Gjirokastër, një në Libohovë.
Një arkitekturë interesante e stilit rokoko është ai i Shkodrës që vendasit e quajnë Sahati i Inglizit. Një tjetër Sahat ekzistonte në këtë qytet, i ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushatlliu, i cili u zhduk gjatë Luftës së Parë Botërore.

I vetmi dokument që Dashi ka në dorë është një dokument që Mehmet Pasha i dërgonte konsullit venedikas, ku i thoshte: “Ç’u bë me orolozhët që unë kam paguar se për ngritur një Kullë në Kala?” Në Elbasan ekziston sahati i ndërtuar nga Aqif Pashë Elbasani, i vitit 1898. Ky Sahat momentalisht është duke u trajtuar nga Instituti i Monumenteve.

Sahati i kryeqytetit, i rikonstruktuar para pak kohësh, ka një histori të gjatë. Haxhi E’them Beu filloi ta ndërtojë qysh më 1821 por u përfundua më 1836 nga esnafët e Tiranës. Përgjatë Luftës së Parë Botërore, mekanizmi u zhduk dhe më 1928 një komunitet shkodran dhuroi një mekanizëm ore. Më vonë u modifikua në formën që është sot.

Sahatet më të rinj janë ai i Vlorës dhe i Durrësit. I Vlorës është ndërtuar më 1920, me stil bashkëkohor dhe në të janë gdhendur simboli i Skënderbeut, Shqiponjës, Ismail Qemalit. Dashi rrëfen se ka sahate që vazhdojnë me mekanizmin e vjetër, ku penduli shkohej me peshore dhe çdo lëvizje bënte sekondën. Këto ekzistojnë në Gjirokastër, Peqin, Kavajë, Elbasan.

Një aspekt interesant në ekspozitën e Dashit janë mbishkrimet dhe ornamentet që janë gjetur nëpër këto Sahate. Tek ai i Tiranës është gjetur një dragua, kurse në Kavajë gjendet një pllakatë ku është shkruar “marshalla”.

Në Kullën e Sahatit të Elbasanit gjen mbishkrim që flet për “mbretin e botës Abdyl Hamid Khanin, bujar”: “Në hijen e hirit të tij u ngrit ky sahat i hijshëm. Burrat me sedër të Elbasanit patën mirësinë dhe ngjallën këtë kohë, tregues të bukur dhe zemër ledhatues.

Shumë u përpoq, u kujdesua dhe u interesua Aqif Beu. Zoti i dhashtë si shpërblim të gjithë të mirat e kësaj bote. Kur tingëllon, me zërin e tij njofton për bukuri kohën e saktë, nga të katërt anët në mënyrë të përsosur tregon minutat. Meqë zotëron intuitën e vjershëtarit, thuaj, o Refik vitin e ndërtimit të tij “e ndërtuam në fillim të vitit njëmijë e treqind e pesëdhjetë”. Viti 1315 H/1899″.

Shekulli

Leave a Comment

%d bloggers like this: