Maqedoni, vrasësit e shqiptarëve, konsiderohen heronj kombëtar

Ish-pjesëtari i policisë Johan Tarçulovski, i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve nga Tribunali i Hagës, për autoritetet maqedonase është hero kombëtar.

Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska tha dje se ndjehet krenare që Tarçullovski gjatë kthimit në Maqedoni, një ditë më parë u prit si hero.

“Është krenari të mirepritet një njeri i cili ka bërë gjithçka që ka mundur në interes të Republikës së Maqedonisë. Johan Tarçullovski u prit si një hero kombëtar. Republika e Maqedonisë 8 vite e ka pritur këtë ditë, ai tani është njeri i lirë dhe ka të drejtë t’i gëzojë të gjitha të nderimet për angazhimin e tij me qëllim mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të vendit”, tha Jankullovska.

Johan Tarçullovski është kthyer të enjten në Maqedoni pasi kishte vuajtur 2/3 e dënimit. Përveç pritjes, qeveria financoi edhe një koncert të madh në sheshin e Shkupit për të festuar kthimin e tij në vendlindje.

Atmosfera nacionaliste e krijuar nga pritja e ish policit të dënuar për krime lufte, ka nxitur disa grupe huliganësh që pas përfundimit koncertit, të ushtrojnë dhunë fizike ndaj dhjetra të rinjëve shqiptarë në disa lagje të kryeqytetit.

“Mbrëmjen e kaluar policia ka regjistruar disa incidente. Më madhori ishte incidenti i shënuar në afërsi të stacionit të ri të autobusëve në Shkup, ku dhjetra persona morën pjesë në një rrahje. Lidhur me këtë rast, policia ka ndaluar 11 persona dhe ndaj tyre do të merren masat e nevojshme. Ne nuk i ndajmë qytetarët në baza etnike, dua të them se pa dallim të përkatësisë etnike, të gjithë ata që mbrëmë vepruan në kundërshtim me ligjin, do të marrin dënimin e merituar”, deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Ish-polici maqedonas Johan Tarcullovski u dënua në vitin 2007 me 12 vite burg nga Tribunali i Hagës, pasi gjatë konfliktit të 2001-shit mori pjesë në një masakër në afërsi të Shkupit, ku u vranë 7 shqiptarë. Tarçullovski të premten u prit edhe nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Leave a Comment

%d bloggers like this: