Llogaritja e pikeve te matures shteterore 2012 per ne Universitet,  Ja cilat jane Pikët maksimale dhe minimale te pranimit ne Universitetet publike shqiptare

Ministria e Arsimit përcakton pikët minimale dhe maksimale të konkurseve për degët ku maturantët do të pranohen edhe në bazë të rezultateve të arritura në testimin special. Po kështu, MASH ka vendosur se si do të bëhet llogaritja e pikëve për t’u shpallur fitues në këto programe studimi, që janë tepër të preferuara nga të rinjtë, ndaj ata që pranohen përzgjidhen në bazë të talentit, pasi bëhet fjalë për degë mjaft specifike. Për këtë arsye, pjesën më të madhe të pikëve do ta zënë rezultatet e konkurseve dhe më pak ato të grumbulluara nga provimet e Maturës dhe mesatarja. Kështu, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e konkurseve të pranimit në 7 prej institucioneve të arsimit të lartë, si: Universiteti i Arteve të Tiranës, Akademia e Arteve Shkodër, Universiteti i Sporteve të Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, pranimet do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit, i organizuar nga këto institucione publike. Krahasuar me një vit më parë, sivjet MASH ka vendosur që të ulë me 30 pikë pragun për të fituar dy nga degët më të kërkuara në Universitetin e Arteve, që janë Piktura dhe Skulptura. Nëse një vit më parë pragu minimal i pikëve në këto dy degë ishte 90, sivjet ai ka zbritur në 60. Për Arkitekturën është rritur numri maksimal i pikëve të konkursit, duke shkuar nga 65 në 70.

Raporti i pikëve 

Ajo që vihet re është se gara për të fituar Akademinë e Arteve në Shkodër do të jetë po aq e vështirë sa dhe Universitetin e Arteve në Tiranë. Përpos faktit që  konkurset do të vlerësohen njëlloj në të dyja institucionet, MASH ka vendosur që konkurrimi për kandidatët e Akademisë së Arteve të Shkodrës të kryhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, në ambientet e këtij të fundit. Sipas udhëzimit, kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, që është 60 pikë, nuk fiton të drejtën e studimit. Për sa i përket raportit të pikëve Maturë-konkurs, udhëzimi i MASH-it përcakton që “në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve në Shkodër, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%”. Në Universitetin e Sporteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme do të llogariten në mënyrë të barabartë me ato të konkursit, 50% për secilën. Në Universitetin Politeknik të Tiranës, për programet e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist” rezultatet e shkollës së mesme do të përbëjnë 40% të pikëve në vlerësimin përfundimtar, kurse konkursi do të ketë 60%. Në Universitetin e Shkodrës dhe Universitetin e Elbasanit, në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” raporti midis pikëve të Maturës me konkursin do të jetë 50% me 50%. Në programet e studimit të FASTIP të Universitetit të Durrësit, rezultatet e Maturës do të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit (Gjuha Angleze dhe intervista e punësimit) në masën 60%. Në udhëzimin e MASH përcaktohet se rregulloret dhe programet e konkurseve, të miratuara nga këto universitete duhet të bëhen publike për kandidatët  duke filluar nga data 1 gusht. Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), deri në datën 14 gusht 2012, duhet të përgatisë listën e konkurrentëve për konkurset e pranimit sipas preferencës së kërkuar prej tyre në Formularin A2. Listat e konkurrentëve për secilin konkurs pranimi do t’u dorëzohen universiteteve sipas programit të studimit, në datën 15 gusht 2012 nga AKP-ja për të gjithë kandidatët që kanë plotësuar Formularin A2, dhe nga MASH-i, për kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurse e që janë nga Republika e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës. MASH udhëzon rektoratet dhe dekanatet e universiteteve që të shpallin në mjediset e tyre të dukshme deri në datën 10 gusht datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit. Sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse, pas verifikimit të listave të të regjistruarve, me listën e dorëzuar nga AKP dhe nga MASH, në datën 17 gusht duhet të shpallin listat e konkurrentëve të regjistruar. Në Universitetin e Arteve, konkurset për të gjitha programet e studimit do të zhvillohen nga data 27 gusht deri më 1 shtator; në Universitetin e Sporteve, nga data 29-31 gusht; në Universitetin e Shkodrës dhe të Elbasanit për programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” 27-29 gusht; Universiteti Politeknik i Tiranës 3-5 shtator; në Universitetin e Durrësit (FASTIP), për programet e studimit në gjuhën angleze,  27-29 gusht; Akademia e Arteve, Shkodër, për të gjitha programet e studimit, 27 gusht-1 shtator. Konkurset e pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë do të  monitorohen edhe nga përfaqësues të MASH-it. Rezultatet e konkurseve të pranimit do të dërgohen në MASH e në AKP brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre.

 

Llogaritja e pikëve, raporti Maturë-konkurs

Universiteti i Arteve 30% me 70%

Akademia e Arteve Shkodër 30% me 70%

Universiteti i Sporteve 50% me 50%

Universiteti Politeknik 40% me 60%

Universiteti i Elbasanit 50% me 50%

Universiteti i Shkodrës 50% me 50%

Universiteti i Durrësit 40% me 60%

 

Pikët maksimale dhe minimale të konkurseve

Universiteti Politeknik i Tiranës  Pikët maksimale Pikët minimale

Arkitekturë (Arkitekt) 70 0

Arkitekturë (Urbanist) 70 0

Universiteti i Elbasanit

Edukim fizik dhe sporte 70 0

Universiteti i Shkodrës 

Edukim fizike dhe sporte 70 0

Universiteti i Durrësit

Menaxhim i bankave 100 40

Menaxhim hoteleri-turizëm 100 40

Menaxhim i ndërmarrjeve 100 40

Multimedia dhe TIK 100 40

Universiteti i Arteve 

Fakulteti i Artit Skenik 240 60

Fakulteti i Artit Figurativ 240 60

Fakulteti i Muzikës 240 60

Universiteti i Sporteve

Shkencat e lëvizjes 70 0

Fushat e veprimtarisë fizike,

të shëndetit dhe të rekreacionit  70 0

Akademia e Arteve Shkodër

Fakulteti i Muzikës 240 60

Fakulteti i Artit Figurativ 240 60

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · WordPress Theme designed by Theme Junkie