Më të çuditshmet e Wikileaks

1. Presidenti pakistanez
“i ndyrë, por i parrezikshëm”
Ky ka qenë, sipas mesazheve të Wikileaks, komenti i princit të Kurorës të Abu Dabit, ndaj presidentit të Pakistanit Zardari. “Ai është i ndyrë, por i parrezikshëm, kurse rivali i tij, ish-kryeministri Navaz Sharif, është i rrezikshëm, por jo i ndyrë”, citohet princi nga Emiratet në tesktin e ambasadës amerikane në atë vend.

2. Ëndrra e keqe e Obamës
Pakistani është, sipas një citimi nga njëri prej mesazheve të Wikileaks. “Ai e përshkruan Pakistanin si ëndrrën e tij të keqe private, duke u shprehur se bota do të ngrihet një mëngjes e do të shohë se gjithçka ka ndryshuar, pas marrjes së këtij vendi nga islamikët”, citohet të ketë thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë.

3. Sara Palin: Ky, dështimi i Obamës
Kështu e ka akuzuar presidentin amerikan ish-kandidatja presidenciale republikane Sara Palin. “Pse Asange nuk ndiqet njëlloj si grupet terroriste, si Al kaeda dhe talebanët”, ka pyetur zonja e hekurt e të djathtës, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë duhej të kishte reaguar që në verë, kur dolën lajmet e para për rrjedhjen e këtij dokumentacioni.

4. Dasma me kallashnikov të florinjtë në brez
Kështu kërceu, sipas diplomatit më të njohur amerikan Uiliam Burns, presidenti çeçen Ramzan Kadirov, në një dasmë ku kishte asistuar edhe diplomati amerikan. Sipas tij, i zoti i dasmës, i shoqëruar nga presidenti dhe disa djem e vajza të mitur, kryenin lëvizje që ngjanin herë si ushtrime gjimnastike e herë si vallëzim. Në brez presidenti mbante, edhe gjatë kërcimit, kallashnikovin e tij të larë në flori.

5. Mbreti saudit dhe bluetooth-i
Në një mesazh kurioz, mbreti i Arabisë Saudite Abdullah bin Abdul Aziz i thotë ambasadorit amerikan në Riad, se ka menduar që t’u vendosë terroristëve aparatura të cilat do të tregojnë vendndodhjen e tyre dhe që lidhen me sistemin e bluetooth. “Është bërë me kuajt dhe fajkojtë dhe ka funksionuar”, e ka siguruar mbreti ambasadorin amerikan, i cili ka mbetur i shtangur nga propozimi i habitshëm.
Kurse duke folur për kuajt, ai i tha diplomatit amerikan se i do shumë ata. “Shkoj të shoh kuajt e mi dhe atëhere fle shumë i qetë”, ka thënë mbreti. Më në fund, në një mesazh ku monarku saudit flet për kryeministrin iraken Maliki, ai citohet të ketë thënë se “nuk e besoj këtë njeri, ai është agjent i iranianëve. Si mund ta takoj një njeri që s’e besoj? Ai u ka hapur derën iranianëve”.

6. “Trafikoni uiski, me kusht që të jetë cilësor”
Kjo frazë duhet të ketë dalë nga goja e President Ali Abdullah Saleh, padroni i fortë i Jemenit, dhe destinacioni ka qenë gjenerali David Petreus, shefi i trupave amerikane në Irak. Presidenti i ka treguar gjeneralit se së fundi qeveria e tij ka kapur disa kontenierë me uiski që vinin nga Xhibuti fqinjë. “Thuaju atyre, ka thënë presidenti, që unë s’e çaj kokën nëse trafikojnë uiski, me kusht që të jetë cilësor. Vetëm armë e drogë s’du në tokën time”, është shprehur Saleh.

7. “Unë s’i mbaj këtu këta njerëz”
Ministri i brendshëm i Kuvajtit Shaykh Jaber al-Khalid Al Sabah është një njeri që flet hapur. Ai është shprehur kështu, kur amerikanët i kanë kërkuar vendit të tij që të pranojnë disa të burgosur të Guantanamos.
“Ne nuk jemi Arabia Saudite, që ndërton kampe në shkretëtirë për të mbajtur këta njerëz. Më mirë dërgojini në Afganistan dhe hidhini diku në mes të luftës”, ka thënë ministri.

8. Arratisja majë kalit
Një fat i çuditshëm i ka takuar shtetasit amerikan Hossein Ghanbarzadeh Vahedi, që kishte shkuar në Iran për të parë të afërmit e tij. Një mesazh i Wikileaks, i konsullatës amerikane në Ankara tregon se pasi ka hyrë atje, atij i kanë marrë pasaportën dhe i kanë kërkuar të paguajë një gjobë prej 150 mijë USD, nëse donte të ikte sërish në Amerikë. Pas shtatë muajsh qëndrimi në Iran, ai ka mundur të ikë nga kufiri turko-iranian, duke paguar 7500 USD, në një udhëtim rraskapitës përmes malesh, në kurrizin e një kafshe. Amerikano-iraniani ka marrë ndihmën mjekësore nga ambasada amerikane, pasi ka paraqitur shenja të një lodhjeje të dukshme.

9.”Amerikanët s’marrin vesh nga gjeografia”
Princi britanik Andrea, Dukë i Jorkut, citohet në një mesazh që me siguri e ka bezdisur mjaft familjen mbretërore britanike. Gjatë një vizite në Kirgistan, Princi Andrea është shprehur se “amerikanët nuk marrin erë nga gjeografia. Në Britani ne kemi mësuesit më të mirë në botë në gjeografi”. Kurse duke folur për të ardhmen, ai ka thënë se “qeverita tona budallaqe në SHBA dhe Britani, mezi arrijnë t’i planifikojnë gjërat për dhjetë vjetët e ardhshëm, ndërkohë që njerëzit duhet t’i bënin planet e tyre për njëqind vjetët e ardhshëm”. Revista Shqiptari

Leave a Comment

%d bloggers like this: