NE KERKIM TE NJE PRINC VIDI?

Protesta, dhunë, konflikte politike dhe institucionale, akuza dhe kundërakuza nga më të rëndat e nga të gjitha palët e politikës janë ato çfarë kanë karakterizuar Shqipërinë e kohëve të fundit. Një klimë tensioni e frike ndihet për herë të parë pas ngjarjeve të vitit 1997 në shoqërinë shqiptare. Ku jemi e ku po shkojmë?

 

Është një pyetje që asnjë nuk di se çfarë përgjigje t’i japë. Edhe pse konflikti politik kishte kohë që ishte nxehur shumë, për shkak të mospranimit nga ana e shumicës parlamentare të hapjes së kutive të votimit, pakkush mund të imagjinonte situatën në të cilën përfunduam.

 

Kundërshtimi i zgjedhjeve të kaluara dhe pretendimi i opozitës se janë bërë manipulime është bërë gjithnjë me debate politike  dhe me protesta, për afro dy vjet. Kulmi arriti në grevën e urisë së pranverës së shkuar por që nuk dha asnjë rezultat për të bindur shumicën edhe për faktin, se gjeti mosaprovimin e komunitetit ndërkombëtar.

 

Kur dukej sikur odisesë së kutive po i vinte fundi, publikimi i videos bërë Ilir Metës, i dha edhe njëherë shtysë opozitës të ngrinte zërin dhe të kërkonte dorëheqjen e tij. Gjë që ndodhi edhe pse ndoshta jo në kohën e duhur.

 

E pikërisht kjo kohë e vonuar irritoi më tepër opozitën e cila nuk u mjaftua me këtë dorëheqje, por filloi të kërkonte dorëheqjen e kryeministrit dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.

 

Ajo çfarë bën përshtypje është se për herë të parë dëgjuam përdorimin nga ana e opozitës jo më të termit gjuhësor ‘protestë’, as grevë por të fjalës ‘demonstratë’. Kuptimi i kësaj fjale është i njëjtë me atë të fjalës ‘protestë’, por në gjuhën shqipe ajo është përdorur për organizimet popullore gjatë periudhës së pushtimeve apo regjimeve të para Luftës së Dytë Botërore, duke i dhënë kësaj fjale një konotacion të veçantë, që e lidh më tepër me dhunën për përmbysjen e një regjimi apo një sistemi.

 

Mospërdorimi i këtij termi gjatë njëzetë viteve të fundit dukej sikur kishte mbetur vetëm në librat e historisë. Por u soll sërish në terminologjinë e përditshme. Dhuna që shpërtheu në demonstratën e 21 janarit ishte si kronika e një dhunë të paralajmëruar.

 

Dhuna gjithashtu paralajmëroi një konflikt insitucional. Transportimi i konfliktit nga politika tek institucionet shtetërore, përtej debatit dhe përplasjes së vizioneve apo këndvështrimeve, ishte ajo që nuk urohej të ndodhte.

 

Parlamenti, qeveria, prokuroria, policia, garda e Republikës, Shërbimi Informativ e deri tek Presidenti i vendit po përfshihen në një situatë tepër të koklavitur, ku vetëm një fije e hollë e padukshme dhe shumëllojshmërisht e interpretueshme, ndan çfarë është vepruar drejtë e çfarë jo.

 

Në këtë periudhë pas liberalizimit të vizave dhe kur ne shqiptarët filluam të ndiheshim si pjesëtarë e Europës kjo situatë e krijuar nuk imagjinohej të ndodhte. Ashtu si sot nuk mund të imagjinojmë nëse do të ketë përsëritje të dhunës e një përkeqësim të situatës.

 

E si ka ndodhur edhe herë të tjera gjatë këtyre viteve postkomuniste, ndërkombëtarët filluan serinë maratonë të takimeve me krerët e forcave politike kryesore, me drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Duke ditur se opinioni publik tek ta mbajnë sytë dhe veshët nuk rreshtën së dali nëpër ekrane televizive për të shprehur qëndrimin e tyre.

E kështu secila forcë politike jep versionin e saj, ashtu si çdo media zyrtarisht e pavaruar bën interpretimin e saj.

 

Më i qartë dhe pa dorashka diplomatike ishte ambasadori amerikan i cili bëri të qartë qëndrimin e vendit të tij ndaj turbullirave të shkaktuara në vend e sidomos për atë që nuk duhej të ndodhte më.

 

Më të paqartë janë europianët e Brukselit, të cilët nga i pari tek i fundit japin mendimin e tyre për atë çfarë ndodh në Shqipëri. Nuk ka mbetur më eurodeputet nga çdo cep europe, prej Lituanisë në Portugali pa u shprehur për televizionet tona.

 

Padyshim që ata janë bërë më të njohur tek ne sesa në vetë rajonet e tyre, ku janë votuar për karrigen e Brukselit. Për të mos thënë që këta parlamentarë janë më të emargjinuarit dhe me një influencë të papërfillshme në politikat e shteteve që përfaqsojnë.

 

Megjithatë ne vazhdojmë të thellohemi në konflikte politiko-institucionale, të shtojmë numrin e demonstratave dhe shtrirjen e tyre, të paaftë për të gjetur një gjuhë dialogu, të pafuqishëm për ta mbajtur në kuadrin e një debati politik, qoftë edhe të ashpër.

 

Derisa ndoshta të arrijmë në atë pikë që shteti të humbasë vlerën dhe rolin e tij. E kur shteti të rrënohet do të nisim të ngremë sytë nga perëndimi të na qeverisë.

 

Ashtu si në ’97-ën sollën Vraninckin. Ndoshta një Princ Vid, si në kohën e Luftrave ballkanike, por kësaj herë jo me uniformë perandorake por me kostum e kravatë.

 

Nga Arjan Konomi

No Comments

  1. Arjan says:

    Te ngrihemi ne i gjithe populli e te rezojme kete klase politike e ti dalim zot vendit Se klasa jone politike pozite apo opozite lufton vetem per interesat e tyre te ngushta se nuk ka si shpjegohet qe kane lene Shqiperine ne meshire te fatit.Keta e kane lodhur aq shume popullin sa nderojne dhe kombesine pasi e shohin se skane me cte presin nga shteti e qeveria e tyre kjo eshte e pafaleshme per cilindo e sidomos per ata qe qeverisin tani.Kjo eshte vertet nje tradheti e madhe karshi popullit kombit e vendit tend.

Leave a Comment

%d bloggers like this: