Miqesorja Shqiperi Maqedoni

Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka publikuar listën me futbollistët e grumbulluar për miqësoren e 17 nëntorit kundër Maqedonisë. Pas portierit Isli Hidi, drejtuesi i stolit kuqezi ka vendosur të lejë jashtë skuadrës edhe sulmuesin Edmond Kapllani dhe mbrojtësin Elvin Beqiri. I pari ka mbajtur gjithmonë statusin e “alternativës” në repartin ofensiv, pas Bogdanit dhe Salihit, ndërsa për mbrojtësin bëhet fjalë për një tjetër “mënjanim”, pas rikthimit në skuadër për ndeshjet kualifikuese me Bosnjën dhe Bjellorusinë. Ndërkohë është konfirmuar edhe mungesa e Erjon Bogdanit: lojtari i Çezenës ka preferuar të mos jetë prezent në ndeshjen e fundit të Shqipërisë për vitin 2010, duke konfirmuar se ndihet mjaft i lodhur nga ngarkesa e këtyre muajve. Në takimin që do të luhet të mërkurën, në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, mungojnë gjithashtu edhe portieri Arjan Beqaj dhe mbrojtësi Debatik Curri, të cilët janë të dëmtuar.

Në këtë miqësore spikatin afrimet e portierit të Skënderbeut, Orges Shehi, dhe mesfushorit të Kievos në Serinë A, Ledian Memushaj. “Gardiani” durrsak, i cili është një prej më të mirëve në Kategorinë Superiore në rolin e tij, ka shansin të debutojë në përfaqësuese në moshën 33-vjeçare. Ndërkohë, Memushaj, i cili është vetëm 23 vjeç, cilësohet si një alternativë mjaft e mirë për të rritur cilësinë në mesin e fushës, ku skuadra ka pasur mjaft probleme me mungesat dhe formën e lojtarëve. Bie në sy edhe rikthimi në përfaqësuese i Altin Lalës. Kapiteni është i gatshëm që të luajë me përfaqësuesen pas tetë muajsh mungesë, ndërsa ai duket plotësisht i rikuperuar pas dëmtimit. Mesfushori i Hanoverit ishte grumbulluar edhe për dy ndeshjet e fundit eliminatore kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe Bjellorusisë, me shpresën se do të ishte në gjendje të luante në takimin e dytë në Minsk, por u detyrua të dorëzohej, pasi ende nuk ishte në gjendje të jepte kontributin e tij. Në radhët e kuqezinjve kthehet edhe sulmuesi i Vorskla Poltavës, Ahmed Januzi. Ish-lojtari i Kombëtares U-21 ka qenë rregullisht i grumbulluar nga trajneri Josip Kuzhe në miqësoret përpara startit të kualifikueseve të Euro 2012, por edhe në dy ndeshjet e para të Grupit D me Rumaninë dhe Luksemburgun, megjithatë atij nuk iu dha asnjëherë mundësia për të debutuar në përfaqësuesen “A”. Duke qenë se së bashku me Salihin, Januzi është sulmuesi i vetëm i pastër kundër Maqedonisë, kjo ndeshje pritet të jetë shansi më i mirë për 22-vjeçarin. Pjesa tjetër e boshtit të Kombëtares, Cana, Skela, Dallku, Duro, Vangjeli e Agolli janë në dispozicion të trajnerit. Kuqezinjtë i nisin përgatitjet të dielën, ndërsa skuadra do të grumbullohet në Pogradec.

Leave a Comment

%d bloggers like this: