Lushnje, dy aksidente, një i vdekur


Sot në orët e para të mëngjesit, katër persona që udhëtonin me një mjet me targa të Durrësit, janë përplasur me bordurat pranë rotondos së hyrjes jugore të Lushnjes. Përplasja ka qenë fatale për një prej tyre.

Xhaferr Domi, 54 vjeç, nga Shijaku, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa Mariglen Deliu, 20 vjeç nga Tirana është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak.

Dy personat e tjerë, Fiqiri Balliu, drejtues i automjetit dhe Enver Deliu, kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Lushnjes e janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas uniformave blu të qarkullimit rrugor të Lushnjes, shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë pakujdesia nga përgjumja e drejtuesit të automjetit që vinte nga Kakavija e udhëtonte drejt Tiranës.

Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 06:30, po në autostraden Fier-Lushnje, në afërsi të fshatit Bishqethem, një automjet me targa greke ka dalë nga rruga, por pa pasoja për shëndetin e personave që udhëtonin në të.

Dy bashkëshortë dhe tre fëmijët e tyre të mitur kanë shpëtuar për mrekulli, megjithëse automjeti është dëmtuar tepër rëndë dhe ka përfunduar në kanalin kullues.



Leave a Comment

%d bloggers like this: