Kopshti Zoologjik i Tiranës, mjerim kafshesh

Mungesa e investimit dhe reduktimi i përhershëm i kafshëve në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, e bëjnë një eksperiencë të dëshpëruar vizitën në të. Në mungesë të një zgjidhje tjetër më të mirë për të pasuruar sado pak atë ç’ka ofrohet, është krijuar së fundmi edhe sektori i kafshëve shtëpiake dhe bujqësore. Tani në Zoo-në e Tiranës, mund të shikoni delen, dhinë, gomarin, kalin, qenin, macet, lepujt e pëllumbat

Në një ditë me diell, si këto që shkuan e paralajmëruan një pranverë të hershme, lamë pas nyjen e zhurmshme të Kodrave të Liqenit, rulotat e ushqimeve të shpejta, gështenjat e pjekura, kokoshkat, leshin e sheqerit, lodrat me bateri, balonat e zbërdhylura, cigaret e hapura, lypsit, të dashuruarit, të vetmuarit, fëmijët, të moshuarit… Përshkuam qetësisht digën e ngurtë, deri aty ku për shumëkënd përfundon “xhiroja”. Në rrëzë të asaj që tani e quajnë “Kodra e Diellit”, ja ku është, “Their habitat”. Diçka më shumë se një stallë e përzier, shumë më pak se një përrallë Safari. Ajo që ka mbetur prej asaj që ka qenë e asaj që duhet të ishte në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, i vetmi në vend, duket se nuk do të dalë kurrë nga agonia.
Në hyrje të Kopshtit nuk ndeshim askënd. Shohim majtas-djathtas dhe vazhdojmë drejt. Pasi kemi ecur rreth 20 metra dëgjojmë një zë gruaje që na thërret qortueshëm.
Nga një prej stolave diku në një qosh, ku janë mbledhur e po shullëhen një grup grash, bën përpara duke ecur e sigurt zonja biletaprerëse, veshur me një përparëse blu. “Vajzë! Vajzë! Ku shkon ti njëherë?!”. “Brenda”, – i përgjigjemi gati në hutim. “Po biletat?! Preve gjë biletë që hyre ti, apo…?!”. “Jo.., tek dera nuk ka njeri…”. Tek dera, në fakt, duhej të ishte biletashitësi, i cili sapo ia ka behur. Bëjmë mbrapsh drejt zotërisë që, si për të mbështetur vëmendjen e zonjës, pasi na ka shitur biletat, përpiqet të na shpjegojë se aty ishte, por ne se paskëshim vënë re. Për të na demonstruar edhe njëherë autoritetin e vet, bën një rrotullim të plotë rreth vetes duke na treguar se pozicionin e tij e tregon qartazi edhe ajo që është shkruar në shpinën e përparëses së tij të gjelbër. Në fakt, është diçka e tipit “Shërbimi i biletarisë…”. Sapo ka mbërritur një autobus me fëmijë të klasave fillore nga Petrela. Të gjithë mezi presin të shohin “Simbën”.

Është koha për “Safarin”
Kemi lënë pas biletashitësin dhe biletaprerësen, si dhe servilizmin naiv të rojës së sigurisë, pasi mori vesh se ishim gazetarë, dhe i drejtohemi kampusit të kafazëve që kutërbonjnë prej së largu. E gjithë ajo që është në dispozicion është e ndarë në 12 qeliza kafazesh, në madhësi pak a shumë të barabarta. Një tufë djemsh të vegjël na parakalojnë të ngazëllyer. Luani ka nisur të ulërijë duke bërë të duket sikur e gjithë ajo godinë qarkore lëkundet. Afro 20 vjeç, në vjeshtën e jetës së tij, felini i gjorë mund të jetë ndoshta i vetmi mes gjithë të tjerëve që nuk i ka humbur ende të gjitha instiktet e tij natyrore. Përpara krifës së tij që e ka humbur tashmë shkëlqimin e origjinës, luanesha shaqet e lodhur, me një vështrim të ndarë mes indiferentizmit dhe bindjes së sprovuar.
“Mbreti i pyllit”, së bashku me “mbretëreshën”, 40 kafshët e më pak se dhjetë llojeve dhe rreth 50 shpendët e këtij kampusi të dëshpëruar, e nxjerrin vetë bukën e gojës. Nga rreth 50 mijë vizitorët që i panë apo u kaluan tagent kafazeve të tyre gjatë vitit të shkuar, u mblodhën prej shitjes së biletave afro 40 milionë lekë të vjetra.
Duke nisur nga e djathta, të parat që shfaqen janë shqiponjat, plot katër copë, secila për hesap të vet. Në vend të ndonjë shkëmbi a trungu të fortë, shqipes së maleve ia kanë stisur habitatin e madhështisë së saj me një shkallare dërrasash të nxirë nga jashtëqitjet. Në atë moment, e vetmja gjë që na la pa fjalë, ishte pyetja infantile që një fëmijë i bënte një fëmije tjetër: “po pse me një kokë…?!”. Në kafazin ngjitur me to po rrokulliset një këlysh ariu. I gjori! Nga entuziazmi që e ka kapur duket sikur sapo e kanë sjellë përdore nga ndonjë zgjua bletësh plot me mjaltë. Në tërë atë arrati në vend numëro, ai është i vetmi që se ndan kafazin me të tjerë, të ngjashëm me veten ose jo. Lëmë pas arushin dhe kollotumbat e tij gazmore dhe ngusim për aty ku na thanë se qëndronin bashkë në një kafaz dy mace të buta dhe një e egër.
Ok. Siç do të mësonim më vonë, sjellja e kafshëve shtëpiake dhe bujqësore është një iniciativë e kohëve të fundit për t’i përngjarë sado pak modelit botëror të kopshteve zoologjike, ku njerëzit dhe sidomos fëmijët, duhet t’i njihnin dhe vizitonin nga afër edhe kafshët që bashkëjetojnë më së miri me njeriun. Por le t’iu kthehemi maceve… për habinë tonë janë të tria të buta, dy prej të cilave nga ato të përhimtat që i sheh kudo duke u viktimizuar pas kazanëve të plehrave dhe një e zezë. Kjo e fundit është pikërisht ajo që duhet të ishte “e egra”. Por i vetmi ndryshim nga çifti tjetër që duket se e mbajnë larg si shejtani temjanin, është qimja e saj e gjatë. E ngrata persiane ka një gëzof të koklavitur e të mbuluar nga zhuli e lagështira e çimentos. Nëse provon ta ndjellësh struket edhe më rreth vetes e nuk nxjerr asnjë tingull. Përtokë qëndrojnë ca copa mishi të freskët. Duhet të jenë mbetjet e vaftit të parë. Të vetmit që vigjilojnë janë skifterët. Katër sqepa-shupes që as që duan t’ia dinë për shkundjet që i bëjmë rrjetës. Kanë humbur të vetmin instikt të fort të lindur, atë të sulmit prej grabitqari dhe tani su ka mbetur veçse të pranojnë ekspozenë. Kafazi i pestë është bosh. Më parë aty qëndronte tigri i gjorë, tani ka mbetur veç lëngata e tij e gjatë përpara se të jepte shpirt. Kemi mbërritur sakaq tek çifti i luanëve. “Mbreti” vazhdon të ulërijë. Fëmijët kanë qarkuar kafazin dhe zgër­dhihen me gishtat në vesh. Nga racioni i tij i mishit ka mbetur tashmë fare pak. Sapo kalojmë luanët ndeshim histerizmin e dy dhelprave skile që ndjekin ecejkate e njëra tjetrës në ato pak metra gjatësi që ka kafazi i tyre i ngushtë. As që t’i hedhin sytë. Instikti i nuhatjes së tyre kafshërore me siguri shkon gjathtas, aty ku si për ironi vijnë njëri pas tjetrit kafazet e lepujve dhe pëllumbave. Të 12 veshgjatët janë të bardhë si bora, – në fakt, e vetmja gjë e bardhë që të zënë sytë përqark. Me ulërimat e luanit në sfond duken edhe më të vegjël. Ashtu të tulatur, njësoj si pula dhe gjeli i detit që rrinë në kafazin ngjitur, në një harmoni si nga halli, bashkë me nja dy duzina pëllumbash që gugatin zhurmues. Pas tyre, të vendosur po tok e tok, njësoj si në përralla, rrijnë në një kafaz një dele dhe nëj dhi e në tjetrin një ujk i lodhur dhe një qen i zi i racës Rottweiler.
Bashkë me ujkun mbaron dhe përralla. Megjithëse një përvojë dëshpëruese, banorët e pa gojë të kafazeve duket që janë të ushqyera mirë dhe të mirëmbajtura nga shëndeti, por sfidat financiare të këttij institucioni janë mëse të dukshme. Kafazet janë të vegjël dhe nuk të lënë ndonjë përshtypje të veçantë që të lidh, qoftë edhe me artificat e një mjedisi natyror. Në asnjërin prej tyre nuk ka ndonjë shënim që tregon llojin dhe tiparet e kafshës apo shpendit që strehon. Edhe më të përvuajtur gjendjen e bënë dyshemeja, e veshur me ca pllaka që të kujtojnë spitalet, ose më mirë, një thertore në tentativë. Kjo është pjesa e faunës, që shqiptarët e vegjël dhe prindërit e tyre, mund të shikojnë fillimisht.
Pak më tej, na thonë se janë tre struca, një koloni e tërë lamash që së fundmi e ndajnë kasollen e tyre edhe me një gomar, një kal të bardhë, një poni të zi dhe një kotorr, si dhe Guva “Vip” e çiftit të arinjve. E vetmja kthinë që janë përpjekur ta përshtasin sadopak me një hapësirë natyrore. Ndërtesa, që dikur prodhonte ato tingujt e shumtë të zogjve, s’është më… Ajo është kthyer në një magazinë për ushqimin dhe materialet e punës.

Gjendja sot
Lëmë pas të 12 qelizat zoo dhe teksa i drejtohemi daljes hasim një prej punonjëseve. Duhet të jetë një prej specialisteve, sepse nuk heziton të na presë e të na shpjegojë se për çdo gjë mund të flasim me shefin dhe bën me dorë për andej nga duhet të jetë zyra e tij. Ne shohim një godinë të vjetër, lyer trashë me gëlqere e që mezi mbahet në këmbë nën një çati të lodhur. Bëjmë të dalim. Tek dera e jashtme rri mbështetur një tjetër punonjës mbështjellë me përparëse jeshile. E pyesim se nga mund të kalojmë për të shkuar tek zyra e shefit. Belbëzon duke na treguar kafazin e skifterëve. Pastaj vazhdon të belbëzojë duke folur me vete. Në këtë pikë ndërhyn roja e sigurisë duke na shpjeguar se i gjori ishte me zhvillim të vonuar. Sakaq, ka mbërritur shefi. Kuptojmë shpejt se që nga biletaprerësja e deri tek sanitaret e kanë informuar se “kanë ardhur gazetarët”.
Astrit Mestani, një mesoburrë, veshur thjesht, është caktuar prej rreth një viti shefi i Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Baba­xhan, i sjellshëm dhe i gatshëm për të na shpjeguar, ai i përshtatet ngesë sonë, pa kaluar në formate zyrtare. Në fakt, do të dëshironte që të kishim folur me të që në fillim e ai “mund të na i shpjegonte të gjitha”. Në këtë pikë duket se nuk është aspak i qetë. Zootekniku punon prej kohësh këtu, por tashti është radha e tij që të jetë i parë dhe të përgjigjet. Prandaj është mëse i kuptueshëm sikleti që ballafaqon gjendja e kafshëve. Ai është modest, por me gjithë timbrin prej optimisti, duket që nuk është dhe aq.

Investimet e pakta
I shoqëruar gjithmonë nga një vështrim pyetës, Astriti na rrëfen për gjendjen: “Jemi pjesë e ndërmarrjes së bashkisë numër 1. Sipas llojeve, aktualisht këtu janë kafshë mishngrënëse dhe barngrënëse. Tek mishngrënësit janë dy luanë, 4 shqiponja dhe 4 skifterë, 2 dhelpra dhe ujku dhe një mace e egër (e ka fjalën për persianen). Të gjithë bashkë konsumojnë 23 kilogram dhe mishi kontrollohet nga zootekniku. Këtu kemi 2 kuadro të lartë në administratë, specialistë dhe shef sektori. Kemi dhe një spiker, që shoqëron dhe shpjegon llojet e kafshëve dhe tiparet e tyre kur na vizitojnë grupe fëmijësh nga shkollat. Tani, siç e shikoni edhe vetë, kafshët kato janë, por ne kemi bërë propozime edhe për të tjera. Mungon lopa për shembull. Lopa duhet të jetë në kampusin e kafshëve bujqësore, sepse ka fëmijë që nuk i njohin ato. Pastaj kemi bërë kërkesë për leopard, majmun, tigër, zebra… Në plan kemi edhe një kafaz të madh e të bukur pallonjsh, në fund të Kopshtit, pranë guvës së arinjve…”. Shefi, nuk do ta mbylli fjalinë pa na shpojeguar mirë edhe se çfarë është bërë deri tani për përmirësimin e kushteve dhe të ambientit përreth. Ja kështu, me ato fonde e ato të ardhura nga vizitoërt, vit pas viti në rritje sipas tij, kanë arritur të realizojnë ndriçimin e përgjithshëm si dhe përgjatë rrugës, i cili nuk ka qenë më parë. Stolat janë vendosur të rinj, po ashtu dhe koshat e plehrave. Një investim shumë i mirë është bërë edhe me rrjetat e telave që rrethojnë kafazet, si dhe restaurimi i plotë i taracës së tyre. Gjithashtu në plane afatgjata na ishte edhe rehabilitimi i pellgjeve, filtrimi i ujit e lidhja mes tyre me ura të vogla druri. Dikur mbi ta pluskonin zambakët e bukur të ujit dhe vinin përqark rosa e mjelma. Tani ke përpara syve lëngatën e disa moçaleve me ujë të pisët.

Ushqimi
Ajo që dukej qartazi ishte se, megjithë kushtet ku rrinin, kafshët e shpendët që banonin poshtë “Kodrës së Diellit” ishin të ushqyera mirë. Firma e tenderuar sillte pothuajse përditë nga një gomar të gjallë që therej aty, e pasi mishi kontrollohej nga zootekniku u shpërndahej kafshëve të uritura sipas racioneve ditore. Kurbani i përditshëm, në të shumtën e rasteve ishte një gomar i sjellë nga banorët me ngjyrë të Bregut të Lumit. “Regjimi ditor i të ushqyerit bëhet në bazë të një orari veprimesh të mirëpërcaktuara nga specialistët. Gjithashtu të përcaktuara janë dhe gramaturat e racionit të secilës prej kafshëve. Kështu, një luan konsumon 7 kilogramë mish në ditë, ujku 4 kilogramë, dhelpra 0.6 kilogramë, shqiponja dhe macet nga 0.3 kilogramë”. Për barëngrënësit e lloj-soj ngrënësit e tjerë menuja ishte më interaktive. Kështu ariu hante 2 kilogramë bukë në ditë, 600 gramë mollë ose patate të ziera dhe 200 gramë reçel. E ndërsa lamat hanin bukë me bar dhe strucat bukë me misër, ne mendja na mbeti te reçeli i ariut.. Kishte ndonjë preferencë…? Gladiola Bendaj

Leave a Comment

%d bloggers like this: