Ngjarjet e mëdha të 2010, nga dhuna te trukimet

Viti 2010 ka qenë një vit i mbushur me emo cione në futbollin shqiptar, ndonëse ato shpesh kanë ardhur jashtë fushës së lojës. Aktet e dhunës, trukimi në masë i rezultateve, zgjedhjet e Federatës si edhe ndryshimet e shumta në ekipin kombëtar ishin disa nga ngjarjet më të bujshme. Përsa u përket rezultateve, kryesisht 2010-ta e la sportin shqiptar në nivelet e tij mediokre, ndërkohë që edhe futbollistët e larguar për në kampionatet e huaja cilësore, ishin shumë pak. Një tregues së Shqipëria nuk është më eksportuese talentesh apo se shumë lojtarë tashmë parapëlqejnë të luajnë në Superligë, ku kanë një të tashme të garantuar, por pa menduar për të ardhmen.
DINAMO KAMPIONE
Dinamo u shpall kampione e Shqipërisë për vitin 2010. Skuadra e drejtuar nga një strateg si Shkëlqim Muça e dominoi në çdo aspekt kampionatin, duke i mbyllur praktikisht llogaritë që në fundin e fazës së dytë. E megjithatë, emri i saj u njollos në maksimum nga tolerimet masive ndaj kundërshtarëve që kishin nevojë për pikë. Nga një skuadër që fitonte ndaj gjithkujt, Dinamo pësoi 8 humbje në fazën e tretë, duke mos luajtur ndaj askujt dhe shpesh duke hapur portën në mënyrë të shëmtuar. Askush nuk e vinte në diskutim se blutë ishin ekipi më i mirë i kampionatit, por ajo ç’ka ndodhi në javët e fundit ishte reklama më e keqe e futbollit shqiptar. Në këto tolerime nuk qëndroi pas as Besa, ndërsa një rol të madh pati dalja në skenë e një skuadre si Skënderbeu, ku veç biznesmenëve, në të bashkoheshin edhe politikanë të lartë. Ndërkohë, sezoni 2010-2011 nisi me një dominim të Flamurtarit, që arriti të fitonte ndaj skuadrave të mëdha, duke përfshirë triumfin ndaj Dinamos në kryeqytet. Vlonjatët u shpallën kampionë të dimrit, duke marrë 34 pikë në fazën e parë, 3 më shumë se Skënderbeu i Korçës.
DHUNA
Në një futboll si ai shqiptar, aktet e dhunës janë përherë të pranishme. E megjithatë, viti 2010 shënoi disa rekorde. Gjithçka nisi me ndeshjen e famshme Flamurtari-Besa, ku arbitri, i detyruar nga presioni i kryetarit të bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika dhe shefit të klubit Geri Çipi, akordoi dhe më pas anuloi një penallti për skuadrën kavajase. Besa tentoi të linte fushën, por më pas u rikthye. Një akt i rëndë ai i vlonjatëve, që solli më pas edhe masa të forta, duke nisur nga pezullimi 1 vjeçar i shefit të klubit Geri Çipi. Ndërkohë, dy ditë pas asaj sfide, dhuna u ul këmbëkryq në kryeqytet. Derbi TiranaDinamo përfundoi në një përleshje masive në fushën e lojës, ku protagonistët kryesorë ishin kapiteni i bardhebluve Devi Muka, trajneri i kësaj skuadre Alban Tafaj si edhe fantazisti i Dinamos Elis Bakaj. Në fushë hynë edhe tifozë, ndërkohë që FSHF dënoi me tre ndeshje pezullim klubin Tirana dhe me 6 ndeshje kapitenin Devi Muka, përveçse një vit pezullim për Tafajn. Dhuna nuk mungoi as në Ersekë, sidomos në ndeshjen me Skënderbeun. Të lodhur nga padrejtësitë e shumta të arbitrave, tifozët e Gramozit nisën të hidhnin gurë pambarimisht në fushën e lojës, gjë që çoi në ndërprerjen e ndeshjes nga ana e gjyqtarit Taullaraj. Edhe sezoni i ri nisi me akte dhune, madje që në ndeshjen e javës së parë ndërmjet Besës dhe Skënderbeut që u ndërpre para kohe, për shkak të protestës së ashpër të tifozëve kavajas. Ata hodhën në fushë gurë dhe sende të tjera të forta. Po ashtu, në Kategorinë e Dytë ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Takimi mes Memaliajt dhe Butrintit përfundoi me plagosjen e një futbollisti të klubit sarandiot dhe me dhunë ndaj gjyqtarëve, gjë që çoi në përjashtimin për dy vjet të Memaliajt.
KUPAT E EVROPËS
Përsa u përket paraqitjeve të skuadrave shqiptare në Kupat e Evropës, ato edhe këtë vit kanë qenë
në nivele mediokre. Tirana ishte skuadra e vetme që mundi të kalojë një tur, duke eliminuar hungarezët e Zalaegersegit. Por, në turin e dytë bardheblutë u nxorrën jashtë nga holandezët e Utrehtit, pas rezultateve 4-0
në Holandë dhe 1-1 në kryeqytet. Ndërkohë, Dinamo u eliminua nga Sherif Tiraspol, ndërsa Besa nga Olimpiakosi pas dy humbjeve në total 11-0. Disfatë edhe për Laçin, që përballë Dnjepro Mogilev regjistroi një barazim 1-1 në Shqipëri dhe një humbje 7-1 në Bjellorusi.
ZGJEDHJET E FSHF
Një tjetër moment kyç i futbollit për vitin 2010 ishte Asambleja e Federatës së Futbollit, e zhvilluar në Durrës. Përballë këtë herë ishin tre kandidatë shumë të fortë: presidenti në fuqi Armand Duka, kreu i Tiranës Refik Halili dhe ishkapiteni i kombëtares Rudi Vata. Në fund, Duka arriti të triumfonte për një mandat të tretë, duke marrë 49 vota të delegatëve, kundrejt 15 të Halilit dhe 1 të Rudi Vatës. Asambleja ishte ndoshta më e mira e zhvilluar deri tani, teksa në fund kandidatët pranuan rezultatin dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit.
KOMBËTARJA
Megjithë optimizmin, shpesh të tepruar, viti 2010 ishte një vit krejtësisht normal për kombëtaren shqiptare. Në fakt, fitoret ishin të shumta, por në ndeshje miqësore. Kjo bëri që renditja e Shqipërisë në FIFA në muajin nëntor të ishte në vendin e 58-të, një rekord historik ky. Përfaqësuesja kuqezi arriti të fitonte në ndeshje miqësore si ajo me Irlandën e Veriut, Malin e Zi, Andorrën apo Uzbekistanin, të gjitha me rezultatin minimal 1-0. Në takimet zyrtare, Shqipëria e nisi edicionin e Europianit 2012 me një barazim 1-1 në Rumani, ndaj një kundërshtari që në vitin 2007 kishte humbur 6-1. Ndeshja e dytë ishte ajo me Luksemburgun në Tiranë, që solli fitoren e parë, por rezultati nuk ndryshonte nga ai i miqësoreve, pra vetëm 1-0. Heroi i Shqipërisë në këtë sfidë ishte Hamdi Salihi, sulmuesi që gjatë gjithë edicionit ka treguar një formë të jashtëzakonshme. Ndeshja e tretë ishte përballë BosnjeHercegovinës, një nga kundërshtarët më të fortë dhe me emra të mëdhenj në përbërje. Pragsfida ndaj boshnjakëve u bë akoma më e zymtë për shkak të sëmundjes që goditi trajnerin Josip Kuzhe, e megjithatë kombëtarja arriti të merrte një barazim 11. Goli i Ibiseviç u barazua nga ai i Klodian Duros, duke i dhënë një tjetër pikë Shqipërisë. Pas kësaj sfide, erdhi humbja 2-0 në Bjellorusi, që pas mungesave të shumta, ishte e pritshme nga të gjithë. Viti 2010 u mbyll me miqësoren me Maqedoninë në Korçë, që përfundoi në barazim 0-0. Përpos rezultateve në dukje pozitive, ecuria e kombëtares me Josip Kuzhe është e njëjtë me atë të epokës së Ari Han, që në 4 ndeshjet e para kishte arritur gjithashtu 1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje

Leave a Comment

%d bloggers like this: