Kur Kalaja e Peqinit ishte prona jonë…

Me djalin i bëjmë llogaritë shpejt. Çuditërisht nuk është si peqinasit e tjerë. Ose na rastis i tillë. Nuk na sorollat. “Do t’ju ndihmoj të shikoni kalanë”, na thotë shkurt. Bëhet fjalë për Kalanë e Peqinit dhe klubi i tij është i mbështetur në një nga muret e kalasë. Në fakt, aty ka qenë që nga kohët e Enverit. E respektojmë. Dhe, për më tepër, sepse supet nuk i ngre si të tjerët pas çdo pyetjeje, që kërkon një përgjigje banale. Shumëkënd që do të pyesësh në Peqin për kalanë e qytetit, di të thotë vetëm fjalë mohuese: “Nuk e di”. S’e di as roja. Por, roje nuk ka. Ajo që mbetet për t’u parë është vetëm diçka. që nga portat e mbetura të kalasë, tash të mbyllura. Le t`i hedhim një sy nga jashtë- brenda, kësaj mase katallane-për të pasur një sens orientimi. Por, ajo pamje, e cila është brenda nuk të ngjall shumë. Kalaja e sotme e Peqinit është e rrethuar dhe duket si e mbuluar me pallatet e zhveshura të vendasve. Asnjë sens arkitekture. Asnjë studim. Dikur, ata që ndërtonin punonin natën, që të mos dukeshin…Kishin frikë turqit. Kishin frikë shkatërrimtarët. Gojëdhana thotë se edhe gjatë ndërtimit punohej vetëm natën, ndërsa ditën mbulohej me degë që të mos t’i shihte armiku. Kjo duhet të ketë ndodhur në kohën kur Kalaja e Kazisë ishte ende në këmbë dhe në zotërim të shqiptarëve. Në fakt, prishja erdhi nga koha dhe nga harresa. Vite më vonë. Kalaja u harrua nga harresa. Peqini është qytet për qytet. “Gjatë ndërtimit të këtyre pallateve, -do të më tregojë burri 40 vjeçar, që nxjerr me vështirësi një palë shkallë të stërmëdha- ka pasur tunelet, që vinin nga kalaja. I kam parë me këtë dy sy. Ne luanim aty”. Ka “gjetur” kohë dhe për të na sqaruar meqë klientë në atë orë mungojnë. Na dorëzon një palë shkallë hekuri rreth 2 metroshe, që sërish nuk e arrijnë dot nivelin e bedenave. Bashkë me familjen e tij ka ndërtuar një bar të madh, që mban ende emrin “Lulishtja”, si dikur. Prindërit i ka në SHBA. Njerëzit nuk i shpëtojnë dot nostalgjisë. Ai e ka përshtatur dhe duket se në qytetin pa ndonjë shpëtim-është një nga klubet më të mira. Por, është bosh. “Nuk kemi punë. Këtu është kot…Ka rënë leku”, e dëgjoj tek sa kacavirrem në mur pas shkallares së fundit…Ngjitemi. Bashkë me ne është edhe një nga stërnipërit e Demir Pashës, ish poseduesit të dikurshëm të saj. Ka dëgjuar gjithmonë për kalanë, por kurrëherë nuk ka qenë brenda saj… Marrim frymë. Ngulim këmbët. Ajo që na shfaqet para syve nga sipër bedenave është një kala pak a shumë më e mbledhur dhe me formatin e Kalasë së Bashtovës… Ndërsa, Pinjolli, përkrah meje qëndron dhe hedh sytë mbi atë që besohet, se ka qenë dikur pronë e njerëzve të tij. Një bar i verdhemë mbulon fushën. Ndërsa kullat anësore janë të papastra dhe duket se të fundit, që kanë ardhur këtu, i kanë shfrytëzuar dhe për efektin e banjove publike. “Sa keq”-e dëgjoj nga pas vetes. Shikon për ndihmë. Kë? E natyralizoj. “Shiko poshtë”- i them. Por veç zhurmës së insekteve nën vapën zhuritëse nuk ka më asgjë…Asgjë. “Kishte të drejtë tezja…”, thotë pa iu drejtuar asnjë njeriu. Ecim me kujdes, se nëse na ikin këmbët shkojmë pesë metra në theqafje…

[simpleAdPlacement]

Pak ditë më parë


“Jo. Nuk dua të shkoj atje. Në sytë e mi është ende Kalaja e Peqinit, ku bënim zahiretë e dimrit, ku luanim dhe ku njerëz të shumtë vinin dhe fjaloseshin me babain”. I nipi i është lutur ta marrë që ta shikojë edhe njëherë pronën e saj. E moshuara hesht. Heshton gjatë. Nga i nxehti, nga vitet…nga kujtimet. Më shikon. I shikoj duart. Fytyrën, trupin, qetësinë. Tri jetë. Ka një jetë të dikurshme, kur ishte e re: Ishte e bukur, e dëshiruar, e gëzuar. Nga fotoja të shikon një grua që e gëzon jetën. Një të dytë me vuajtje me pushkatime dhe denigrim. Dhe, një të tretë…këtë të sotmen, që është sintezë e dy jetëve të mëparshme. Ka rishtaz pasurinë, që i takon, por nuk ka më kohën dhe mundësitë për të gëzuar…Anatema dihet: Enver Hoxha dhe këlyshët e tij. Po bejleresha është me sqimë dhe shumë e kursyer: Krenare për origjinën e saj. Bashkë me nipin e saj 55 vjeçar kemi shkuar një ditë në një nga shtëpitë- vila në kryeqytet, që të na thotë diçka për historinë e saj, pronën…jetën. Gruaja flet, por shpesh ndalon. E ka më lehtë të flasë me imazh, për të na sjellë një realitet ndryshe. Është e rrethuar në një mjedis të ngrirë, sipas konceptit të cunguar të shkrimtarëve të Realizmit Socialist për klasat e përmbysura. E vetme, në një shtëpi, ku mungon rregulli strikt, por jo qartësia. Të gjitha gjërat që e moshuara i ka të nevojshme, i ka rreth vetes. Ka marrë një nga pronat e saj dhe tash jeton, në atë që dikur ka qenë Ambasada bullgare. Pak minuta më pas ka gjetur një album familjar, ku janë të spikatur disa nga figurat më të njohura të historisë së Shqipërisë. Qetësohet. Mes tyre, i jati, Demir Pasha, i zoti i Kalasë së Peqinit dhe i pasurive të pafund të patundshme dhe të tundshme. Buçkan dhe me festen e Perandorisë, Demir Pasha është një nga cepat e shtëpisë, i retushuar. Diku tjetër dhe sërish Esat Pashë Toptani. Ai vetë. Gjoksin mbushur me dekorata. Nën uniformë. Ka qenë i jati i vjehrës së saj. Një mallkim, që e ndoqi të gjithë jetën pa ndërprerje.
“Atëhere ne jetonim në Durrës dhe babait i kishin vdekur tri gra.Të treja ishin nga dera e Vrionasve. Ne merrnim dhe jepnim me ta…Kishte disa fëmijë”. 91- vjeçarja pushon dhe këtë herë shumë më gjatë. E kam gjetur duke lexuar një antologji me klasikët britanikë…Mbushet me frymë. “Babai bashkë me Hilë Mosin dhe Dervish Pashën, po përpiqeshin që të bënin një gazetë shqip. I kuptuan. Babai përfundoi në internim. Larg në Akçe. Kishte shtatë fëmijë pas martesës së pafatë me tri gra nga Vrionasit…Kërkoi një grua në Elbasan, kur ishte 40 vjeç dhe i dhanë një grua 22 vjeçe. Kur atë e burgosën ajo iku në Elbasan…Pas pesë viteve e liruan, por ai nuk e tërhoqi më të shoqen.. “Merreni motrën me vete, u tha të vëllezërve të saj. Jetimët kishin nevojë për një nënë. Ndaj mori një Toptanase”. Ishte nëna e Qefadie Bonatit…E gruas që në sy i ka mbetur një kala e pasur dhe njerëz që hynin dhe dilnin në këtë vend pa ndalim. Ku bëheshin ziafete. Ku përgatiteshin pa fund zahire për dimër, pekmez, prodhimet e rrushit etj.

Në Kala
Nuk i rrëfejmë dot se kalaja ka humbur. Ajo vetë na kupton me sy. Me sa duket do të vendosë një ekuilibër në mes të kakofonisë së gjërave që ka në kokë, që vijnë që atëhere. Kalaja e Peqinit ka humbur tash mes …ndërtimeve të shumta, që kanë mbuluar qytetin e Peqinit.

…nga bedenat që jam me burrin, sytë më rrokin kaosin dhe jo nderimin që brezat urbanë të peqinasve i kanë veshur kalasë. Atë e gjen me vështirësi, pavarësisht se është bash në mes të vendit. Një më i shkathët ka ndërtuar në një nga portat, që shikon qytetin nga sipër dhe është vendosur lirisht mbi muret. “E njeh”-e pyesim burrin. “Nuk e di kush është”- na thotë, stërnipi i Demir Pashës. “Këtu është një kaos, ku nuk dihet se ç’bëhet. Eshtë monument kulture, ndërsa e shikon vetë pisllëkun dhe njeriun që ka ndërtuar”. Një kalë i zgjebosur rri poshtë njërës prej kullave, që ka marë shumë lartësi prej gërmimeve, ndërsa një BMW prodhim i vitit 2000, është parkuar poshtë një si tende…I kemi rreth e përqark, banorët. I pyesim, por askush nuk e kishte celësin e portës…Portat e vogla, që janë si zgafella të vogla, janë bërë banjo, ku shurrojnë dhe lëshojnë fekalet i gjithë zinxhiri i gjallesave deri tek njerëzit. Këta të fundit tash as nuk duan të dinë. Kuptohet peqinasit, kalanë, dikur e kanë pasur si krenari. Të sotmit, kryesisht të zbritur nga zonat përreth të ngatërrojnë. Seicili të rrëfen nga një histori. Më të ngeshmit fillojnë hipotezat, pa ua kërkuar- për të gjetur një moment për të shtyrë ditën e tyre të nxirosur në këtë vend. Tash arteriet nacionale e kanë lënë larg për t’ua bërë rrëfimet më të zvarguara, ashtu si jeta e tyre…Për fat, djali që ka bërë një klub, na jep një mundësi që ta shikojmë.

Kalaja e Peqinit
Ajo është gati në mes të Peqinit dhe sipër një pllaje mbizotëruese dhe të shfaqet befas me muret në formë katrore. Është e forcuar nëpër këndet me kulla të rrumbullakta dhe shumëkëndëshe dhe në mes të mureve të tilla ka kulla shumëkëndëshe. Shkallaret për t’u ngjitur tek ajo janë shumë të ngushta dhe të duhet që të qëndrosh shumë drejt për të mos u rrëzuar. Duket se ata që e kanë ndërtuar- nuk kanë pasur mundësi që ta bënin më të mbrojtur dhe më komode. Ka një portë të vetme nga ana jugore si edhe një hyrje të mëvonshme nga ana veriore. Anash këtyre, në një vend që dikur ka qenë lulishte e kemi gjetur zgjidhjen, për t’u ngjitur. Eshtë pikërisht vendi që burri i ri na ofroi ndihmë. Kalaja e Peqinit është më e vogël se e Bashtovës, por gati po aq e njohur sa edhe ajo. Kjo për shkak se ka qenë në mes të qytetit dhe për një kohë të gjatë qyteti ka qenë i konceptuar me të. Në mes të shesh-kalasë tashmë nuk ka mbetur asgjë. Në kënd është një mjedis ndërtuar për godinë social-kulturore që e kemi parë dhe nga jashtë, ndërsa poshtë tij, mjedise të tjera që kanë shkuar deri tek qelat e kalasë. I kanë veshur me pllaka. Dikush ka ndezur zjarr, ndërsa tash një hije e stërmadhe braktisje është kudo. Të fundit u kanë bërë jashtëqitjet, për t’i konsakruar në harresë
Deri vonë, ky objekt kulture, i ka pasur dyert e hapura dhe madje këtu luanin të moshuarit, ndëra tani: Heshton kudo. Nga vapa. Nga pamundësia.

Shikimi teknik
Nga kullat e rrumbullakëta që janë nga të moçmet, ka mbetur i vetëm një, në këndin verilindor, kurse të tjerat tetëkëndëshet, i përkasin një epoke, që nuk është më e vjetër se e Ali Pashë Tepelenës. Si në konstruksion, ashtu edhe në pajisje, këto i ngjasin krejt kullave të Kalasë së Gjirokastrës. Kullat e mesme duhet të kenë qenë në origjinë katrore.
Objekti është ndërtuar të paktën dy duarsh (dy periudha). Që të dyja kanë përdorur gurë të palatuar me përjashtim të këndeve të kullave shumëkëndëshe, të cilat janë të skalitura. Materiali i gurit është sjellë nga guroret (përrenjtë) e afërm dhe përbëhet nga gurë ranorë. Përbrënda në katër anët, ka shkallë dyshe, të vendosura në mes të mureve, të cilat shpien sipër në bedenin e murit, beden ky që nuk është ruajtur.
Në anën e brendshme të murit verior, bri kullës së rrumbullakët, shihen tetë kamare të thella të mbuluara me qemer, për të cilat populli mendon se kanë shërbyer si burgje, ndërsa për kullën e rrumbullakët thuhet se ka qenë qeli, d.m.th. një burg i errët, ku nuk depërtonte drita. Sipas gojëdhanës, ndërtimi i kalasë, bie në kohën e luftës midis Beratit dhe Shkodrës dhe i kushtohet Sulejman Beut, babai të Demir Pashës Peqinit. Kjo thënie është e drejtë vetëm porsa i përket rindërtimit dhe kullave poligonale, pasi kalaja vetë duhet të jetë shumë më e vjetër dhe sipas teknikës duhet të jetë e njëkohshme me atë të Elbasanit, është në raportin teknik që ka bërë dikur Jovan Adami.
Kullat tetëkëndëshe janë të pajisura me frëngji dhe me disa dritare të mbyllura me harqe. Dritaret janë shumë më të gjera nga jashtë dhe vijnë duke u ngushtuar për t’u zgjeruar rishtazi nga brenda. Nuk dihet se çfarë armatimi është mbajtur këtu, por një specialist i fortifikimeve mund të hedhë dritë lehtësisht…për qëllimin dhe mundësitë.
Kullat kanë dhe bedena të veçantë të pajisur me një sasi të madhe frëngjish. Në murin e brendshëm, afër kullës së këndit veriperëndimor, janë vendosur qyngje uji prej balte të pjekur, që tregojnë se brenda në kështjellë kishte ndonjë saranxhë për të mbledhur ujërat e shiut. Një të tillë duhet të ketë në kullën e këndit juglindor, e vetmja e ruajtur në një gjendje diçka më të mirë. Kjo ka dy porta, një poshtë dhe një tjetër sipër, që komunikon me bedenin. Qyngjet i përkasin epokës së parë të ndërtimit. Kulla e rrumbullakët komunikon me kamaren e parë, ngitur me atë, me anën e një porte të vogël. Disa nga kamerat komunikojnë gjithashtu me njëra-tjerën me porta të vogla të mbuluara me harqe.
Pozita e Peqinit ku kujtohet se ishte stacioni antik “Clodiana” i Rrugës Egnatia e bën më të mundshme që kjo kala të jetë ngritur mbi themelet e kohës antike të vonë, duke qenë se themelet e sotme janë mbuluar shumë prej tokës që ka rrëshqitur nga sipër. Kjo hipotezë mbetet e ende e pavërtetuar, lexohet tek i njëjti specialist.

Si ka qenë jeta këtu
Në këtë areal sot nuk ka mbetur askush që të tregojë më shumë. Si gjithë njerëzit pranë objekteve, që nuk e kanë ditur kurrë se ç’janë- peqinasit thurrin përralla të pafund. E vetmja gruaja e vjetër Qefadie Bonati më kthjellon, për të jatin, familjen e tyre. Vjehrra e saj ka qenë e bija e Esat Pashës…Ishte shtatë vjeç kur e ka lënë i jati, që vite më vonë do përfundonte në Internim. Me gruan e fundit, Demir Pasha pati një djalë dhe dy vajza…Një nga të bijtë, një armik i sllavëve do të vritej nga hasmi dhe do të ishte vetë Demir Pasha që do t’i merrte vetë hakun. Luftoi me serbët. Ndaj serbët e shkatërruan shtëpinë. “Shtëpitë i kishim me penxhere rreth 10 metra të lartë”, më kthjellon për madhështinë e shtëpisë së saj, gruaja. Me Toptanasen, që është kushërira e parë e Sadijes nënës, së atij që do ishte mbreti i shqiptarëve, Zogut, vajza xhaxhallarësh ka lindur kjo grua Qefadie Bonati… “Sot më 17 korrik 1946 më kanë pushkatuar vjehrrin”, më thotë befas. Vite më vonë, kur e pyesnin për Zogun duke e provokuar, plaka ia kthente: “Po unë jam një rracë me të…jemi njësoj, nuk jam kushërira e tij jemi pinjollë toptanasish. Demir pasha kishte hallë gruan e djalit të Kapllan Pashës. Ata vinin nga Mirdita dhe ishin tre vëllezër. Një vëlla mbeti në Mirditë dhe ishte katolik, njëri mbeti në Venecie dhe ishte italian dhe tjetri u bë mysliman dhe mbeti në vend. Ky luftoi për turqit dhe i falën kalanë”, më rrefen legjendën e familjes së saj, gruaja…Deri këtu historia puqet me realitetin dhe stërhollet në kalime, ku askush nuk bindet…

Kthim pas
Tirana ka qenë një qytet që kryqëzohej nga karvanet dhe me vdekjen e Kapllan Pashë Toptanit u rrit me shumë rëndësi deri në fillim të shekullit XIX. Ai luftoi për më shumë se 70 vjet me familjen Bargjini. Por fitoja anoi nga Toptanasit. Gjatë kësaj kohe ishte ngritur një nga xhamitë më të bukura në Shqipëri, ajo e Ethem Beut, që u realizua nga artizanët më të mirë vendas. Katër djemtë e Kapllan Pashës u martuan me katër vajzat e Ahmet Pashës dhe qyteti u bë që atëhere pjesë e familjes Toptani, që mendohet se ishte një degë e familjes Topiasve…Që këndej kanë ardhur dhe të parët e Demir Pashës dhe morën kalanë e Peqinit. Ata kanë patur shumë pjesë në historinë e Shqipërisë në këtë zonë.
Me djalin që ka klubin do të bisedojmë gjatë. Eshtë pa drita dhe i mërzitur. Vajza e tij, pak më tej, ka përfituar nga largimi i t’et dhe luan. Na ka ndihmuar sërish për të zbritur. Ulemi flasim për kalanë. Të gjithë Peqinasit e duan,-më thotë por shumë as nuk e dinë historinë. Dikur luanin pleqtë, por Instituti i Monumenteve i ka vënë çelësat. Që atëhere…
Që atëhere ne vuajtëm shumë, më kujtohet plaka, që tash ka një antologji të letërsisë britanike dhe që i është zotuar vetes të lexojë nga një autor në ditë… “A do të ikësh ndonjë ditë në kala”-i them. “Kurrë më përsërit”, duke më treguar të jatin. “Dua të kem në sy gjithmonë kujtimin e kalasë së dikurshme”…
Ben Andoni

/Mapo/

Leave a Comment

%d bloggers like this: