Kupa e Ligës, vjen radha e “të mëdhave”

Sot dhe nesër do të luhen 16 ndeshje të raundit të tretë, ku ka edhe përballje brenda Premierit

Mesfushori brazilian Sandro do të bëjë debutimin e tij të shumëpritur për Totenhemin në ndeshjen e madhe kundër Arsenalit në Kupën e Ligës sot në “White Hart Lane”. Sot dhe nesër do të luhen 16 ndeshje të raundit të tretë dhe disa nga çiftet kryesore që vënë përballë skuadra të Premier Ligës janë Çelsi kundër Njukasëll Junajtid, Stoku kundër Fulhemit, Sandërlendi pret Uest Hem Junajtid, Aston Vila luan kundër Blekbërn Roversit dhe Uest Bromuiç Albion kundër Mançester Sitit.

Mbajtësit e trofeut, Mançester Junajtid, që mundën Aston Vilën në finalen e vjetshme dhe synojnë trofeun e tretë radhazi në këtë kompeticion, luajnë nesër kundër skuadrës së kategorisë së dytë, Skanthorp Junajtid, në përballjen e parë mes këtyre skuadrave. Megjithatë, ndeshja më e bukur është ajo derbi në Londër mes Totenhemit dhe Arsenalit, edhe pse të dy trajnerët, Herri Redknap dhe ai i Arsenalit, Arsen Venger, do të fusin formacione më të dobëta për të lënë lojtarët kryesorë pushim para ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.

Redknap ka thënë dje se ai do të fusë për herë të parë në lojë portierin kroat Stipe Pletikosa, i huazuar nga Spartak Moska, dhe Sandron. Një mesfushor premtues që ka debutuar vjet për Brazilin, Sandro u ndoq nga shumë klube para se të firmoste për Totenhemin. “Ai ka ardhur nga një sezon i fortë në Brazil, ku skuadra Internacional fitoi titullin”, ka thënë Redknap. “Ai është 1.87 metra, është në përfaqësuesen e Brazilit dhe është vetëm 21 vjeç.

Siç e dimë, në skuadrën e Brazilit nuk ka vend për lojtarë të këqinj, prandaj është një shans i mirë për ne që ta shohim në fushë në këtë ndeshje.” Redknap ka thënë gjithashtu se Totenhemi ishte duke e ngushtuar diferencën me Arsenalin, rivalin historik, stadiumi i të cilëve (Emirates) është vetëm pesë kilometra larg “White Hart Lane” të Totenhemit. “Arsenali ka qenë më i suksesshëm vitet e fundit, por ne po i afrohemi. Kur do të kemi stadiumin tonë të ri, do të kemi 60 mijë tifozë në javë si Arsenali, sepse jemi klube të mëdha.

” Totenhemi e mundi Arsenalin 5 1 në një fitore me rezultat të përgjithshëm 6 2 në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës në janar 2008 dhe e mundën 2 1 në “White Hart Lane” vjet në prill, që ishte edhe fitorja e tyre e parë në Premier Ligë në 11 sezonet e fundit. Ndeshja e sotme nuk do të ketë shumë lojtarë nga ata që luajtën në prill, pasi Redknap ka pohuar se do të bëjë shumë ndryshime në skuadrën që mundi Volverhemptonin 3 1 të shtunën.

“Kemi shumë lojtarë që kanë nevojë për të luajtur dhe unë tani kam rastin t’i aktivizoj dhe të lë pushim disa prej djemve që kanë luajtur rregullisht. Do të ketë shumë ndryshime në skuadër, siç ka bërë Arsen Vengeri, duke futur lojtarë të rinj edhe në gjysmëfinale kundër Totenhemit e madje edhe kundër Çelsit në një finale, kështu që edhe unë do të bëj atë që është më e mira për Totenhemin. Unë duhet të ruaj lojtarët për Premier Ligën dhe Ligën e Kampionëve.”



http://www.sportishqiptar.com.al/kupa-e-liges-vjen-radha-e-te-medhave/

Leave a Comment

%d bloggers like this: