Operatori i katër mobil në Shqipëri përgatitet për treg

“Plus”, operatori më i ri në tregun shqiptar prezantoi dje në një konferencë për shtyp arritjet e saja të deritanishme dhe planet afatshkurtra për ofrimin e shërbimeve në treg.

Drejtori Ekzekutiv i “Plus”, Moni Buchnik, njoftoi se kompania ka nënshkruar tashmë marrëveshjet tregtare me furnitorët kryesorë të rrjetit, pas procesit tenderues.

Sipas tij, disa kompani shqiptare janë kontraktuar për kryerjen e punimeve të nevojshme për ndërtimin e rrjetit, ndërtimin e stacioneve të “backbone”, stacioneve në terren, stacioneve në godina, ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve elektrike, mirëmbajtjen e rrjetit si dhe shërbimin e sigurisë fizike për rrjetin etj.

“Nokia Siemens” është përzgjedhur si furnizues i “RAN”(Radio Access Network) dhe pajisjeve të “Core Network”. “NEC” është përzgjedhur si furnizues i rrjetit “backbone” dhe linqeve microwareve.  “Comverse” është kompania e përzgjedhur për të ofruar pajisjet “BSS / VAS” (tarifimi dhe shërbimet me vlerë të shtuar).

“Plus” ka përfunduar procesin e kontraktimit për më shumë se 100 stacione bazë dhe është aktualisht në procesin e ndërtimit të 50 stacioneve të tjera.

Mbulimi do të shtrihet në faza, duke filluar nga zona Tiranë-Durrës-Rinas dhe më pas do të shtrihet në qytetet kryesore dhe rrugët kombëtare. Investitorët kanë planifikuar të investojnë rreth 100 milionë euro gjatë dy viteve të para, prej të cilave rreth 35 milionë janë vendosur aktualisht në dispozicion nga ana e investitorëve shqiptarë.

Në këtë mënyrë, Shqipëria në korrik do të ketë operatorin e katërt mobil, në një treg që llogarit 3.3 milionë banorë dhe padyshim q prania e këtij operatori të katërt mobil do të sjellë ulje të tarifave për bisedat mobile, të cilat në tre vitet e fundit janë reduktuar me rreth 20 për qind.

Në fushën e telekomunikacionit, “Plus” do të sjellë si shërbime të reja, teknologjinë 3G për navigimin në internet dhe mbartja e të njëjtit numër nga klienti, edhe në rast të ndryshimit të kompanisë celulare.

Kompania moible “Plus” u formua në qershor 2009 dhe zotëron licencën GSM, pasi fitoi tenderin ndërkombëtar të zhvilluar në janar 2009 për licencen e operatorit të katërt në tregun shqiptar, duke ofruar 7.2 milionë euro.

Leave a Comment

%d bloggers like this: