Kur Egjipti drejtohej nga shqiptarët

Dokumenti i radhës i përzgjedhur për t’u botuar në serinë e shkrimeve të periudhës së Shqipërisë së Luftës dhe aktiviteti i Shërbimeve Sekrete Britanike SOE, i vitit 1942-1943

Përgatiti Auron Tare

SHQIPTARËT NË LONDËR
Ref. e juaja DH 109/A1/4661/1

1. Bajram Neli është nipi i Hajredin Gjetanit, i cili është shefi i truprojës personale të Mbretit Faruk. Një fakt – ky i cili duhej të ishte bërë i ditur për ju, nuk është bërë deri më tani. Nëse Bajrami do të pranohej për t’u infiltruar – dhe kjo është një NËSE e madhe jo për fajin tim – ai sigurisht që do t’i thoshte apo do të shkonte në Kajro për të folur me Gjetanin. Gjithashtu, gruaja e Gjetanit është e motra e Sadik Lleshit, personi të cilin unë e rekrutova në Stamboll pa e dërguar për një ekzaminim mjekësor, të cilin ne tashmë e kemi përjashtuar dhe e kemi internuar… . Nuk e di në se gruaja e Gjetanit është gjyshja e Nelit. Nëse Bajram Neli do të kontaktoj Gjetanin, ai me siguri do t’i tregojë më shumë se çdo të donim ne mbi 5 oficerët e përjashtuar
2. Unë personalisht jam kundër infiltrimit të SELMANIT (Kolonel Hysen Selmani – shënimi ynë) pasi mendoj se ai nuk mund të jetë më i dobishëm sesa është i vëllai dhe, në fakt, mund të jetë shumë i dëmshëm për çështjen tonë… i vëllai i tij është në Shqipëri dhe iu është bashkuar gueriljeve me kohë. Ai të paktën mund ta mbajë gojën mbyllur, ndërsa Selmani mesa duket nuk e mban dot. Gjithsesi, mendoj se bëmë mirë që letrën e Tij, drejtuar Mbretit Zog, e lejuam që të dërgohej, pasi refuzimi ynë do ta dërgonte direkt dhe në krahët e D/H 31 dhe siç e dini në Shqipëri nuk refuzohet një ofertë. Unë vë bast se nëse do ta lejonim të ishte i lirë nga obligimi ynë ai do të reagonte menjëherë, duke mos ruajtur asnjë sekret dhe kjo duket qartë nga telegrami që ai dërgoi, thelbin e të cilit Shërbimi Gjerman e ka interceptuar dhe e ka kuptuar. Mos të harrojmë se vjet Selmani nuk la njeri në Stamboll pa i thënë mbi bisedat që kishte bërë me mua.
3. Gjithsesi ky është opinioni im personal. Situata është shumë më e rëndësishme sesa këto opinione. Gjithsesi, nëse ne e infiltrojmë atë në Shqipëri me “vulën” njeri i Zogut, siç ai është në të vërtetë, ne do të shkatërronim çdo lloj bashkëpunimi që mund të marrim nga organizata e Ballit Kombëtar, pasi kjo organizatë është qartësisht kundër Mbretit. Kjo pikë ka dalë kohët e fundit, por është shumë e qartë në mesazhin e saj.
4. Sigurisht që MARTINI ( sekretari i Zogut) është në ankth për ta infiltruar këtë person sa më parë, por sigurisht që nuk është për të mirën tonë, por për interesin e tyre. Në fakt, ndjekësit e Tij brenda në Shqipëri kanë qenë aktivë kundër italianëve dhe nuk e kanë nevojën për Selmanin apo për ndonjë tjetër prej tyre. Ti duhet të jesh në dijeni se vitin që shkoi Selmani ishte kundër idesë për të infiltruar oficerë shqiptarë në Shqipëri dhe më ndaloi që unë të rekrutoja pjesëtarë nga grupi i Oficerëve në Stamboll. Kur ata (oficerët) insistuan për të punuar me ne, ai shkoi tek autoritetet turke në Stamboll dhe u përpoq që të më përzinte nga Stambolli me qëllim që të mbante oficerët e tij atje. Nëse këtë veprim e bëri me urdhër të Zogut, unë nuk e di, por për momentin unë mendoj se duhet të jemi kundër dëshirave të tij për t’u infiltruar në Shqipëri. Unë nuk do të doja që të t’i thosha më parë këto gjëra për të, pasi nuk e doja që të dukej në mënyrë negative përpara teje, por në situatën e tanishme mendova se do të ishte më mirë që t’i dije këto gjëra. Gjithsesi, mos harro, ata janë një grup dredharakësh.
Sa do të doja që të mendoja një debat mbi ZP-në dhe ZM-në, ashtu siç e bëre ti. Ishte e shkëlqyer.
5. Qëndrimi i Mbretit Zog mbi pushtimin gjerman është mjaft interesant. “X” këtu me thotë se Zogu është zbuluar verën e kaluar të ketë qenë në marrëdhënie me gjermanët nëpërmjet Zvicrës. A dini gjë Ju për këtë gjë? M/DH me shumë mençuri shpjegoi se me Kajron dhe Stalingradin në rrezik nuk do të ishte jashtë logjike që Zogu të mendonte se BOSHTI do të fitonte luftën dhe mesa duket ka dashur të ruante vetveten nga italianët. Nuk mendoj se mund të jete as budalla sa të mendoje se Gjermanet do të fitojnë tani? Apo jo?
6. Me vjen shumë keq që humbën shërbimet e çmuara të Murat Kaloshit. Ai është një bandit i shkëlqyer dhe duke jetuar gjithmonë në shtëpinë e tij në Dibër nuk njihet si njeri i Mbretit si Selmani. Megjithatë, ai nuk mund të parashutohej, pasi vuan nga epilepsia. Në mundet që ai të infiltrohej nëpërmjet Otrantos, jam i gatshëm që të shikoj mundësinë e zbarkimit të tij diku në një vend të sigurt në brigjet e Adriatikut. Me të zbarkuar ai, mund të shkojë pa problem në vendlindjen e tij në Dibër. Kushëriri i tij Myftari, siç je në dijeni tashmë i është bashkuar gueriljeve, por nuk ka të njëjtin autoritet si Murati.
7. Në të njëjtën ide, unë nuk kam kundërshtime serioze për infiltrimin e Kolonel Selmanit, por duke qenë se ai është askush pa Zogun dhe, nëse shkon me ndihmën tonë, në sytë e opinionit do të duket sikur ne jemi në krahun e Mbretit Zog. Një opinion që duhet evituar me sa të kemi mundësi.
Firmosur
D/H 274

***

Kur Egjipti drejtohej nga shqiptarët
Në shkrimin e sotëm mbi dokumentet e përzgjedhura nga Arkivi i Shërbimit Sekret Britanik të Luftës, SOE, kemi përzgjedhur një dokument interesant, i cili vjen nga Dosja e korrespondencës së Zyrës së Londrës në fundin e 42-shit dhe fillimin e 1943-shit.
Dokumenti flet mbi disa çështje të rëndësishme që preokuponin Shërbimin Britanik, i cili kishte filluar tashmë të infiltronte në Shqipëri oficerë nga mërgata Shqiptare në Stamboll për operacione sabotimi. Në fakt, dokumenti i botuar sot flet për përpjekjet e Shërbimit Britanik për të rekrutuar shqiptarët që qëndronin në Londër. Një listë e këtyre shqiptarëve është, gjithashtu, pjesë e dosjes së SOE-s. Megjithatë, nga ky dokument ne mund të mësojmë një informacion shumë interesant, i cili ka të bëjë me copëza të jetës së Familjes Mbretërore egjiptiane, si dhe lidhjet e tyre me vendin e largët të origjinës. Ky fakt, mesa duket, u ka bërë shumë përshtypje edhe oficerëve të zbulimit britanik, të cilët e kanë sjellë këtë informacion në një dokument zyrtar të Shërbimit. Shqiptari, të cilin ata mendojnë se do të ishte një kandidat i mirë për të zbarkuar në Shqipëri si agjent i Shërbimit Sekrete Britanik, ishte nipi i Shefit të Sigurisë Personale së Mbretit Faruk. Ky informacion konfirmon disa zëra, të cilat kanë shkruar se, në fakt, Mbreti Faruk i Egjiptit ruhej ekskluzivisht vetëm nga roje personale shqiptare dhe saktësisht nga shqiptarët që vinin nga krahina e Matit. Megjithëse nuk ka shumë informacion mbi këta oficerë të Gardës Mbretërore Egjiptiane dihet mirë fakti se këta oficerë kanë qëndruar me të edhe kur ai u largua nga Egjip­ti pas grushtit të shtetit të 1953-shit.
Një fakt tjetër mjaft interesant, i cili ndeshet në faqet e këtij dokumenti është një e dhënë shumë e rëndësishme, e cila rikonfirmon mendimin se mjaft elemente të Shërbimit Britanik, ashtu si edhe në diplomacinë angleze, nuk dëshironin t’i jepnin Mbretit Zog një rol në operacionet që britanikët organizonin ndaj Shqipërisë. Me sa duket, mbajtja larg e Zogut ka qenë një qëndrim zyrtar i diplomacisë angleze të influencuar, nuk ka dyshim, nga roli shumë i madh që luanin qarqet greke në Londër. Megjithëse Zogu kishte dashamirës dhe mbështetës në disa qarqe të shoqërisë britanike, niveli i lartë politik anglez nuk ka dashur ta angazhojë atë në të ardhmen politike të Shqipërisë. A ka qenë ky një vendim i bazuar në faktet që britanikët kishin për të kaluarën e Zogut? A ka qenë ky qëndrim bazuar në realitetin e Shqipërisë? A ka qenë ky qëndrim në pragmatizmin britanik mbi një figurë, e cila ishte shumë kontraverse? Duke parë dokumentacionin e Shërbimit Britanik mund të thuhet se ka qenë një kombinim i të gjithë faktorëve të lartpërmendur.
Megjithatë, dokumenti që po botojmë sot sjell në dritë një fakt të panjohur më parë, i cili mund të këtë sjellë më shumë probleme mbi figurën e Zogut, duke shtuar dozën e kundërshtimit mbi rolin e Mbretit në Shqipëri. Me sa duket, Shërbimi Sekret Britanik Zyra “X” ka informuar oficerët e SOE-s se Shërbimi Sekret Britanik kishte dyshime mbi një marrëdhënie të mundshme të Mbretit Zog me autoritetet gjermane, të cilat operonin nga një vend neutral si Zvicra. Periudha e përshkruar në këtë dokument i korrespondon kohës kur gjenerali i famshëm gjerman, Rommel (“Dhelpra e Shkretëtirës”), ishte në afërsi të Kajros dhe trupat gjermane kishin rrethuar tashmë Stalingradin. Një fitore gjermane dukej në horizonte dhe sigurisht që politikanët ballkanikë si Zogu, të prirë ndaj pragmatizmit të pushtetit, nuk mund të mos kenë menduar një lloj afrimi me fituesit e mundshëm. Po të kemi parasysh faktin që Hitleri nuk e mbështeti asnjëherë aventurën shqiptare të Musolinit dhe ndoshta gjermanët nuk e kanë parë negativisht një lloj përfshirjeje të Zogut në politiken shqiptare, kjo hipotezë nuk ka përse të mos llogaritet si një lëvizje e mundshme e një shahisti ballkanik si Zogu. Deri më tani, nuk ka asnjë dokument nga pala gjermane, e cila mund ta kishte konfirmuar këtë dyshim të Shërbimit Sekret Britanik, por fakti, që niveli i lartë i Zyrës së SOE-s në Londër ishte paralajmëruar për një zbulim të tillë, e bën këtë histori shumë interesante dhe mund të shpjegojë edhe dyshimin e mëvonshëm të britanikëve mbi Zogun.

Leave a Comment

%d bloggers like this: