Morati ëndërron të barazojë Berluskonin në Itali

Nëse Interi fiton Superkupën klubi zikaltër do të shkonte në kuotën e 14 trofeve kombëtarë, aq sa kuqezinjtë

Natën e 9 marsit 1908 disidentët e Milanit, që janë bashkuar në restorantin milanez “Ora” për të themeluar një skuadër të re, kanë vendosur: “Do të quhet Internacionale, sepse ne jemi vëllezër të botës”. Interi nuk e ka tradhëtuar asnjëherë këtë slogan, ka pushtuar botën dhe e ka pasuruar historinë e vet më talente të huaj.

Por në pjesën e fundit të kësaj rruge të gjatë i ka përqendruar mundësitë për lavdi mbi të gjitha në Itali, aq sa Superkupa, për të cilën do të luhet nesër në Pekin, do t’i ofrojë Interit të Masimo Moratit rastin për të barazuar Milanin e Silvio Berluskonit në kuotën e 14 trofeve kombëtarë. Një arritje që nuk do të përmbyste historinë e futbollit, por që i shton sfidës diçka më shumë.

Botë të ndryshme – Në Pekin do të përballen dy ideologji futbollistike rrënjësisht të ndryshme. Milani i Berluskonit ka lindur pa kufinj që nga premtimi i parë i presidentit, që i ka grumbulluar lojtarët e tij në një kështjellë dhe u ka kërkuar atyre të pushtonin botën.

Shumë njerëz kanë qenë dyshues dhe disa kanë qeshur, sepse “Djalli” jo shumë vite më parë kishte rënë në ferrin e Serisë B. Por Milani i Sakit, në pak kohë, e ka realizuar në mënyrë të lavdishme misionin e Berluskonit. Midis kampionatit të vetëm të fituar nga Arrigo (’88) dhe të parit të Kapelos (’92) kanë ardhur 2 Kupa të Kampioneve, 2 Interkontinentale dhe 2 Superkupa të Europës.

Skuadra e një perandorie mediatike dhe e një politikani të ardhshëm, për të shitur “mallin” e saj në tv dhe për të marrë pëlqimin e popullit, duhej domosdoshmërisht të ishte spektakolare dhe të synonte suksesin ndërkombëtar. Kampionati është shikuar gjithmonë si një kalim i mërzitshëm burokratik për t’u kualifikuar në kompeticionet e rëndësishme.

Nuk është një rastësi që midis një titulli në Serinë A dhe tjetrit të kenë kaluar 7 vite (2004-11). Milani berluskonian nuk i pëlqen shumë mbasditet e Serisë A, por netët e kupës. Kur shkon në gjumë, ëndërron trofetë europianë.

Tituj –  Krenaria e Berluskonit është se e ka bërë Milanin klubin më të titulluar në botë: 18 trofe ndërkombëtarë, sa Boka Zhuniors. Silvio nuk harron kurrë se ka arritur në kuotën e 13 titujve: 5 kupa kampionesh, 5 superkupa të Europës, 3 botërorë për klube.

Ndoshta nuk e di me saktësi se sa trofe italianë ka fituar dhe ka shumë mundësi që do të kishte hequr dorë me dëshirë nga kupa e vetme e Italisë (2003)… Nuk është një rastësi që Milani e ka marrë më shumë seriozisht Superkupën e Italisë, që për shkak të takimit direkt është, midis trofeve italianë, ai që të kujton më shumë një kupë europiane.

Krenaria e Interit – Ndërsa, Interi i Moratit, kupa të Italisë ka fituar 4. Dhe nuk ka turp për këtë, përkundrazi, është shumë i lidhur me kupën e fituar në 2005-ën, sepse ai trofe i ngritur në qiell nga Mançini i ka hapur rrugën vesit të fitoreve, ka qenë fillimi i dominimit pesëvjeçar në Serinë A (një në tavolinë) dhe ka hedhur bazat për “tripletën”.

Pikërisht përplasja me Juventusin pas “Calciopoli”-t, mbizotërimi në Itali, i ka dhënë Interit një kënaqësi që Milani i Berluskonit nuk e njeh. Edhe për këtë, barazimi i mundshëm i 14 trofeve kombëtarë me Milanin berluskonian, për Interin moratian, që është bërë pjesë e botës së futbollit rreth dhjetë vite më vonë (1986-1995), është një arritje më pak banale nga sa duket.

 

 

Përballja

 

 

Silvio Berluskoni 74 vjeç

Milan

 

Masimo Morati 66 vjeç

Inter                           

                       

 

Vitet e presidencës

25 me 16

Trofetë kombëtarë

14 me 13

Titujt

8 me 5

Kupë Italie

1 me 4

Superkupa italiane

5-4

 

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: