Me syrin e zemrës emision ne Ora News

“Me syrin e zemrës” është cikli i emisioneve që Komuniteti Mysliman po zhvillon çdo natë në Radio-televizionin “Ora News”. Siç është njoftuar edhe më herët në këtë cikёl emisionesh ёshtё planifikuar tё trajtohen biseda të ndryshme me karakter fetar dhe social, të cilat kanë si qëllim të promovojnë të vërtetat e Islamit, si një fe që trajton dhe përfshin jetën e njeriut në të gjitha aspektet.

Natën e parë në studio kanë qenë të ftuar dy personalitetet më të larta të Islamit në Shqipëri dhe Kosovë, përkatësisht H. Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Mr. Naim ef. Tërnava, Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës. Për gati 40 minuta dy liderët fetarë kanë folur për rëndësinë dhe vlerat e mëdha të Ramazanit dhe mënyrën se si ai pritet nga shqiptarët myslimanë në të gjitha trojet shqipfolëse. Mes të tjerash të dy personalitetet kanë sjellë detaje nga jeta e Ramazanit ndër vite, i cili për myslimanët përbën një ngjarje të shënuar ku ata garojnë me njëri-tjetrin për të arritur përkorjen morale e shpirtërore. Sipas tyre, Ramazani për myslimanët konsiderohet si një kohë aksioni e veprimi ku ata korrigjojnë vetveten dhe përmirësojnë raportet me të tjerët dhe Krijuesin e tyre. Në vështrimin e dy liderëve myslimanë, Ramazani në trojet shqiptare ka një dimension ndryshe. Kjo pasi në këtë muaj myslimanët respektohen dhe nderohen nga bashkëqytetarët e tyre të përkatësive të ndryshme fetare për këtë sakrificë njëmujore. Shumë prej tyre madje bëhen pjesë e këtij adhurimi të vjetër duke manifestuar ndjenjën e respektit dhe reciprocitetit ndaj myslimanëve.

Në fund, H. Selim Muça dhe Mr. Naim Tërnava kanë uruar shqiptarët kudo që ndodhen për kalimin sa më të mbarë të këtij muaji të begatë dhe për ditë më të mira për shqiptarët dhe familjet e tyre.

Në natën e dytë të ftuarit e moderatorit z. Ramadan Çipuri kanë qenë dy nënkryetarët e Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu dhe z. Gazmend Aga. Në pikëpamje teologjike ata kanë trajtuar e shpjeguar me qartësi vlerat dhe rëndësinë e Ramazanit, këtij muaji të madh, të cilin Zoti e zgjodhi për shpalljen e tij Hyjnore dhe për dërgimin e Profetit Muhamed (a.s.) si udhëzues e orientues për njeriun. Po ashtu të dy titullarët e KMSH-së kanë diskuar në një bashkëbisedim të frytshëm për dobitë e shumta që përmban agjërimi dhe vlerat e tij të padiskutueshme në aspektin edukativ, moral e shpirtëror. Ata kanë theksuar mes të tjerash se ky muaj përbën një kohë realisht të begatë ku myslimani ka hapësirën dhe mundësinë për të rigjetur veten, për të fisnikëruar moralin dhe tjetërsuar shpirtin. Nëpërmjet agjërimit dhe adhurimeve të tjera specifike në këtë muaj besimtari bëhet më i ndërgjegjshëm për rolin e tij në jetë dhe angazhohet në punë të mira që kanë si qëllim final të mirën e përgjithshme. Të dy të ftuarit u janë përgjigjur edhe pyetjeve që kanë mbërritur nga teleshikuesit, çka i ka dhënë bisedës nuanca të larmishme.

Një tjetër temë interesante ka trajtuar emisioni i tretë i fokusuar në dobitë shëndetësore të agjërimit. Të ftuarit e kësaj nate kanë qenë Prof. Dr. Bedri Bylyku dhe Dr. Rasim Vrioni, i pari mjek ftizio-ortoped, ndërsa i dyti mjek stomatolog. Duke u fokusuar në thënien e Profetit Muhamed (a.s.) “Mbani agjërim, të gjeni shëndet”, të ftuarit kanë folur me gjuhën e specialistit për dobitë dhe vlerat e mëdha që ka agjërimi te njeriu. Sipas tyre, agjërimi nuk është thjesht ndalim nga e ngrëna dhe e pira për një periudhë të caktuar kohe, por një adhurim që e bën njeriun të kryejë një pushim total të organizmit nëpërmjet të cilit trupi pastrohet dhe rigjenerohet. Gjatë bisedës së tyre të dy mjekët kanë dhënë shpjegime të mjaftueshme për mbarëvajtjen e agjërimit dhe mënyrën se si duhet të ushqehet trupi gjatë kohës që njeriu ndodhet në agjërim. Për vlerat e mëdha që mbart kjo disiplinë, mjekët e ftuar në studio kanë sjellë detaje nga eksperimente që janë kryer kryesisht në Perëndim të cilat kanë dëshmuar se agjërimi në kompleks ka gjetur përdorim në trajtimin e shumë sëmundjeve nga ato më të thjeshtat deri ato që kërcënojnë seriozisht jetën njerëzore.

Këto emisione teleshikuesit kanë pasur mundësi t’i ndjekin çdo ditë (drejtpërsëdrejti) në TV Ora News dhe të rintrasmetuara çdo ditë në orën 03.00 të ditës pasardhëse në kanalin Channel One dhe në orën 04.00 në kanalin Ora News, si dhe në valët e radios “Ora News” në po të njëjtën orë.

Leave a Comment

%d bloggers like this: