Magani: Shkumbini do të jetë mes 6 më të mirëve

Traineri i Shkumbinit Gugash Magani

Trajneri Gugash Magani flet për rikthimin në stolin peqinas, grupin e lojtarëve, përforcimet e mundshme dhe objektivin e sezonit të ri

Drejtuesit e Shkumbinit kanë prezantuar dje trajnerin e sezonit të ardhshëm. Ai është një nga legjendat e futbollit peqinas, Gugash Magani, ish-futbollist dhe ish-trajner i Shkumbinit, që kthehet në shtëpi pas përvoja me Flamurtarin dhe Besën.

Trajneri i ri do të ketë në staf Klodian Dervishin dhe Aaranit Ballhysën. Po ashtu, doktor i ekipit do të vazhdojë të jetë Gani Spahiu. Në një intervistë për “Sportin shqiptar” ai shprehet optimist për ekipin dhe tregon ambicjet për edicionin e ri.

Magani, çfarë mund të thoni për këtë rikthim tuajin në stolin peqinas?

Ndihem mjaft i kënaqur, që do të drejtoj ekipin tim të zemrës pas një shkëputjeje prej 3 sezonesh. Nuk ka më mirë se të rikthehesh në shtëpi.

Si ju duket gjendja e ekipit në këtë moment?

Shkumbini ka dy javë që po stërvitet nën drejtimin e dy ndihmësave të mi, Dervishit dhe Ballhysës. Mendoj se gjendja e lojtarëve është e mirë, por kuptohet që kemi punë për të bërë, me qëllim që të jemi gati për kampionatin e ri.

Fazën përgatitore, ku do ta zhvilloni?

Pas bisedave që patëm me drejtuesit e klubit, vendosëm që fazën përgatitore ta kryejmë në Peqin. Kishim disa mundësi, siç ishin ato të Maqedonisë dhe të Pogradecit, por në fund morrëm vendimin që të stërvitemi në Peqin, duke e mbajtur ekipin të grumbulluar dhe duke shfrytëzuar kompleksin te pylli me pisha. E pamë të arsyeshme të qëndronim këtu.

A ju duket e mjaftueshme organika që ka aktualisht ekipi dhe a do të ketë afrime?

Para se të merrja drejtimin e Shkumbinit, ua kam bërë të qartë drejtuesve se një nga kerkesat e mia kryesore është ana fiinanciare. Morra “ok”-in e tyre dhe vendosa të marr në dorë “frenat” e ekipit. Për merkaton, që ditën e parë të stërvitjes ishin të pranishëm tre lojtarë të rinj, konkretisht Kotorri, Kaçuli dhe Gava.

Por ne nuk do të ndalemi me kaq, pasi do të afrojmë edhe lojtarë të tjerë, me të cilët jemi në bisedime, por nuk mund t’i bëj publikë emrat e tyre.

Cili do të jetë objektivi i Shkumbinit për sezonin e ri?

Me plotësimin e ekipit, do të falsim më qartë në këtë drejtim. Megjithatë, duke njohur traditën e klubit tonë, them se objektivi është të jemi në mesin e artë të tabelës, pra në 6 vendet e para.

Tifozët peqinas e kanë pritur mirë rikthimin tuaj në stolin bardhekaltër. Cili është mesazhi juaj për ta?

I falënderoj nga zemra tifozët peqinas, pasi më kanë mbështetur si gjatë kohës kur isha pjesë e ekipit si futbollist, ashtu edhe si trajner. Edhe në ditën e prezantimit tim e ndjeva përkrahjen e tyre, sidomos të grupimit “Besnikët”, që ishin edhe të shumtë në numër.Nga Taulant Ballhysa

Leave a Comment

%d bloggers like this: