Maskerano: Do të “luftoj” për vendin tim

Argjentinasi i ardhur te Barcelona: Realizova një ëndërr. Nuk pres të jem titullar që në fillim

Havier Maskerano nuk pret që të jetë menjëherë titullar në mesfushën plot yje të Barcelonës. Ai ka kompletuar tashmë transferimin e tij te Barça nga Liverpuli dhe ka firmosur një kontratë katërvjeçare të hënën në mbrëmje pasi më parë kaloi vizitën mjekësore, që zgjati pesë orë. Maskerano u prezantua para tifozëve në “Nou Kamp” dhe pastaj para medias, ku argjentinasi nuk e fshehu gëzimin që do të luante për skuadrën e Pep Guardiolës.

“Kur zbrita nga avioni thashë se po realizoja një ëndërr. Të paktën mund të them se po luaj për Barcelonën, skuadrën për të cilën kam dashur të luaj”, ka thënë 26 vjeçari që i kushtoi Barcelonës 22 milionë euro dhe ka një klauzolë shitjeje në kontratë prej 90 milionë eurosh. Maskerano e di se tani duhet të punojë shumë për të zënë një vend në formacion, pasi Guardiola ka tetë lojtarë të përfaqësueses spanjolle në gjirin e Barcelonës si dhe Lionel Mesin, Dani Alveshin dhe Sejdu Keitan.

“Do të ishte idiotësi nëse them se mendoj të luaj çdo ndeshje. Unë duhet të respektoj lojtarët që janë këtu dhe kanë luajtur kaq mirë çdo vit. Në rolin time janë tre kampionë bote në këtë skuadër, lojtarë që kanë fituar gjithçka (Ksavi, Serxhio Buskets dhe Andres Injesta). Për mua është ëndërr të luaj me ta, të përfitoj prej tyre. E di që ata kanë fituar gjithçka, se kjo është një skuadër me lojtarë të mëdhenj dhe me një bazë që ka kampionë bote.

Do të mundohem të jem modest dhe të ndihmoj skuadrën që të vazhdojë të fitojë trofe. Do të kem shansin që të luaj me lojtarë, të cilët i admiroj dhe do të mund të them me krenari se jam bërë një lojtar më i mirë te ky klub. Kjo është një mundësi e madhe, që të jepet një herë në jetë. Do të stërvitem që të jem gati kur nevojitem”, ka deklaruar Maskerano, që ka shtuar se nuk është zëvendësues i Jaja Turesë, që shkoi te Mançester Siti në verë. “Ture është një lojtar i madh, që ka lënë gjurmë te ky klub. Unë nuk kam ardhur ta zëvendësoj, por të jap maksimumin tim.”

Maskerano do të veshë fanellën me numrin 14, të lënë nga Tierri Henri këtë verë. “Barcelona më ka blerë për lojën që kam treguar vitet e fundit. Unë nuk do të përpiqem të jem i ngjashëm me Turenë, sepse nuk jam. Por mund të bëj gjëra të tjera, as më mirë as më keq, por ndryshe. Unë jam një lojtar me tipare mbrojtëse, por mund të kontribuoj edhe për gjëra të tjera. Unë kam luajtur në role të ndryshme kur më është kërkuar në karrierën time dhe jam i gatshëm të bëj atë që më kërkohet.

Trajneri do të vendosë.” Maskerano është blerja e tretë e Barcelonës këtë verë, pas David Vilës dhe Adrianos dhe sipas zëvendëspresidentit sportiv, Hosep Maria Bartomeu, me kaq është mbyllur edhe merkatoja. “Skuadra tashmë është e kompletuar dhe nuk do të ketë më blerje të tjera. Ne kemi arritur në konkluzionin se nuk ka më nevojë për përforcime të tjera në skuadër”, ka thënë Bartomeu, i cili ka thënë gjithashtu se Maskerano ka pranuar të ketë një ulje të madhe rroge që të luajë me kampionët e Spanjës.



http://www.sportishqiptar.com.al/maskerano-do-te-luftoj-per-vendin-tim/

Leave a Comment

%d bloggers like this: