Llixhat, ujërat termale drejt shterimit

Ndërhyrjet në burimet e ujit termal në Llixhat e Treganit, që ndodhen 10 km larg Elbasanit, me gërmim pusesh me sonda e mjete të tjera po rrezikojnë seriozisht ekzistencën e këtyre burimeve si dhe cilësinë e ujit termal.Rasti flagrant është konstatuar rreth një muaj më parë, kur persona të papërgjegjshëm dhe në mënyrë flagrante po ndërhyjnë duke depërtuar në të çarat e shkëmbit, nëpërmjet të cilave kalon uji që del në sipërfaqe të tokës, i shtyrë nga presioni i gazrave. Denoncimi në fjalë është bërë nga vetë pronarë të hoteleve dhe shtëpizave të ngritura në Llixhat e Treganit. “Këto gropa ose shpime mund të bëjnë që të ndryshojë presioni shtytës dhe për pasojë, regjimi i burimeve të

Tubat me të cilat merret uji termal

çoroditet ose këto të shterojnë fare”, u shpreh Skënder Kosturi, administrator i një shoqërie në këtë park llixhash. Ai e njeh mirë situatën, pasi me profesion është inxhinier hidroteknik. Sipas tij, uji që thithet me anë të pompave në puset e hapura merr me vete edhe një pjesë të ujit të ëmbël të napës së ujërave nëntokësore, ç’ka shkakton edhe mashtrimin e klientëve që trajtohen. “Në vend të ujërave termale, ata do të trajtohen me një sasi të madhe ujë pusi”, pohon Kosturi. Në rast se ky fenomen nuk parandalohet, atëherë parashikohet që asnjë investitor vendas apo i huaj nuk do të rrezikonte të investonte në Llixhat e Elbasanit. “Kjo do të ishte një goditje shumë e rëndë për turizmin shqiptar, veçanërisht për atë medicinal dhe reaktiv që është në hapat e para”, u shpreh më tej Kosturi. Me këtë fenomen është njohur edhe prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Ai u ka kërkuar specialistëve dhe shefit të Agjencisë së Ujit e Basenit Shkumbin, që të shkojnë në vend dhe të marrin masa për konstatimet që do të bëjnë atje. Tashmë, puset janë hapur dhe ujërat termale me anë të tubave kanë kaluar në shtëpitë që janë ngritur në llixha. Shefi i baseneve, Shaqir Kuka, u shpreh për këtë problematikë se në ditët në vijim do të shkojë në vendin ku edhe janë çarë puset dhe do të verifikojë situatën. Ndërkaq, në cilësinë edhe të një ndërtuesi të tri hidrocentraleve në lumin Drin dhe si pedagog i Politeknikut në Tiranë, Skënder Kosturi sugjeron ndalimin e të gjitha ndërhyrjeve në burimet e ujërave termale dhe taposjen me kujdes të të gjitha gropave të puseve të hapura, duke lënë të rrjedhin vetëm ato që janë në hartën e burimeve, si edhe shpalljen e zonës së burimeve të ujërave termale të Llixhave të Elbasanit, Zonë e Mbrojtur. Duke filluar që nga viti 1997, kanë filluar tentativat që, për qëllime përfitimi, të thithet ujë termal me anë të pompave, të bëhen gërmime e punime të tjera në zonën e burimeve. Në sezonin e Llixhave të Elbasanit, qindra qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë, por edhe jashtë saj, kurohen në ujërat termale dhe akomodohen në hotelet private, por edhe në shtëpiza të palicencuara, ku mungon edhe prania e mjekut.

Llixhat e Elbasanit

Burimet e Ujërave Termale të Llixhave të Elbasanit ekzistojnë prej shekujsh dhe janë shfrytëzuar historikisht për aftësitë e tyre të veçanta. Këto ujëra sulfurore shumë të nxehta, sipas studimeve të specialistëve të kësaj fushe, krijohen në thellësi rreth 13000 metra nga sipërfaqja e tokës, në presion dhe temperatura të larta, si rezultat i bashkimit të oksigjenit me hidrogjenin dhe lëndë të tjera kimike. Të shtyra nga presioni i lartë i gazrave, dalin në sipërfaqe nëpërmjet të çarave të shkëmbinjve.

 

ELBASAN / MIRANDA SADIKU

Leave a Comment

%d bloggers like this: