Masakër mjedisore në plazhin e Nartës. Naftë përgjatë vijës bregdetare

Kreu i komunës: Ndotja, e qëllimshme. Prokuroria po hetohen shkaqet

Sasi të konsiderueshme me solar të lëngshëm janë hedhur dje gjatë mëngjesit në detin e zonës së Nartës dhe Zvërnecit. Disa tonë solar është hedhur në këtë bregdet, duke e ndotur këtë zonë të virgjër të bregdetit të Vlorës, në një vijë bregdetare prej dy kilometrash. Pushuesit të cilët kanë zgjedhur këtë bregdet për të kaluar pushimet e korrikut mbetën të shokuar, kur rreth orës 09.00 janë parë shenjat e para të kësaj ndotjeje. Nga ora në orë kjo sasi solari ka ardhur duke u shtuar, jo vetëm në vijë bregdetare, por ajo ka ngelur në bregdet në një masë prej më shumë se pesë metrash, ku pushuesit kanë dalë nga deti dhe gradualisht ikën nga plazhi. Për këtë situatë katastrofike, e cila nuk ka ndodhur ndonjëherë në bregdetin e Vlorës, strukturat përgjegjëse kanë ardhur për të parë nga afër këtë masakër dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre. Komandanti i kapitanerisë së Portit të Vlorës, Anastas Goga, i cili ka qenë në këtë zonë të ndotur, tha se kjo është një situatë emergjente dhe se nuk është kryer ende një përllogaritje e saktë e këtij dëmi. Anija e cila ndodhej në brendësi të detit ka qëndruar për të marrë solarin nga depozitat e ARMO-s, të cilat gjenden në hyrje të qytetit të Vlorës, nëpërmjet një tubacioni nën tokë i cili më pas hyn në det me një gjatësi prej 3-4 kilometrash. Goga tha: “Jemi përballë një ndotjeje vajore dhe lënda mesa duket është solar. Kjo ka ardhur si pasojë e një operacioni ngarkimi nga kompania ARMO në një anije e cila ndodhet në det. Deri tani nuk e dimë ende nëse ky solar ka dalë nga sistemi i cili është amortizuar në det apo nga pikat e lidhjes së tubove të mbushjes në anije. Ne si kapitaneri jemi duke ndjekur situatën dhe duke kërkuar shkakun se nga ka ardhur kjo ndotje”. Ai shtoi se aktualisht, për shkak të ndotjes, ky plazh nuk mund të frekuentohet nga pushuesit, por së shpejti me mjete mekanike do të bëhet pastrimi dhe kthimi në identitet i këtij plazhi. Sipas tij, strukturat do të marrin masat për vënien përpara përgjegjësisë dhe ligjit të shkaktarëve të kësaj katastrofe. “Ne deri tani dimë që lënda është solar dhe po kryhet një operacion ngarkimi i kësaj lënde nga kompania ARMO. Po ashtu, pushuesit e shumtë, të cilët prej kohësh preferojnë këtë zonë të bukur dhe të pastër, kanë nisur të braktisin plazhin, pasi kanë parë se është e pamundur të lahesh në det. Ndërkohë, kreu i Komunës Qendër, Fredo Berberi, i cili e ka në juridiksionin e kësaj komune këtë zonë, tha për Shqip: “Unë si kryetar i kësaj komune ndiej shqetësimin e ndotjes së kësaj zonë, që para një viti është bërë një nga zonat më të preferuara të Gjirit të Vlorës. Kam bërë një padi në Prokurorinë e Vlorës, sepse mendoj se kjo mund të jetë bërë qëllimisht për komunën dhe për vetë zonën, pasi siç po shikohet, nga dita në ditë kjo zonë po popullohet me shumë pushues. Të gjithë gjejnë atë që i mungon në këtë zonë, dhe unë si kreu i komunës mendoj se e gjitha kjo është bërë qëllimisht.

Leave a Comment

%d bloggers like this: