Kosova ka bashkëpunuar në luften kundër terrorizmit

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin, trajton dhe gjendjen në Kosovë. Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në vitin 2009 nuk ka pasur akte të drejtpërdrejta terrorizmi në Kosovë, megjithëse ekstremistë islamikë ishin të përfshirë në komplote terroriste brenda vendit dhe në plan ndërkombëtar.

Ekstremistët kanë vazhduar të mbajnë lidhje me krimin e organizuar. Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i kanë mbikëqyrur gjatë gjithë vitit aktivitete që dyshohet të jenë terroriste.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe EULEX-i dyshojnë se disa nga shumë organizatat islamike joqeveritare që veprojnë në Kosovë, ishin të përfshira në aktivitete të dyshimta terroriste, në veçanti në pastrimin e parave për veprime terroriste në Lindjen e Mesme.

Qeveria është përpjekur t’i parandalojë ekstremistët që të përdorin OJQ-të për të fituar terren në Kosovë.

Policia e Kosovës dhe Njësia Kundër Terrorizmit e EULEX-it janë përgjegjëset kryesore në luftën kundër terrorizmit. Të dyja këto struktura vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh, stërvitjesh dhe ekspertize.

Ato janë të fokusuara në parandalimin e sulmeve terroriste dhe aftësimin e pajisjen e oficerëve.

Kufijtë e pakontrolluar mirë, ku lehtësisht mund të hyjnë individë të përfshirë në trafikimin e njerëzve, armëve dhe narkotikëve, kanë dëmtuar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit.

Zyrtarët doganorë dhe kufitarë, të paguar keq, dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion dhe marrje ryshfeti, megjithatë thuhet se Ministria e Brendshme ka bërë disa përparime modeste në përmirësimin e kontrollit të kufijve

Leave a Comment

%d bloggers like this: