Mafia ruse, tentativa prej katër vitesh

Mafia ruse ka tentuar të hyjë në Shqipëri për ta kthyer bregdetin në pronë të saj që prej katër vitesh.

Shërbimi Sekret i ka ndjekur hap pas hapi zhvillimet, sidomos në veri të vendit, pavarësisht se deri tani ka bërë vetëm investime të vogla. Informacioni mbi këto biznese të dyshimta bëhet i ditur nga burime të besueshme në Shërbimin Informativ Shtetëror pas publikimit të raportit të kësaj agjencie në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. SHISH kishte paralajmëruar edhe më parë për tentativat e mafies ruse për të hyrë në Shqipëri, pas ndërhyrjeve të forta që mendohet se ka bërë në Mal të Zi dhe në Turqi. Në raportin e fundit, SHISH paralajmëroi, jo vetëm për mafien ruse, por edhe atë izraelite, italiane dhe grupet shqiptare të narkotrafikut, të cilët jetojnë në Kolumbi.

Investimi kryesor i rusëve janë trojet për fshatra turistikë, sidomos në bregdet. Sipas informacioneve të Shërbimit Informativ Shqiptar, katër vjet më parë në Shqipëri dyndën biznesmenë rusë, që në dukje ishin të rregullt. Fillimisht, ata ndërhynë në bregdetin e veriut, sidomos në Velipojë dhe Shëngjin. Ata kërkonin të blinin prona me sipërfaqe të madhe, me qëllim ndërtimin e fshatrave të ndryshëm turistikë. Pas disa tentativave, për rreth dy vjet, ata nuk mundën të bashkojnë pronarët shqiptarë, t’i bindin e të investojnë paratë e tyre.

Në këto kushte, biznesmenët, që sipas informacioneve të SHISH janë të lidhur me mafien ruse, u “dorëzuan”, pasi nuk u interesonte të kishin probleme me drejtësinë në vendin tonë. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë, filluan fazën e dytë, por këtë radhë, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mafia ruse filloi të përdorte individë të ndryshëm shqiptarë me kushtet e nënkontraktorit. Atyre iu kërkua që të bindnin pronarët, me qëllim që të shisnin pronat e mëdha për ndërtimin e fshatrave turistikë. Informacionet e para u morën nga Drejtoria Rajonale e SHISH në Lezhë, por edhe nga njësitë pranë bregdetit. Duke ndjekur këtë linjë, shërbimi informativ ka zbuluar se tentativat filluan të jenë të pranishme edhe në Durrës. Ndërsa në Vlorë dhe Sarandë, ato ishin më të pakta.

Këto tentativa zgjatën për rreth një vit, megjithëse sërish nuk arritën të bëjnë investime madhore. Por, ata ndryshuan taktikë, duke bërë investime të vogla. Sipas agjencisë sekrete, shumë shtetas shqiptarë janë përdorur për të blerë apartamente të shumta në bregdet, ndërkohë që më pas u kanë kaluar pronarëve të huaj. Ato prona janë rishitur dhe kështu kanë krijuar edhe një skemë kamuflimi për të humbur gjurmët e origjinës. SHISH tha se me të dhënat e saj ka informacione të shumta që rusët nuk janë dorëzuar. Informacionet të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse.

Tashmë, ata po tentojnë të ndërveprojnë me shtetas shqiptarë nga një qark ndër më të mëdhenjtë dhe më të pasurit në Shqipëri. Në disa raste, SHISH ka dërguar informacione të rëndësishme edhe në prokurori, por pa dhënë detaje për lidhjet me mafien ruse. Këto informacione janë dërguar në të shumtën e kohës për veprën penale të pastrimit të parave. Një rast flagrant, sipas informacioneve ka qenë në zonën e Velipojës, por më vonë u fut në pazar një biznesmen shqiptar, i cili arriti të bindë më shpejt pronarët dhe të marrë pronat për të ndërtuar një kompleks turistik. Nga analiza vlerësohet se gjatë periudhës së krizës financiare, por edhe më tej, qëllimi i grupeve të krimit të organizuar, është vendosja e kontrollit mbi aksionet e kompanive në krize ose pronësia mbi to. “Turizmi, biznesi i hotelerisë, pronat e patundshme dhe operacionet me to, ndërtimi dhe prodhimi i materialeve të ndërtimit, përpunimi dhe shfrytëzimi i teknologjive energjetike alternative, mund të jenë më të riskuarat”, ka vënë në dukje SHISH.

Leave a Comment

%d bloggers like this: