Në Peqin, nga Kulla e njohur e Sahatit, kalaja dhe xhamia

Dy objektet e vetme të mbetura ‘lakmitare’ për traditën urbanistike të qytetit janë Kalaja fushore dhe Kulla e Sahatit. Në këtë të fundit, drejtohen sytë e peqinasve të sotëm, të cilët janë krejt të papunë dhe pa ndonjë shpresë të madhe. I gjithë qyteti rrotullohet nëpër kafene dhe në pritjen e ndeshjes së radhës së ‘Shkumbinit’, që është barazi me fe në këtë qytet, të përmendur që në lashtësi…Sot, papunësia dhe gati shumica e familjeve që trajtohen me asistencë janë fytyra e tij në shekullin e XXI. Gjithsesi, kryetari i bashkisë, thotë se nuk i ka ulur armët…

I ndjeri Agim Kumbaro, atë ditë të largët të vitit 1996, kishte një brengë të madhe. I rrethuar nga të afërtit e dashur, po jetonte dekikët e fundit të jetës në tokë. Në atë të mbramin, i drejtoi sytë tek i biri dhe…i kërkoi besimin. Ky i fundit thjesht pohoi. E kuptonte të atin me sy dhe e dinte se në veshët e tij vinte edhe në atë çast tingulli i kumonës së Sahatit të madh të qytetit. Ishte kujdesur për 60 vjet me radhë për të dhe nuk e kishte lënë, që të pushonte asnjëherë. Në kohë lufte apo paqe, zie apo gazmendi. Madje, edhe në këtë çast…

Para një mekanizmi të vjetër mekanik, që vë në veprim orën e madhe të Kullës, do arrijmë pas disa minutash ngjitje në disa shkallë druri të stërvjetra. Janë gati me kënd 60º këmbëzat e shkallës së brendshme të Kullës së Sahatit në Peqin. Ardjani, 50 vjeçar, më bën udhë dhe më thotë të ruhem, ku e vë këmbën. Ngjitja është pak e vështirë për një njeri të zakonshëm, por për Ardjanin, që e bën të paktën njëherë në javë, kjo është bërë një rutinë e domosdoshme. Na udhëheq i pari dhe në kthesat e shkallëve më rrëfen për pjesë të ndryshme ndërtimore të Kullës së famshme…Është i gatshëm por flet me pak fjalë. Ndaj, duhet ta pyes për gjithçka.
Sahati dhe xhamia
Pasi e kemi kthyer disi nga rruga dhe bash në këtë ditë feste, duhet të ndjejë pak bezdi. Gjithsesi, është shumë i sjellshëm dhe vazhdon të më heqë udhë drejt këtij mjedisi në terr të kullës. Jemi njohur, një orë më parë, tek kryetari i Bashkisë, një burrë i ri sportiv, që është treguar i gatshëm për gjithçka. Çuditërisht, më bën çudi që këtij qyteti t’i duhet ora, veç dëshmisë historike! Ora e tij është dëshmitare e një qyteti, që prehet. Prej vetë kohës. Prej pamundësisë së saj. Peqinin e ka lënë mënjanë udha nacionale. E kjo është një kokëvrasjet më të mëdha të sotme Ilir Rrushit, kryetarit të ri të bashkisë. Investitorët premtojnë, por…”Të mendosh që kemi pasur aq traditë në tezgjah, rrobaqepësi..”, tund kokën mjeku i ri, që ka filluar punën e tij duke pastruar, rregulluar që nga fillimi. Kurse, sahati i Peqinit nuk ndryshoi me kalimin e kohës, falë të atit të Ardjanit. Poshtë tij, ditë-nata e njerëzve dhe Peqini vetë, bashkë me xhaminë, që është pjesë e të njëjtit projekt me një model arkitekturor tepër origjinal, lëvizi pa ndryshim drejt kohëve të reja. Nga të paktat raste në arkitekturën ballkanase, ku minarja dhe sahati janë elementë të së njëjtës ndërtesë. E ndërsa qyteti është ndalur, ora, faqet e të cilës shikojnë në katër drejtimet bazike të qytetit, s’ka ngecur kurrë. Jeta po. Plotësisht. Madje, aq sa ora shpesh duket sikur s’është orë, por numëron pamundësinë e një qyteti. Gjithsesi, ora ishte aty e patrazuar edhe në Luftën e Dytë Botërore apo në muajt e tmerrshëm të vitit 1997, si një dëshmitare e pagabueshme. Ardjani ka gjetur madje dhe një nga policët që ka shtirë drejt sahatit në faqen jugore dhe e ka rregulluar fushën e plasaritur, që të funksionojë njësoj. Kemi mbërritur sipër. Shikojmë pa fjalë mekanizmin, që sepse më sjell një aparat të vjetër, që nuk ia gjej dot kuptimin. Pak më vonë, bëj një lidhje me një mekanizëm gjigant ore, që e kam parë në katedralen e madhe gotike në Pragë. Diku afër ishte qela me eshtrat e Leonik Tomeut të famshëm…

Pak histori
Edhe Peqini vetë ka famë dhe gjatë shekujve e ka përshtatur emrin nga Klaudiana drejt këtij të sotmit, që sot nuk të kujton ndonjë gjë të madhe veç qytetarëve të nderuar që ka nxjerrë në vite. Është krijuar si qendër administrative gjatë shekullit të XVI, duke u bërë shpejt një qendër ekonomike dhe një vend qëndrimi i mjaft familjeve të pasura të rajonit. Në vitin 1431, Biklineti i atëhershëm kishte thjesht nëntë shtëpi, që në regjistrimin e hollësishëm të vitit 1528 arritën në 35 shtëpi si timar i garnizonit të Durrësit. Kurse në vitin 1569-1570, Varoshi pranë Kalasë së Peqinit arriti në 217 shtëpi. Më 1670 Evlija Çelebiu e gjeti me 400 shtëpi të ndarë në shtatë lagje, katër xhami, shtatë mesxhide, tre medrese , dy teqe dhe shtatë mejtepe. Çelebiu ia atribuon zhvillimin dhe pasurinë Peqinit faktit se prej andej ishte me origjinë agai i jeniçerëve, Abdurrahim pasha, më vonë guvernator i Egjiptit, Bagdatit dhe Budës, ku edhe vdiq në luftë me trupat kristiane më vitin 1696. Më 1666-67 (1077 Hixhra) ai ndërtoi një xhami të bukur, një medrese një hamam dhe një teqe. Sipas Çelebiut, Peqini kishte dhe xhami të Hariz-Zadesë e ndërtuar në vitin 1665. Xhamia e shkatërruar në vitin 1967, që është rindërtuar tashmë, përbëhej nga portiku, salla e lutjeve, minarja dhe kulla e sahatit në këndin verilindor të sallës …Një element me vlerë në këtë xhami ishte minarja, e çiftëzuar me Kullën e Sahatit. Duhet shënuar siç vëren Kiel, veçantia e ndërtimit të minares në anën e majtë të hyrjes, që ai e gjen edhe ën xhaminë e Faik Pashës në Artë, të ndërtuar pak para vitit 1500, shkruan studiuesi Aleksandër Meksi.

Pëer Peqinin
Ardjani më zhduk nga mendimet dhe nga përpjekja ime e pafatë që të ngjitem edhe më sipër në fushën e orës. Dy merimanga tremben sakaq. Ua prish mrekullinë e tyre ndërtimore, por më tej…Më bëjnë me shenjë të ulem. “Kjo ora ka dy mekanizma: një të orës dhe një të kumonës, që janë në varësi të njëra- tjetrës. Lëvizja e mekanizimit të orës bëhet nga tërheqja e kavove, që i tërheqin gurët poshtë. Kështu bëhet lëvizja e aksit, e cila e lëviz këtë aksin këtu dhe kështu shkon deri te sekondat..Transmetohet dhe shkon te katër fushat”. E pyes pse nuk punojnë orët e Kullave të tjera në qytetet shqiptare. Në Tiranë, s’e kam parë kurrë në rregull, i them. E kanë fajin kryetarët, ma pret shkurt. Ardjani, që kujdeset për orën paguhet 4.800 lek në muaj. Kurse në Kavajë (E ka rregulluar Ardjani) dhe gjetkë mbase trefishin. Është baba i një djali 22 vjeç, i papunë; dhe dy vajzave të shkëlqyera në mësime. Njëra studion në Milano me bursën e vet, më thotë krenar. Pse është kaq varfër qyteti, i them teksa mundohem të shoh poshtë ku varen kavot: “Peqini është i varfër dhe ka qenë që në vaktit se ka qenë vend bujqësor. Ka pasur një-dy kantiere. Unë kam punuar me detyrën që më afroi kryetari me zbukuru në çdo vend. Kena bërë lulishte dhe kudo dhe është ndryshuar. Sipërfaqja është e madhe, por…”. Po banorët, me çfarë merren, i them, paçka se Iliri më ka sqaruar gati në detaje. Nuk e di se ku hanë, shton pas pak. Burri, që ka mbaruar shkollën mekanike në Elbasan ka qenë mashinist dhe tashmë është drejtor i një seksioni të komunales. Ka punuar duke krijuar shumë mjedise. Që gjithsesi, duken pak në morinë e njerëzve që baresin pa kuptim. Njësoj, si në gjithë qytetet shqiptare, është njësoj baritja e burrave nga kafja në kafe. Në letra, thuhet se këtu parashikohej që të kalonte Korridori i Tetë, ashtu si dikur paraardhësve të tyre që u kalonte Egnatia e famshme. Për hir të së vërtetës, këtu poshtë nesh, kalojnë ata që janë pasardhës të shumë patriotëve, intelektualëve të shumë fushave, por larg zulmës së dikurshme. Tashmë, problemi është papunësia. Mbijetesa. Iliri, më ka shpjeguar se po përpiqet që të thërrasë investitorë, por ende pa sukses. Çuditërisht, nuk më duket se i hedh njëri sytë tek Ora ose po më kthehet në opsesion. Burri, vetë, që më shpjegon me durim gjithçka, nuk shikon shumë shpresë. Këtë ndjesi e kam pasur më parë edhe te kryetari i Bashkisë, por ai me vrullin e një njeriu të përkushtuar, beson se nuk i ka hedhur armët, siç kanë bërë shumica në Peqin.

Intermexo kalaja
Në fakt, këtu jeta urbane është e lidhur me imazhin e kalasë. Jo thjesht si një dëshmi historike, që ka shumë vlera dhe krenari për qytetin e Peqinit, por edhe shumë më tepër: Simbol i ekzistencës. E kam parë me Naimin, para pak kohësh, që më ka pohuar se është nipi i Demir Pashës, një patrioti të njohur vendas, që banonte aty dhe territori i saj ishte prona e familjes së tij. Kryetari, një mjek simpatik, që është befasuar nga rastësia, ngaqë ne kemi pasur foton e tij në makinë, ka premtuar ndryshimin, bash dhe atë që ka bërë me qendrën e qytetit. Themelet e kalasë së Peqinit teknikisht i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia” dhe më pas është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit turk. Këta të fundit ia dhanë më pas spahiut të kazasë, i cili ndërtoi një saraj dykatësh dhe një harem. Demir Pasha ishte pronari i fundit që jetoi në kalanë e Peqinit. Këtë fortesë e përmend në shënimet e tij edhe kronikani i shekullit të XVII-të, Çelebiu, i cili thotë: “…muret e kësaj kështjelle shkojnë rreth 12 metra të lartë. Brenda rri dizdari dhe ka 70 ushtarë. Ka 5 topa në këtë kështjellë dhe 10 shtëpi të vogla të mbuluara me tjegulla. Ka gjithashtu një xhami të vogël pa minare. Në të majtë të kështjellës ngjitur me një mur ka një namazgja…” Kalaja ka qenë e pajisur me llagëme (tunele) të nëndheshme që shërbenin si dalje disa kilometra larg qytetit, në kohë të vështira. Një të tillë e kemi ndjekur me sy me Naimin, gati një vit më parë. “E kam ndryshuar dhe do e ndryshoj edhe më tej”, premton kryetari i vetëdijshëm se turizmi kulturor do jetë pasaporta e vërtetë njohëse e qytetit të tij.

Qyteti
…Më Ardjanin kemi mundësi të rrimë dhe pak sepse tani afrohet vërtetë dhe Naimi, që dihat teksa ngjitet në shkallët e larta. Në kokë, mundohem të sjell ecjet e frikshme të ushtrisë romake drejt Genususit (Shkumbinit) dhe rruga që i dërgonte në Apsus (Seman). Çfarë tmerri duhet të ketë qenë për banorët atëherë, që ua përcollën toponimet e panjohura në analet e historisë. Nga 5 janari deri në 12 korrik të vitit të stër-stër-largët 48 para Krishtit, këto vise u fiksuan vërtetë në histori. Jul Çezari që mbështetej në krahë me Mark Antonin u ndesh me trupat e Pompeut. Çezari marshonte që nga Jugu dhe pas zbarkimit në Palasë kishte marrë blic Orikumin dhe Apolloninë. Pompeu vinte nga Kandavia, diku nga territoret e sotme të Maqedonisë…Po, kujt i duhen këto?…Naimi po mrekullohet me mekanizmin dhe bën muhabet teknik me Ardjanin. Mundohem të sjell ndërmend, atë, që pak minuta më parë më kanë thënë Tani dhe Berti dhe që kryetari ma shpjegoi në mënyrë institucionale. Gati shumica e qytetit është në ndihmë ekonomike dhe investitorët janë gjithmonë e më larg, sepse ëndrra për të bërë të afërt qytetin është edhe më e largët. Ilir Rrushi, tepër sportiv dhe mikpritës, më shpjegon se ka bërë një përpjekje të madhe dhe po bën çmos që qyteti i tij të ketë një shikim ndryshe, sepse e meriton, por duket se historia e zhvillimit të sotëm është shumë larg. Është i vetëdijshëm për sfidën. Dy djemtë e rinj, që kanë dy celularë bajagi të mirë, nuk kanë shumë shpresë dhe pas një muhabeti rutinor më shpjegojnë se kanë pak punë?! Duhet të ikin. Në vendin e papunësisë është luks të dëgjosh këtë fjalë, por ndahemi miqësisht. Aty pas kafes, që është përballë bustit të Mustafa Gjinishit, që qëndron pak si i veçuar nga kundruall xhamisë, pothuaj nuk lëviz asgjë… Nuk më ndihnë dot në elementë teknikë për qytetin, derisa ka ardhur Iliri, dhe ku një grup burrash dhe miqsh të tij, më update për historinë dhe të rejat….Vetë Iliri do më tregojë në zyrën e tij një pamje të qytetit dhe sesi ka dalë në dritë pas një pastrimi dhe gërmimi kompleksi i xhamisë me kullën e sahatit, që u dëmtuan kaq shumë në vitin 1967.
Qerimi, si do më thotë se quhet një besimtar, është i prerë se për Peqinin është vështirë dhe qyteti, pastë jetën e gjatë- jeton thjesht falë besimit dhe dashurisë për veten. Por për Ilirin gjërat s’janë të tilla. Po përpiqet me disa investitorë dhe paçka përgjigjeve ende jo inkurajuese mundohet. Flitet për Korridorin tetë, por për qytetin do të mjaftonte dhe më pak, të ndjente se gjërat po lëviznin. Pa asnjë dyshim, në një gjë bashkohen të gjithë: Ekipi i Shkumbinit është gëzimi i vërtetë. Është kënaqësi, gëzim dhe hidhërim, më thotë Iliri. Këtu kujtohem se ora vërtetë hyn në punë: të paktën për të llogaritur kohën drejt ndeshjes tjetër të ekipit. Iliri po punon me kanalizimet dhe është duke përfunduar planin për ujësjellësin e qytetit. Ka punuar në rrugën kryesore…Nuk zbukuron, por si kirurg i mirë e vë gishtin në plagë: I dhimbet mjekësia në qytet, arsimi dhe po me modesti pranon në fund me një metaforë të bukur se të paktën ka hedhur një shtresë pune. Le të bëjnë dhe të tjerët po aq…
Peqini është një qytet që duket shumë sedentar. Kafetë e mbushur me burra dhe kuptohet thashethemet e pafundme. Jeta e lodhur dhe…Dikur në këtë vend u bë stacioni i parë i Trenit për hekurudhën shqiptare dhe qyteti vazhdoi jetën e pandalur të 2 mijë vjetëve, kur këtu kalonte një nga segmentet e Egnatias së famshme. Kjo është thjesht metaforë tani në këtë harresë, që ka pllakosur jetën në këtë vend.

Epilog
Nga sipër Sahatit, i sjell nëpërmend këto dhe shikoj monumentin. Se keni vendosur mirë Mustafain, i them Ardjanit. E kam hapur kaq nën dhè, ma bën me dorë- të qëndrojë i palëvizur. Mustafai i pafatë, njësoj si i ati , u vra në një pusi. Mustafai i gjorë, një anglishtfolës i mrekullueshëm dhe një nga komunistët me vizion më të pastër, pati një jetë tragjike. Zogu e dënoi me varje, ndërsa komunistët anëtarin me teserën 93 e qëlluan nga pas në afërsi të Peshkopisë.
Fillojmë e zbresim. Nuk janë më ato që kemi pasur nga përfytyrimi: kopshtet e bukura, kodrat e veshura me ullinj e gjelbërim si dhe fushat e gjëra pjellore, që Shkumbini i përshkon fund e krye. Janë, në fakt, këto dhe njerëzit, që presin të ndryshojë diçka. Ardjani, i biri i plakut, që u kujdes 60 vjet për sahatin na heq sërish udhë. Zbresim bashkë, por me më shumë siklet ngasa u ngjitëm. Po fillon pak shi. Duhet të ikim. Shikoj, në një pikë ku mund të jenë akrepat. Është dita e parë e dhjetorit. Ka trokitur dimri i fundit i vitit 2009.

Leave a Comment

%d bloggers like this: