Nga Shkumbini te Tirana, Magani rrëfen karrierën

Futbgash maganiolli shqiptar ka njohur shumë trajnerë të suksesshëm që kanë arritur të drejtojnë ekipet më të mira të kampionatit tonë. Por më së shumti, emrat që kanë spikatur kanë dalë nga “shkolla” e kryeqytetit, ndërsa kohët e fundit, një fenomen i tillë është shpërndarë edhe në trajnerë që hapat e para të karrierës së tyre i kanë hedhur në ekipet e qyteteve të vogla, por që futbollin e shohin si “fe”. I tillë është edhe rasti i trajnerit aktual të Tiranës, Gugash Magani, i cili e nisi karrierën e tij si trajner te skuadra e vendlindjes, Shkumbinit dhe që këtë sezon, ndodhet në stolin e ekipit më të titulluar në kampionatin shqiptar. Një arritje që ka ardhur falë punës së përkushtuar të tij, ditë pas ditë, tetë vjet pa asnjë ditë pushim në një profesion që ai ushtron me pasion, dëshirë dhe sakrifica. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sport Ekspres”, trajneri Magani tregon gjithë rrugëtimin e tij në këtë profesion, që kulmon me drejtimin e Tiranës.

-Sa të vështirë e kishte Magani të ndahej nga futbolli i luajtur?

-Shumë. Kam luajtur futboll deri në moshën 41-vjeçare. Por nëse e mendoj mirë sot, them se kam gabuar në një farë mënyre që e kam lënë futbollin e luajtur aq vonë.

-Pse?

-Sepse mendoj se futbolli është edhe me moshë. Por dua të shtoj se gjatë gjithë jetës sime si profesionist kam pasur regjim, stërvitje dhe përpikëri në orare. Nuk kam abuzuar kurrë me këto tre elemente.

-Keni menduar ndonjëherë, pas tërheqjes nga futbolli i luajtur dhe të keni thënë: “Stop me futbollin”?

-Kurrë! Këtë e them me shumë sinqeritet. Nuk e kam menduar asnjëherë veten time jashtë futbollit, pasi është pjesë e jetës sime dhe do të merrem me këtë sport dhe profesion gjatë gjithë jetës sime.

-Ç’mendim keni për profesionin e trajnerit këtu në Shqipëri?

-Ka shumë trajnerë të mirë, të talentuar dhe që punojnë me pasion. Gjatë dy viteve të fundit ka ndryshuar edhe këndvështrimi dhe mënyra se si trajtohen trajnerët këtu në Shqipëri. Ky post ka filluar të respektohet më shumë, pasi më parë, trajneri ka qenë profesioni në të cilin personat që e ushtronin atë “flakeshin” në rrugë për arsyet më absurde. Kjo ka qenë shumë e gabuar.

-Në këtë profesion, a duhet të ketë një model tek i cili mund të bazohesh dhe nëse po, për Maganin kush është ky model?

-Ndjekja e ndeshjeve më të rëndësishme të futbollit botëror. Aty mund të kesh mundësi dhe të krijohet hapësira për të studiuar mënyra të ndryshme skemash, veprimesh dhe sjelljesh të ekipeve respektive. Unë jam i atij modeli që trajneri duhet të shkruajë çdo detaj që sheh dhe lexon në lidhje me futbollin. Më pas, me intuitë mund të përshtatësh diçka në seancat stërvitore që realizon.

-Po një model trajneri e ka Magani?

-Jo një model si individ. Nuk më pëlqen të kopjoj dikë. Por nëse do të veçoja cilësi të trajnerëve më të mirë në botë, do të ndërthurja tri cilësi të tre trajnerëve më të suksesshëm të futbollit modern. Intelekti i Guardiolës, karakteri i Murinjos dhe menaxhimi i karaktereve nga ana e Ançelotit. Nëse një trajner do t’i kishte në unision këto tre elementë do të ishte shumë i suksesshëm dhe për mua janë cilësi që mund të bëjnë diferencën.

-Sa e vështirë është për një trajner të menaxhojë karakteret e ndryshme të futbollistëve që ka në përbërje të ekipit?

-Është shumë e vështirë. Nëse do marrim rastin e Tiranës, ku unë dhe jam aktualisht trajner, mund të them se janë djem shumë të mirë dhe që respektojnë detyrat e disiplinën. Megjithatë ka karaktere të ndryshme dhe për këtë duhet një menaxhim objektiv dhe i drejtë. Duhet të merresh me shumë persona duke përdorur variete taktikash komunikimi. Duhet të tregohesh elastik në çdo situatë dhe të tregohesh i prerë në atë veprim që mendon se duhet shmangur nga një lojtar i caktuar. Në këtë punë ka situata që nuk mund të tolerohen. Një trajner për mendimin tim duhet të jetë një demokrat i rreptë dhe të krijojë frymë bashkëpunimi në skuadër. Me imponim nuk arrihet asgjë.

-Ju ka ndodhur ndonjëherë që të keni marrë një vendim të gabuar, në një moment të një sfide?

-Po ka pasur. E thashë edhe më lart, se në këtë profesion duhet të kesh cilësinë dhe aftësinë për të lexuar siç duhet një ndeshje dhe mënyrën se si po luan kundërshtari.

-Si arrihet një gjë e tillë?

-Me eksperiencë. Duke qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me këtë profesion fiton eksperiencën e duhur dhe krijon aftësinë për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur. Nuk mund ta them kurrë, se në fillimet e mia unë mund të bëja një gjë të tillë më mirë se Faruk Sejdini apo Ramadan Shehu. I përmend këto dy emra, sepse kanë qenë të parët trajnerë me të cilët kam punuar dhe i vlerësoj për atë çka i kanë dhënë futbollit shqiptar. Eksperienca e bën një trajner të jetë i sigurt në profesionin e tij.

-Të lexosh mirë lojën e kundërshtarit dhe t’i paraprish me lëvizje në kohën e duhur, e bën një trajner të jetë i suksesshëm?

-Nuk është e thënë që të lexosh siç duhet një ndeshje dhe do të thotë se je trajner i mirë. Jo! Për mua vetëm ky element nuk mjafton. Për mendimin tim dhe ashtu siç e shoh unë këtë profesion janë 5 elementë bazë për të qenë një trajner i mirë.

-Cilët janë sipas jush komponentët që e bëjnë një trajner të arrijë rezultate?

-E përsëris që për mua janë shumë të rëndësishëm. Vetëm se duhet të ndërthuren dhe të interpretohen në unision me njëri-tjetrin. Përvoja ime më ka mësuar se një trajner duhet të ketë konceptet bazë të futbollit, informacion, i cili mund të përthithet nëpërmjet literaturave të ndryshme. Gjithashtu duhet të jetë i vendosur për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur gjatë momenteve të lojës. Kjo krijon edhe ndjenjën e besimit te futbollistët, të cilët shikojnë te një trajner njeriun që i jep zgjidhje situatës së ndeshjes në kohën e duhur. Një element tjetër kryesor për mendimin tim është menaxhimi i lojtarëve dhe grupit nga ana e trajnerit. Një trajner mbi të gjitha duhet të jetë i ndershëm.

-Më e vështirë është të krijosh një grup cilësor lojtarësh apo të fitosh një titull?

-Mendoj se i rëndësishme është fakti që të krijohet grupi. Model i kësaj është Skënderbeu, që ka disa vite me një grup të caktuar lojtarësh dhe që kanë fituar trofe. Ndaj mendoj se më e rëndësishme është të krijosh një skuadër të qëndrueshme dhe jo të fitosh një titull dhe sezonin tjetër të mos jesh më pretendent.

-Te Flamurtari kaluat situata të njëjta si te Tirana, ku sezonin e parë rrezikonit rënien, ndërsa të dytin rivalizuat për titull…

-Si trajner i Flamurtarit kam kaluar shumë momente të veçanta dhe emocione. Në vitin tim të parë, ekipi rrezikonte të binte nga kategoria, ndërsa në sezonin e dytë rivalizuam për titullin kampion, të cilin e humbën në javët e fundit. U largova nga Flamurtari për arsye familjare, pasi ishte shumë larg nga familja ime, djemtë ishin tashmë në një moshë, e cila kërkonte më shumë vëmendje. Dua të falënderoj z. Shpëtim Gjika, i cili më ka mbështetur në punën time dhe më ka kërkuar me insistim të qëndroja te Flamurtari, besim të cilin unë e vlerësoj shumë.

-Po për suksesin te Besa, ku arritët ta ngjisnit në Superligë?

-Pas largimit nga Flamurtari mora drejtimin e Besës, duke zhvilluar një sezon pozitiv në Kategorinë e Parë, sezon që u kurorëzua me ngjitjen në Superligë. Ishte një sukses i merituar i të gjithë skuadrës, e jona si staf teknik dhe e presidentit Bizhdili.

-Ç’mund të na thoni për eksperiencën te Teuta?

-Qëndrova për një vit në krye të bankinës së ekipit durrsak. Edhe te Teuta ishte një eksperiencë e vlefshme dhe ruaj edhe sot relata pozitive me drejtuesit e klubit, pasi edhe z. Hasanbelliu meriton respekt për investimet që ka bërë dhe vazhdon të bëjë në futbollin shqiptar. Sezonin e parë konkurruam për të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Për hir të së vërtetës gjeta një skuadër shumë të mirë. U largova duke e lënë ekipin në vend të dytë në klasifikim…

-Në mos gaboj pas dy humbjeve…

-Po, por mendoj se kur vjen një trajner i huaj është më i privilegjuar se një trajner shqiptar.

-Një taktikë që praktikohet shpesh në futbollin tonë…

-Mendoj se është e gabuar. Jam i bindur se trajnerët e huaj që vijnë në Superligë nuk kanë asgjë më shumë se trajnerët shqiptarë. Kjo pasi në 10 vitet e fundit trajningu në vendin tonë ka marrë një hov zhvillimi për t’u admiruar dhe teknologjia është një element i rëndësishëm që ka bërë të ulen diferencat mes trajnerëve shqiptarë, në krahasim me ata të huaj që vijnë në kampionatin tonë. Edhe kurset që trajnerët shqiptarë kanë zhvilluar për t’u pajisur me licencat e duhura janë kryer me njerëzit më të aftë të Konverçianos. Ndaj nuk shoh ndonjë diferencë të madhe mes të dyja palëve.

-Për të kaluar te Tirana, si e vlerësoni paraqitjen e ekipit deri në këto 12 javë të parë?

-Këtë ecuri dua ta ndaj në dy pjesë: në 6 javët e para dhe 6 të dytat. E kam shprehur edhe më parë se z. Halili, Morina dhe Nuri që kanë bërë investime për këtë skuadër duan të shohin në fushë lojtarët që janë më të paguar, ndaj edhe në fillim të sezonit e kemi nisur kampionatin me 4 sulmues: Bakaj, Ndikumana, Bushiç dhe Morina. Është pozitive që një ekip të luajë me 4 sulmues, por duhet të merret parasysh edhe fakti se a janë gati këta lojtarë të sakrifikojnë për ekipin kur topin e ka kundërshtari? Kjo është shumë e rëndësishme. Në repartin e sulmit kishte disnivel të lartë dhe ne si staf teknik menduam që ta shmangnim këtë fenomen. Në konceptin tim, skuadra duhet të mbrojë dhe të sulmojë si një trup i vetëm. Jemi në rrugën e mbarë.

-Ku ndryshojnë tifozët e Tiranës nga ata të Flamurtari?

-Ai që nuk e njeh ambientin vlonjat dhe flet nga jashtë pa e përjetuar atë realitet mund t’i duket shumë i egër. Mund të them se ndryshimi është shumë i vogël. Të dyja tifozëritë e përjetojnë shumë një ndeshje të skuadrës së tyre. Ndoshta tifozët e Flamurtarit e kërkonin shumë shpejt golin, ndërsa të Tiranës, jo se nuk e kërkojnë që në minutat e para, por kërkojnë edhe lojën e bukur dhe spektakolare. Mendoj se me ardhjen e z. Idrizi te Flamurtari ka ndryshuar disi ky mentalitet. Kjo është shumë e rëndësishme.

-Cili është pengu i Maganit në këto vite si trajner?

-Pengu im ishte titulli kampion, të cilin nuk e kam fituar në momentin kur kam qenë gati për ta fituar. Por asgjë nuk ka përfunduar dhe do ka vend edhe për këtë trofe. Ndoshta me Tiranën do t’i gëzohemi këtij suksesi.

-Po kënaqësia më e madhe që ju ka falur ky profesion?

-Kënaqësia më e madhe është shpëtimi i Tiranës sezonin e kaluar, të cilin e arritëm siç e tash edhe me një “armatë” të fuqishme siç ishte tifozëria bardheblu dhe kryesimi i kampionatit me Flamurtarin për 22 javë rresht.

 

“Drejtimi i Shkumbinit, një vlerësim i madh”

Fillimet e tij si trajner dhe hapat e para në këtë profesion, Gugash Magani i ka hedhur në ekipin e qytetit të tij të lindjes, Shkumbin. Në një skuadër ku ai qëndroi 16 vjet si kapiten dhe duke qenë shembull për gjithë lojtarët pasardhës të skuadrës peqinase. Eksperiencën e tij të parë si trajner, Magani e komenton kështu: “Avantazhi i madh imi në marrjen e postit të trajnerit te Shkumbini ishte fakti se të gjithë në qytetin tim të lindjes më thërrisnin kapiten dhe i gjithë opinioni sportiv ishte “pro” kësaj lëvizjeje, edhe pse unë nuk kisha eksperiencë në këtë profesion. Në fillimet e mia si trajner më ka ndihmuar shumë Astrit Maçi, drejtori i kursit të UEFA PRO,  të cilin e falënderoj për mbështetjen që më ka dhënë. Gjithashtu më ka ndihmuar edhe bashkëpunimi me Faruk Sejdinin, pasi punova 6 muaj në krah të tij si zv.trajner i Shkumbinit. Ishte eksperienca ime e parë në këtë profesion dhe gjithçka ishte shumë më e veçantë, për faktin se e nisa trajningun si profesionist në ekipin tim të lindjes.”, deklaron trajneri Gugash Magani.

 

“Borxhli ndaj bashkëshortes”

Në një profesion si ai i futbollistit ose trajnerit, në një fushë që kërkon gjithnjë impenjim maksimal, sigurisht që edhe mbështetja e familjes dhe njerëzve të afërt, mirëkuptimi dhe ndihma e tyre janë elemente pa të cilët nuk mund të ketë sukses. E në këtë prizëm, i pyetur për këtë fenomen, Gugash Magani shprehet: “Të vetmit njeri në këtë botë që unë dhe djemtë e mi i jemi borxhli është bashkëshortja ime. Është njeriu që kujdeset për çdo detaj. Nuk është e lehtë që çdo ditë kur shkon në stërvitje, çdo fundjavë kur je gati për të zhvilluar ndeshjet e caktuara, një njeri i vetëm të përgatitë të gjitha materialet e nevojshme dhe çantat sportive, për më tepër tri të tilla. Për sa i përket djemve të mi, i kam folur gjithnjë që ata të çajnë vetë në jetë dhe të mos ecin në gjurmët e emrit tim. Ndaj edhe në aspektin profesional i kam lënë të vendosin vetë dhe të jenë të aftë të krijojnë një profil të vetin me punën dhe mundin e tyre. Edhe unë si çdo prind në këtë botë dua që të dëgjoj fjalë të mira për fëmijët e mi dhe të jem krenar për arritjet e tyre në jetë”.

 

Tirana e kthen në goleadë, turi i dytë një formalitet

Bardheblutë fitojnë 6-0 ndaj Bylisit, duke kaluar në turin e tretë ku do të përballen me Apoloninë

 

Tirana-Bylisi 6-0

Shënues: Olaki 12’, Taku 33’, 55’, Ndikumana 47’, El.Bakaj 65’, Halili 80’

Tirana: Ed.Bakaj, Taku, Bulku, Muça, Idrizaj, Kërçiku, Malaj (Curri 46’), Karabeci, Ndikumana (Halili 49’), Olaki, Bushiç (El.Bakaj) Trajner: G. Magani

Bylisi: Kaloshi (Hoxhaj 69’), Kuçi, Bualli, Borakaj, Buzi, Kolgega, Gega (Aliaj 46’), Sako, Çaushaj (Prifti 42’), Mustafaraj, Dervishi Trajner: R. Nenaj

Kartonë të verdhë: Bulku 50’, Idrizaj 91’, Karabeci 92’/ Dervishi 50’, Borakaj 59’, Mustafaraj 82’

Gjyqtarë: O. Ferataj, E. Pashaj, N. Rrapaj (Patos)

 

Një ndeshje pa shumë histori ka qenë ajo e djeshmja mes Tiranës dhe Bylisit, e vlefshme për turin e dytë të Kupës. Në stadiumin “Selman Stërmasi”, bardheblutë fituan me rezultatin e thellë 6-0, sfidën e kthimit ndaj ballshiotëve, ndërsa suksesi në përballjen  e parë i favorizonte ndjeshëm, (1-0) në transfertë.

NDESHJA- Tirana ka në formacion disa prej titullarëve, ndërsa ndeshja që në minutat e para të lë të kuptosh se kush do të ishte fituesi. Kjo pasi bardheblutë kërkojnë me ngulm golin e avantazhit, luajnë të qetë dhe menaxhojnë çdo situatë dhe cep të fushës. Nga ana tjetër, Bylisi, i përqendruar më shumë në kampionat ka pak prej titullarëve në fushë, ndërsa të rinjtë e aktivizuar nga trajneri Nenaj duken në presion. Nga kjo situatë përfiton Olaki që në minutën e 12-të kalon vendasit në avantazh. Në fushë ka vetëm një skuadër, ndërsa Taku dyfishon shifrat në të 33-ën pas një gjuajtje nga jashtë zonës. Me rezultatin 2-0 përfundon pjesa e parë, ndërsa me fillimin e së dytës, trajneri Magani hedh në lojë Currin dhe Elis Bakajn. Ai që do të realizonte golin e tretë për kryeqytetasit ishte Ndikumana, 2 minuta pasi ekipet kishin dalë nga pushimi në fushë. 3-0, por Tirana nuk ndalet. Taku shënon të katërtin për të tijtë dhe të dytin personal në këtë sfidë, ndërsa Elis Bakaj ishte autori i golit të pestë. 10 minuta nga fundi ka vend edhe për një tjetër realizim, këtë herë me anë të Halilit, që vulos fitoren e Tiranës me shifrat 6-0. Bardheblutë kalojnë për më tej, ku në turin e tretë do të kenë përballë Apoloninë, ndërsa Bylisit i mbetet të vazhdojë luftën për ngjitjen në Superligë, objektiv i synuar nga ballshiotët në këtë sezon.

 

Tramezani në stadium, ndjek nga afër ndeshjen

I pranishëm në ndeshjen e djeshme mes Tiranës dhe Bylisit ishte edhe ndihmësi i trajnerit De Biazi, Paolo Tramexani. I ulur në Tribunën Vip të stadiumit “Selman Stërmasi”, zv.trajneri i Kombëtares u duk i vëmendshëm në mbajtjen e shënimeve për lojtarët në fushë…

 

Caktohen tre anëtarët e bordit drejtues

Ditën e djeshme janë caktuar edhe tre anëtarët e bordit drejtues të klubit të Tiranës të cilët do të jenë Valentina Cakuli, Dhurata Tyli dhe Andon Kokoli. Ndryshimet në bordin drejtues janë bërë tashmë pas marrjes së drejtimit të klubit nga ana e Refik Halilit, i cili merr edhe postin e administratorit. Andi Tanku/Sportekspres

Leave a Comment

%d bloggers like this: