Rastësia ka qenë nismëtarja e një historie të gjatë dashurie që do të kurorëzohet javën e ardhshme me martesë. Shoqëria e djalit të kreut socialist Edi Rama me vajzën e pedagoges Linda Basha, ka bërë që prindërit e tyre të kishin takime të shpeshta, nga ku lindi edhe ndjenja e dashurisë. Të afërm të liderit socialist tregojnë se historia ka qenë e gjatë dhe mjaft e qëndrueshme. Historia Pas një njohjeje dy vjeçare, lideri socialist, Edi Rama ka vendosur që të bëjë publike dhe të kurorëzojë lidhjen e tij javën e ardhshme. Por si nisi historia e dashurisë? Fillimisht fëmijët e çiftit, djali i Ramës, Gregori dhe vajza e Lindës, Rea, kanë qenë shokë klase, dhe shoqëria e tyre e ngushtë ka bërë që edhe prindërit e fëmijëve të takohen me njëri-tjetrin. Gregori e ka ftuar disa herë Raean për hipizëm në fshatin Pezë, ku më parë jetonte Edi Rama, dhe vajza shkonte e shoqëruar nga e ëma. Kështu çifti është takuar herë pas here, takime të cilat janë bërë shkak për të krijuar më shumë afrimitet, duke krijuar në këtë mënyrë edhe një lidhje dashurie mes Ramës e Lindës. Të afërm pranë çiftit shprehen se lidhja e tyre ka qenë e qëndrueshme dhe se fëmijët janë dakord me këtë, pasi Gregorit i pëlqen Linda, po ashtu edhe Reas, i pëlqen Rama si partner për nënën e saj. Jeta e Ramës 46-vjeçari Edi Rama ka pasur një jetë të vështirë përsa i përket historive të dashurisë. Dështimi i martesës me aktoren e njohur Matilda Makoçi ka qenë edhe një ndër historitë që kanë lënë gjurmë në jetën e Ramës, pasi fryt i kësaj martese është djali i tij, Gregori. Tashmë dihet që divorci i tyre u bë shkak edhe për sëmundjen e aktores Makoçi. Një histori tjetër dashurie, ishte edhe ajo me prezantuesen Rudina Magjistari, të cilën e kishin shpallur publikisht. Por pas shumë konfliktesh në çift, lidhja e tyre u ndërpre. Ndërkohë që për lidhjen e tij me Lindën nuk dihej asnjë gjë, pasi çifti e kishte mbajtur të fshehtë, deri në momentin që vendosën ta kurorëzonin. Edi Rama & Rudina Magjistari Lidhja e tyre u zhvillua si një nga lidhjet klishe të botës së personave të rëndësishëm në këtë vend. Nuk ishte thjesht bukuria, ajo që e shtyu kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, drejt Rudinës. Dhe nuk ishte pushteti i këtij të fundit që e shtyu prezantuesen e njohur Rudina Magjistari, drejt tij. Ndoshta u takuan në një shfaqje ose ndoshta në një kafe të thjeshtë, ku ai i është afruar tavolinës së saj për t’u prezantuar dhe për t’i dhuruar një libër me poezi. Kjo është një grimcë që u përket atyre, por është fakt që atë kaluan disa vite të lumtur me njëri- tjetrin. Aktualisht dashuria e tyre ka marrë fund dhe të dy jetojnë jetën e tyre. Divorci me Matila Makoçin Ai piktor, pedagog, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i Partisë Socialiste, ajo një aktore e bukur dhe mjaft e famshme deri në vitet ’90. Një martesë që pati si fryt edhe një djalë, Gregorin. Kjo është historia e dashurisë, martesës dhe divorcit në dy fjali e kryebashkiakut dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama me aktoren e bukur të dy dekadave më parë, Matilda Makoçi. Martesa e tyre është zgjidhur zyrtarisht në Gjykatën e Tiranës, në vitin 1991. Më tej, qindra variante për motivet e ndarjes së tyre, që tashmë gjithsecili beson atë pjesë apo version që dëshiron… Lideri i PS: Martesa, një moment i veçantë në jetën time Lideri socialist ka konfirmuar dje se do të kurorëzojë lidhjen e tij me pedagogen e ekonomisë, Linda Basha. Kreu i PS-së, Edi Rama u shpreh dje se “dëshiroj të konfirmoj vërtetësinë e lajmit të sotëm për lidhjen time në martesë me Lindën”. Shefi i Partisë Socialiste deklaroi dje se kurorëzimi i lidhjes dy vjeçare është një moment shumë i veçantë në jetën e tij. “Është një moment i veçantë në jetën time që dëshiroj ta ndaj me të afërmit e miqtë në fund të javës së ardhshme”, tha Rama. Berisha uron Ramën: Të trashëgohesh, po ku do e vendosësh kurorën? Shefi i qeverisë, Sali Berisha e ka uruar dje për martesën rivalin e tij. “Jetë të lumtur, të trashëgohet, i uroj shëndet, lumturi dhe urimet më të mira që mund ti urohen një çifti shqiptar”, u shpreh Berisha. Kryeministri tha se nuk i ngatërron aspektet njerëzore me ato politike. “Këto aspekte njerëzore mos mendoni ju se unë i konfondoj me problemet politike”. Më tej, kreu i ekzekutivit ka hedhur dyshime se ku do ta vendosë Rama kurorën, pasi ai është Kryetar Bashkie. “I uroj gjithë të mirat çiftit të ri po kurorën ku do ta vendosë, pasi ai është kryetar bashkie? Me siguri do të shkojë në minibashki. Shumë mirë”, përfundoi Berisha. Jeta Lindës, bashkëshortes së ardhshme të Ramës Linda ka lindur në një familje tradicionale tiranase. Për të, vëllain dhe motrën e saj dy prindërit pensioniste janë modeli i adhurueshëm i punës, kujdesit dhe dashurisë qe mes plot vështirësish e sakrificash ndërtuan një familje të mrekullueshme. Linda ka një vajzë, Rean, që studion arkitekturë. Vetë Linda ka studiuar ekonomi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1993 ka kryer studimet Master për Ekonomi në Universitetin e Neë York-ut dhe Universitetin e Europës Qendrore në Pragë. Prej vitit 1996 mban titullin Doktore e Shkencave Ekonomike. Ajo ka punuar në detyra të ndryshme të administratës publike. Puna e saj e parë ka qenë në departamentin ekonomik të Kombinatit të Tekstilit në Tiranë dhe më pas në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit pranë Këshillit të Ministrave, ku ka qenë edhe në funksionin e Drejtores së Përgjithshme deri në vitin 1998. Më pas është përfshirë në aktivitetin e shoqërisë civile si drejtore ekzekutive e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor për dhjetë vite. Aktualisht Linda mbulon kërkimin dhe zhvillimin shkencor në këtë qendër që sot drejtohet nga Ylli Cabiri, të cilin Presidenti Obama e emëroi së fundmi si të vetmin shqiptar në bordin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit. Linda ka një përvojë të gjatë akademike si lektore e Financave Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe Politikave Publike e Riskut Publik në Universitetin Europian të Tiranës. Është studiuese e fushave që lidhen me zhvillimin ekonomik e social. Për llogari të institucioneve ndërkombëtare ajo ka drejtuar punën e bashkëpunuar për studime mbi reformat për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe biznesit, zbutjen e varfërisë, reformimin e sektorit të arsimit, zhvillimin njerëzor, qeverisjen e mirë, zhvillimin vendor, decentralizimin në Shqipëri e në rajon. Linda është gjithashtu autore e një sërë publikimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrëse e ftuar vijimësisht në konferenca ndërkombëtare për këto fusha studimore. Linda nuk ka pasur aktivitet politik dhe fusha e interesit të saj publik ka qenë e mbetet shoqëria civile shqiptare ku ajo është angazhuar vijimësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijëve, grave dhe minoriteteve. Për këto kontribute të saj ajo është zgjedhur edhe anëtare prej disa vitesh në bordin e Fondacionit “Soros për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri”, të cilin e drejton prej dy vjetësh.

TO

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net