Martesa e Edi Ramës me Linda Bashen Ceremonia në malin e Dajtit

Kryetari i PS, Edi Rama, dhe bashkëshortja e tij e ardhshme, Linda Basha, kanë bërë shpalljet në minibashkitë përkatëse. Ceremonia zyrtare, në njësinë nr.7 përballë Pandi Sarës, ndërsa dasma në një resort në Dajt

Tiranë Martesa më e diskutuar e ditës, ajo mes Edi Ramës e Linda Bashës ,është futur tashmë në rrjedhën e procedurave zyrtare. Edhe pse ceremonia, e planifikuar si një “moment i veçantë i jetës, që do ta ndajë me të afërmit e miqtë” nga Edi Rama do të zhvillohet javën e ardhme, dy bashkëshortët kanë bërë shpalljet e martesës, në minibashkitë përkatëse. Sikurse e parashikon Kodi i Familjes, kreu i PS-së, njëherazi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka bërë shpalljen në njësinë bashkiake numër 7, ndërsa Linda Basha në atë me numër 2. Sipas këtyre procedurave, dy bashkëshortët duhej ta bënin këtë shpallje 10 ditë përpara celebrimit të lidhjes së tyre në martesë, që me gjasë do të zhvillohet në njësinë bashkiake numër 7, ku është i regjistruar Edi Rama e që drejtohet nga Pandi Sara. “MAPO” zbulon gjithashtu detaje nga dasma VIP, e cila përgatitet prej kohësh nga bashkëshortja e kryetarit të PS-së, Linda Basha, por që u bë publike vetëm fundjavën e shkuar. Burime të rezervuara bëjnë me dije se ceremonia e dasmës do të bëhet në një nga lokalet e famshme të malit të Dajtit, ndoshta në një resort me pishinë dhe ambiente të bollshme, të përcaktuar tashmë prej çiftit Rama-Basha. Mësohet se e gjithë ceremonia do të jetë e rezervuar për një rreth të ngushtë miqsh dhe të afërmish të tyre. Martesa e Edi Ramës me Linda Bashën u bë publike nga media, ditën e shtunë. Vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konfirmoi vendimin e tij për martesë, duke e cilësuar atë një moment mjaft të rëndësishëm në jetën e tij, të cilin do ta ndajë me miqtë dhe të afërmit gjatë javës së ardhshme. Mësohet se kreu socialist, pak orë para publikimit të lajmit, u ka shpërndarë të afërmve të tij një mesazh përmes celularit, ku i lajmëronte për vendimin e tij për t’u lidhur në martesë me Linda Bashën. Kreu socialist vjen në këtë martesë, e cila sipas tij do të kurorëzohet fundjavën e ardhshme, pas një divorci dhe disa lidhjeve zyrtare. Në fund të viteve ’80, Edi Rama u martua me artisten e njohur Matilda Makoçi, me të cilin ka një djalë, Gregorin. Edhe bashkëshortja e tij e re, Linda Basha ka lënë pas një martesë me ish-profesorin e saj, Thanas Xhillari, me të cilin është divorcuar zyrtarisht në prill të këtij viti. Doktore e Shkencave Ekonomike, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës dhe aktiviste e njohur e shoqërisë civile, 46-vjeçarja Linda Basha është gjithashtu nënë e një vajze 20-vjeçare, e cila studion arkitekturë në Itali.

Mapo

Leave a Comment

%d bloggers like this: