Kreu i INSTAT: Regjistrimi, vetëm për personat që jetojnë në Shqipëri

Pjesë e procesit të regjistrimit të censusit do të bëhen të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Shqipëri të paktën prej një viti. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, në intervistën dhënë gazetës “Shqip”, bën të ditur se në këtë proces regjistrimi emigrantët do të regjistrohen në një listë të veçantë. Vetë procesi që kushton 14 milionë euro, sipas drejtoreshës së INSTAT-it, synon të regjistrojë personat rezidentë.

Zonja Nurja, më 1 tetor nis procesi i censusit, INSTAT si institucion përgjegjës çfarë masash ka marrë deri më tani?

Puna për realizimin e procesit të censusit të popullsisë dhe banesave ka filluar që prej vitit 2008, ndërsa do të realizohet në terren më 1 tetor të vitit 2011. Pra nuk është se procesi po nis në këto momente, INSTAT-i ka pothuajse tre vite që është angazhuar për këtë gjë. Përveç stafit permanent të censusit, në këtë proces për punën në terren do të angazhohet një strukturë prej rreth 15 mijë njerëzish në të gjithë Shqipërinë. Në këtë shifër 12 mijë do të jenë anketues, rreth 2 mijë kontrollorë dhe pjesa tjetër mbikëqyrës. Këta persona do të jenë të angazhuar dhe do të merren me punën në terren, për mbledhjen e të dhënave prej popullatës nëpërmjet intervistave të drejtpërdrejta derë më derë për të marrë deklarimet. Për të garantuar realizimin e procesit dhe cilësinë e të dhënave është ndërtuar një sistem kontrolli në tri nivele, anketuesi shkon bën anketën pranë familjes, pas kësaj kontrollori do të realizojë kontrollin e mbulimit dhe cilësisë e punës së anketuesit dhe më pas do të jetë mbikëqyrësi që verifikon dhe kontrollon punën e kontrollorit.

Si do të përzgjidhen këta anketues. Cilat janë kriteret?

INSTAT ka përgatitur termat e referencës. Për rekrutimin e të gjitha niveleve të strukturës së punës në terren do të realizohet një fushatë kombëtare rekrutimi, duke publikuar njoftimin për punësim nëpërmjet medias së shkruar dhe vizive, siç kemi bërë edhe për censusin ekonomik që INSTAT-i ka kryer këtë vit. Personeli i punës në terren do të jetë banor i komunave dhe bashkive përkatëse për të cilën ata do të realizojnë censusin. Një nga kushtet më të rëndësishme për marrjen në punë është që të jenë banorë në vendin ku ata do të kryejnë censusin. Pra nuk mund të vijë një banor nga Durrësi dhe të realizojë anketimin në Tiranë. Pra, të qenët banues i komunitetit të zonës ku do të kryhet censusi do të jetë gjëja më e rëndësishme.

A do të përfshihen arsimtarët në këtë proces si anketues?

Procesi i rekrutimit do të jetë një proces i hapur për të gjithë popullsinë aktive për punë. Pra, ai do të jetë një konkurs i hapur. Përzgjedhja e personelit do të zhvillohet mbi procedura të përcaktuara nga komisione që do të ngrihen pranë strukturave të INSTAT-it në nivel qarku. Do të jetë një bashkëpunim i frytshëm midis strukturave në nivel qendror dhe lokal. Ndërkohë, do të ketë komisione të censusit në tri nivele, qarku, bashki dhe komuna që do të ndihmojnë jo vetëm në organizimin e punës në nivel vendor, por do të bëjnë edhe aprovimin e listës së anketuesve, të kontrollorëve dhe mbikëqyrësve për zonat përkatëse.

Kur do të nisë procesi i rekrutimit? Sa do të paguhen këta punonjës?

Shumë shpejt do të nxirret njoftimi për aplikime dhe brenda 15 gushtit gjithë stafi i punës në terren do të jetë gati për t’u angazhuar sipas planit të punës. Pagesa është e kënaqshme, duke marrë në konsideratë rëndësinë dhe vështirësinë e punës. Pagesa do të jetë rreth 300 euro për rreth 45 ditë, përfshi edhe trajnimin. Financimi i pagesës së personelit të terrenit mundësohet nga Komisioni Europian, që jep një ndihmesë të madhe në realizimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm.

Sa kushton totali i procesit të censusit?

Totali kushton afërsisht 14 milionë euro. Ky proces ka nisur që në vitin 2008. Është bërë përcaktimi i metodologjisë, hartografisë, si dhe është ngritur sistemi i kapjes dhe përpunimit të informacionit të marrë me pajisjet dhe programet përkatëse. Asnjë projekt nuk nis për një vit, për më tepër një projekt madhor si censusi, pasi kërkon një punë përgatitore në kohë të të gjitha strukturave administrative dhe teknike, minimumi tre vjet ose maksimumi 5 vjet pune. Duhet theksuar se Komisioni Europian jep afro 8 milionë euro nga fondi prej 14 milionë eurosh për realizimin e këtij procesi.

Po për sa i përket formularit. A do të jenë opsionet e etnisë apo besimit fetar. A është hartuar formulari përfundimtar?

Për sa i përket formularit është Komisioni Qendror i Censusit që e miraton dhe është duke e shqyrtuar.

Domethënë ju si INSTAT do të zbatoni formularin që miratohet nga Komisioni i Censusit, pavarësisht debateve të hapura?

Atëherë, ne si Institut Statistike nuk merremi me një çështje të tillë, pasi debatet që po zhvillohen nuk kanë të bëjnë me statistikat dhe procesin në vetvete. Detyrimi i INSTAT-it është të zbatojë rekomandimet dhe standardet ndërkombëtare mbi përmbajtjen teknike të pyetësorit dhe të dhënave që do të gjenerohen prej tij.

A mund të cilësohet muaji tetor si i përshtatshëm për të realizuar procesin e censusit, duke pasur parasysh komunat malore që ka vendi dhe kushtet atmosferike?

Nëse keni parasysh në vitin 2001 ky proces është bërë në muajin prill. Dhe censusi i ri në këtë muaj ishte parashikuar, por duke qenë se një pjesë të madhe të punës e kanë komisionet e censusit në nivel vendor përkatësisht në nivel qarku, bashkie e komune zhvillimi i zgjedhjeve lokale në të njëjtën periudhë do të shkaktonte vështirësi për procesin e censusit. Këto komisione kanë peshën më të madhe të punës në realizimin e censusit, INSTAT e udhëheq punën dhe për këtë arsye u realizua shtyrja e këtij procesi. Për ne është e rëndësishme realizimi i procesit me cilësi, pra nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për shtyrjen e censusit. Periudha më e përshtatshme është tetori, që zonat malore mund të arrihen me lehtësi, pas më vonë do të jetë më e vështirë. Tetori shihet si më i përshtatshëm edhe për vendet e tjera për realizimin e censusit, ndërkohë që një pjesë e vendeve të rajonit do të kryejnë censusin e tyre në të njëjtën periudhë me ne.

Sa real mund të ishte një proces i tillë, ku vendi ka një popullsi migruese dhe shumë shqiptarë janë emigrantë. A do të ketë shifra reale?

Censusi ka për qëllim që të fusë në sistem popullsinë rezidente që banon në Shqipëri. Pra që ka mbi 12 muaj që jeton, punon e banon në Shqipëri. Në vitin 2010-2012 bëhet censusi në të gjithë vendet e botës. Qëllimi është se këto të dhëna merren dhe krahasohen, dhe një emigrant që jeton në Itali apo Greqi do të regjistrohet atje ku jeton sipas përcaktimeve për të gjithë vendet e botës. Censusi ka për qëllim të numërojë popullsinë rezidente të atij vendi duke evituar kështu numërimin e dyfishtë. Ky rregull është i vendosur nga Kombet e Bashkuara, pra një banor që ka mbi 12 muaj që nuk jeton, punon në Shqipëri nuk mund të përfshihet në census. Sigurisht ne kemi edhe një pyetësor të veçantë për personat që jetojnë jashtë, për të mundësuar një bazë të të dhënave për personat që jetojnë jashtë vendit, por këta persona nuk do të kalojnë në plotësimin e informacionit të pyetësorit individual nëpërmjet të cilit do të merren të dhëna mbi punësimin, arsimin etj.

Nëse unë mund të kem një familjar me banim jashtë nuk do të përfshihet në pyetësor?

Nëse ka mbi 12 muaj që jeton e punon jashtë nuk do të përfshihet në pyetësorin individual që ka 40 pyetje. Nëse ai punon në Itali apo Greqi duhet t’i japë të dhënat në këto shtete ku jeton e punon. Të dhënat e mbledhura nga të gjitha vendet e botës do të prodhojnë statistika në nivel botëror mbi popullsinë dhe karakteristikat e saj. Pasi në fund fare do të mbledhë të dhënat e të gjithë popullsisë në të gjithë botën. Nëse ka numërim dy herë, nuk ka shifra të sakta. Gjendja civile ka të gjithë popullsinë shqiptare dhe dihet nëse këta banorë janë emigrantë ose jo. Censusi numëron popullsinë që jeton mbi 12 muaj në Shqipëri.

Po për ndryshimet ligjore si e shihni përgjegjësinë?

Baza ligjore është një element i domosdoshëm për realizimin e një procesi të censusit. Ndryshimet ligjore të bëra së fundmi prekën ligjin e vitit 2000, kur nuk kishim ende një regjistër civil elektronik. Censusi është burimi i vetëm dhe i plotë në nivel kombëtar që jep të dhëna me vlerë të jashtëzakonshme për politikat social-ekonomike, veçanërisht në nivel vendor. Në këtë kuadër, të gjithë individët subjekt i censusit kanë detyrim ligjor për të dhënë informacionin saktë të kërkuar nga anketuesit e autorizuar nga INSTAT-i. Baza ligjore përcakton detyrimin për t’ju përgjigjur, si dhe parashikon sanksionet përkatëse për ata që refuzojnë të përgjigjen apo nuk japin informacion të saktë. Sanksione parashikohen edhe për personelin e angazhuar nga INSTAT-i në rast të shkeljes së parimit të konfidencialitetit.

Procesi i mbledhjes së të dhënave zgjat tri javë, kur do të publikohen të dhënat?

Tri javë është marrja e të dhënave në terren. Të dhënat paraprake do të dalin në dhjetor të vitit 2011, pra numri i popullsisë, meshkuj dhe femra, sa ndërtesa ka përafërsisht, si edhe familjet. Pastaj ato mblidhen, hidhen dhe do të jepen disa të dhëna raporte paraprake, zyrtare, të cilat do të jepen pjesë-pjesë deri në dhjetor të vitit 2013, kur do të botohen rezultatet e përgjithshme.

Leave a Comment

%d bloggers like this: