Midis Realit dhe Barçës nuk ka favorit

Pas sfidave në kampionat dhe kupë, Reali dhe Barcelona nisin përballjen 180 minutëshe në Ligën e Kampioneve

Hoze Mourinjo është gati t’i shkaktojë një tjetër zhgënjim Barcelonës në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, këtë herë në drejtim të Realit të Madridit. Eleminimi i Barcelonës nga kompeticioni më i rëndësishëm europian për klube pas fitores së Kupës së Mbretit kundër tyre javën e kaluar mund të jetë sinjali për fundin e mbretërimit të katalanasve në futbollin spanjoll dhe rikthimin e madrilenëve në fron.

Trajneri portugez ka arritur gjithmonë të vërë në vështirësi Barcelonën, klubi ku ai është formuar si trajner si ndihmës i Bobi Robsonit në vitet ‘90-të, dhe ka drejtuar Interin drejt kualifikimit në finalen e vitit të kaluar në dëm të katalanasve, duke fituar edhe trofeun e Ligës së Kampioneve kundër Bajernit të Mynihut.

Mourinjo është përballur tri herë të tjera me Barcelonën në kohën kur drejtonte Çelsin, duke i eliminuar dy herë pas fazës me grupe. Aftësia e tij për të gjetur pikët e dobëta të katalansve nuk njeh kufij dhe aktualisht ai është në avanatazh në serinë e paprecedentë të katër përballjeve brenda 18 ditësh midis dy klubeve më të pasura të botës.

Një barazim 1-1 në kampionat, me Realin që ka barazuar me dhjetë lojtarë më 16 prill, është pasuar nga fitorja e marrë të mërkurën e kaluar në kohën shtesë në finalen e Kupës së Mbretit. Ky ka qenë dhe trofeu i parë i fituar nga Mourinjo si trajner i Realit.

Titulli në kampionat është siguruar tashmë nga Barcelona, por objektivi për të fituar trofeun e dhjetë në Ligën e Kampioneve është akoma brenda mundësive të Realit, dhe Mourinjo do të bëhej tekniku i parë që do ta fitonte tri herë këtë trofe me tri skuadra të ndryshme.

Mbrojtësi i Barcelonës Xherard Pike nuk ka pranuar të përfshihet në polemikat që kanë shoqëruar dy përballjet e kaluara me madrilenët, në lidhje me arbitrimin dhe gjatësinë e barit në “Bernabeu”. “Bari është i gjatë, por nuk kam ndërmend të ankohem për këtë”, ka thënë ai.

“Eshtë normale që ata të marrin masa dhe të përpiqen të pengojnë lojën tonë që bazohet te qarkullimi i topit. Mourinjo do të përdorte gjithçka që është e mundur. Ata janë një skuadër e fortë me sulmues shumë të mirë”, ka shtuar Pike.

Thyerja e rekordit të trajnerit Pep Guardiola prej pesë fitoresh të njëpasnjëshme në “El Clasico”, duke përfshirë edhe fitoren turpëruese 5-0 kundër skuadrës së Mourinjos në “Nou Kamp” në nëntor, dhe fitorja e Kupës së Mbretit e ka prishur imazhin e katalanasve si një skuadër e pathyeshme.

Reali ka treguar se mund të jetë në të njëjtin nivel me rivalët duke përdorur taktika agresive, që nuk janë pëlqyer shumë, me Realin që e ka mbyllur ndeshjen me dhjetë lojtarë në tre takimet e fundit. Dy klubet kanë shënuar numrin më të madh të golave (24 secili) në Champions, por në dy ndeshjet e fundit midis tyre golat kanë munguar, ndërsa është shtuar tensioni.

Mourinjo ka aktivizuar në mesfushë tre shkatërrues, duke bllokuar lojën e shpejtë të mesfushorëve të Barçës. Dëmtimi i Khedirës do të thotë se Lasana Diarra do të marrë vendin e tij në mesfushë. Në mbrojtje do të mungojë Karvaljo, i cili është i skualifikuar.

Barça nuk do të ketë në dispozicion Erik Abidal, Adriano Korreia dhe Maksuell dhe Karles Pujol mund të aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Maskerano mund të luajë sërish në mbrojtje.

Çdo ndryshim në skemën 4-3-3 të Barcelonës do të shikohet si një pranim i faktit se Reali e ka gjetur mënyrën për t’u përballur me tre magjistarët e Guardiolës Ksavi, Injesta dhe Mesi.

Bernd Shuster:

“Përballë, dy klubet më të mira të Europës”
Bernd Shuster beson se Reali i Madridit ose Barcelona do të fitojnë Ligën e Kampioneve këtë vit pasi i ka cilësuar këto dy ekipe si më të mirat në Europë. Ish-trajneri i Realit, i cili ka luajtur për madrilenët dhe për Barcelonën si mesfushor gjatë viteve 1980-të ka folur në prag të përballjes europiane, që do të zhvillohet sonte në “Bernabeu”.

Shalke ose Mançester Junajtid do të përballet me një prej dy gjigandëve spanjollë në finale, por Shuster nuk beson se dominimi i spanjollëve në Europë mund të thyhet. “Në këtë moment asnjë klub tjetër nuk mund të krahasohet me Realin ose Barcelonën sepse këto janë dy klubet më të mira në Europë”, ka thënë 51-vjeçari.

Në lidhje me ndeshjen e sotme ai ka thënë: “Do të ketë tension dhe intesitet të madh, pasi Liga e Kampioneve është titulli më i rëndësishëm”. Shuster ka shpjeguar pse Pep Guardiola ka ngritur pikëpyetje në lidhje me arbitrin para ndeshjes me Realin dhe beson se kjo ka ardhur sepse gjërat nuk kanë shkuar siç mendohej.

“Ata ishin mësuar të fitonin gjithçka në vitet e fundit, dhe tani kanë humbur Kupën e Mbretit që është një trofe i rëndësishëm. Gjërat kanë ndryshuar”, ka thënë Shuster.

Zubizarreta:

“Midis Realit dhe Barçës nuk ka favorit”
Drejtori sportiv i Barcelonës Andoni Zubizarreta ka thënë se skuadra e tij është gati të tregojë vlerat e saj kundër Realit të Madridit në gjysmëfinalen e parë të Championsit që do të luhet sonte në “Bernabeu”.

Të gjithë presin që Barcelona të hakmerret për humbjen 1-0 në finalen e Kupës së Mbretit. Dhe ndërsa të gjithë në Barcelonë janë të sigurtë për këtë, Zubizarreta ka thënë se diferencat midis dy skuadrave janë kryesisht stilistike. “Eshtë shumë e rëndësishme për ne të shënojmë në “Bernabeu”.

Të dy skuadrat e njohin shumë mirë njëra-tjetrën dhe në ndeshjet e fundit diferencat kanë qenë të vogla”, ka thënë ai. “Këto janë ndeshjet që mund të vendosen nga gjëra të vogla, por ne do të shkojmë atje me synimin për të sulmuar dhe për të shënuar gola. Do të bëjmë atë që dimë”.

I pyetur se cila skuadrë ishte favorite, ish-portieri i katalanasve ka thënë: “Kur Reali dhe Barcelona luajnë nuk ka favorit. Eshtë një gjysmëfinale e Championsit dhe në këto ndeshje nuk do të ketë kurrë favoritë. Të dy ekipet kanë lojtarë të mëdhenj. Sfida mund të vendoset nga episodet ose taktikat”.

ndeshjen mund ta shikoni live ketu

www.atdhe.al

Leave a Comment

%d bloggers like this: