Kosovarët kërkojnë nënshtetësinë shqiptare

Vendimi për liberalizimin e vizave me Shqiperinë dhe fakti tjeter që Kosova tashme ka mbetur i vetmi vend i rajonit i izoluar ka bërë që kosovarët t’i drejtohen shtetit amë.

Dëshira për të lëvizur lirshëm në Europë duket se shkon përtej dëshirës për t’u pajisur me një pasaportë shqiptare thjeshtë për çështje patriotizmi. Numri i shqiptarëve nga Kosova të cilët kërkojnë nënshtetësi shqiptare është rritur pas hyrjes së Shqipërisë në zonën Shengen.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka tha se legjislacioni në fuqi e njeh të drejtën e nënshtetësisë për të huajt, por ky fakt nuk do të thotë që të gjithë mund ta kenë atë. Kjo për shkak se për këtë duhen plotësuar një varg kriteresh.

“Te pakten tete dokumente, apo kritere qe duhet te plotesohen, eshte shume e rendesishme qe te sigurohet dokumenti per qendrim rezident per te gjithe shtetasit e huaj minimum 5 vjete, per shtetasit kosovare eshte 3 vjet, edhe te ky afat 3- vjecar ka qe e lehetson kush eshte i martuar me shtetas te Shqiperise, qendrimi nje vjecar i dokumentuar nga Ministrine e Brendshme te Shqiperise”, tha Lauka.,

Përveç këtyre kritereve, aplikuesi paraprakisht duhet t’i drejtohet me kërkesë presidentit të Shqipërisë ku duhet të paraqes arsyet e aplikimit. Dëshmia e pronësisë së banesës në Shqipëri është e domosdoshme e po kështu edhe dëshmia e penalitetit nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë si dhe nga shteti që vjen. Në raste të veçanta shteti shqiptar është më dorëleshuar, shtetësinë shqiptare pa ndonjë problem mund ta fitojnë kryesisht personalitete te shquara me merita të veçanta. Kjo bëhet me rekomandim të akademisë së shkencave apo ndonjë institucioni tjetër të rëndësishëm.

Lëvizja e lirë në Europë ka detyruar shqiptarët e Kosovës që në rrugë ilegale të kërkojnë nënshtetësi serbe, maqedonase e malazeze, shtete këto që u liberalizuan para një viti.

Leave a Comment

%d bloggers like this: