Kombëtarja ka lojë prodhuese, por efektiviteti është minimal…

Nga Irfan RAMA……………………………………

Përfaqësuesja e Shqipërisë ka mundur përfaqësuesen e Uzbekistanit me rezultatin 1‑0 në miqësoren e 11 gushtit 2010, që në konceptin lojor kishte këtë rezultante: Lojë prodhuese, por efektivitet minimal. Themi kështu për vetë faktin se skuadra e drejtuar nga trajneri kroat Josip Kuzhe realizoi një lojë voluminoze për 90 minuta, duke sulmuar thuajse vazhdimisht, por arriti të shënojë vetëm një gol ndaj një skuadre thuajse modeste, pavarësisht se në drejtimin e kësaj skuadre kanë punuar trajnerë të mëdhenj si Ziko e Skolari, të paguar me shuma marramendëse e me përvojë superiore fituese të titujve botërorë me Brazilin e teknikës hyjnore.

A kishte pozitivitete në lojën e saj skuadra shqiptare në këtë ndeshje? Për gjykimin tonë, kjo ndeshje kishte disa risi krahasuar me ndeshjet e mëparshme të ekipit tonë përfaqësues: Së pari, skuadra shqiptare realizoi shumë goditje në drejtim të portës si ndoshta asnjëherë tjetër. Ajo goditi gjithsej 27 herë, nga të cilat 12 në kuadrat përgjatë 90 minutave, çka ndoshta përbën një rekord historik për të paktën tri-katër dekada sa unë kujtoj. Ndërsa për sa i përket pjesës së parë, ku ne kemi goditur 16 herë portën kundërshtare, nga të cilat tetë në kuadrat, pa dyshim që përbën rekord në të gjithë historinë shqiptare. Mund të thotë dikush se kjo mund të jetë rezultat i përballjes me një ekip të dobët apo modest. Jo, ne jemi ndeshur edhe me ekipe të tjera të dobta, por asnjëherë nuk kemi arritur të godasim aq shumë në portë, madje në mjaft raste ka qenë portieri i shkëlqyer uzbek Nesterov, i cili me aftësitë e reflekset e tij të mëdha u ka thënë “jo” goditjeve të shkëlqyera të Agollit, Bogdanit (tri herë), Bulkut, Kapllanit e Bakajt në minutat 10, 16, 34, 42, 74 e 92. Ajo që ra në sy në goditjet në drejtim të portës ishte se gjuajtjet shkonin në drejtim të portierit nga të gjitha pozicionet dhe largësitë, si ballore, të prirta, gjysmëballore, nga distanca të largëta, të mesme e të afërta si kurrë ndonjëherë tjetër.

Nga shënimet personale për disa ndeshje të përfaqësueses në vitet fundit rezulton: Shqipëri‑Lihtenshtejn 2‑0 (20 gusht 2008), 13 gjuajtje në portë; Maltë-Shqipëri 0‑0 (11 shkurt 2009), 9 gjuajtje në portë; Shqipëri‑Suedi 0‑0 (6 shtator 2008), 10 gjuajtje (8 në kuadrat); Shqipëri-Portugali 1‑2 (6 qershor 2009), 9 gjuajtje në portë (5 në kuadrat); Suedi‑Shqipëri 4‑1 (14 tetor 2009), 7 gjuajtje në portë (4 në kuadrat); Shqipëri‑Hungari, 0‑1 (28 mars 2009), 8 goditje në portë (4 në kuadrat); Shqipëri‑Danimarkë 1‑1 (9 tetor 2009), 14 goditje në portë (7 në kuadrat); Shqipëri‑Maltë 3‑0 (10 shtator 2008), 15 gjuajtje në portë (7 në kuadrat); Portugali‑Shqipëri 0‑0, (15 tetor 2008), 5 gjuajtje jashtë portë (vetëm 1 herë kemi goditur keqas jashtë në pjesën e dytë); Mali i Zi‑Shqipëri 0‑1, vetëm një gjuajtje jashtë kemi realizuar në pjesën e parë (7 gjithsej). Ndërkohë, në Botërorin e Afrikës së Jugut, për sa i përket këtij komponenti, ndeshjet më me shumë goditje në portë kanë qenë Gjermani‑Australi 4‑0 (17 goditje, 9 në kuadrat për Gjermaninë); Greqi‑ Argjentinë 0‑2 (17, 15 në kuadrat për Argjentinën); Argjentinë‑Koreja e Jugut 4‑1 (19, 13 në kuadrat për Argjentinën); Brazil‑ Koreja e Veriut 2‑1 (23, 11 në kuadrat për Brazilin). Përcolla gjithë këta shembuj për të treguar atë që skuadra shqiptare, në këtë drejtim, në këtë ndeshje ka pasur pozitivitet sasior. E kur godet në portë natyrisht që edhe rezultatet në drejtim të rrjetës nuk do të mungojnë, përfshirë këtu edhe në ndeshjet me skuadra të nivelit mesatar e të lartë. Këtu natyrisht ndikon edhe baziciteti i lartë cilësor i skuadrave, ose cilësia e tyre. Së dyti, ajo që më bëri përshtypje ishte loja shumë e mirë e skuadrës së Kuzhes në krahë, qoftë nga i majti, ku vepronte me mjeshtri Agolli me krose së shumti precize (kujtojmë këtu kroset-asist të Agollit në minutat e 15‑të, ku u realizua goli i Salihit, 36 për Bogdanin, 38 për Salihin) dhe nga e djathta Muzaka, që jo vetëm fitonte hapësirë me driblimet mjeshtërore të tij, por edhe krosonte me efektivitet e precizion. Skuadra shqiptare ndërmori 23 aksione nga krahët me krosim (12 në pjesën e parë), ku në të shumtën e rasteve krijoi rrezikshmëri të madhe, pavarësisht nga mungesa e konkludimit. Ishte ndeshja e parë pas shumë vitesh që përfaqësuesja jonë realizon një standard të elementit taktik të lojës në sulm me cilësi për sa i përket mënyrës së manovrës me driblim e krosim apo direkt me kalimin e topit në krahë, ku arrihej krosimi cilësor. Së treti, në një shumicë aksionesh skuadra e Kuzhes modeloi veprime me 2, 3 dhe 4 takime me driblim e direkt pasime, që bukuruan takimin sidomos në pjesën e parë. Bogdani, Agolli, Salihi e Muzaka morën pjesë në këto veprime të bukura, pa harruar këtu edhe disa veprime të bukura të zëvendësuesve Bakaj, Bylykbashi, Lila e Hyka, në pjesën që na rikrijojnë sërish shpresë për të ardhmen.

Në aspektin e të metave, përveç forcës konkluduese, që nuk u standardizua me tundjen e rrjetës, (vetëm një herë) skuadra e Kuzhes sërish bëri shumë gabime në pasim, ndonëse më pak se me Andorrën, prapëseprapë u vunë re jo pak rënie topi pa adresë, madje edhe në korniza të mesit të fushës, ku edhe emocioni i lojtarit duhet të zvoglohet. Në pjesën e dytë Shqipëria gaboi 39 herë në pasime ndaj 40 të Uzbekistanit. Madje kishte momente kur humbën toruan në pasime që shkaktojnë gola nga mbrojtës si Lorik Cana apo topa pa adresë të Currit. Por ajo që më impresionon negativisht është mungesa totale e lojtarëve të rinj nën 22 vjeç! Kuzheja me sa duket nuk lodhet së kërkuari tek të rinjtë 18, 19, 20, 21 vjeç nëpër Shqipëri apo gjetkë nëpër Europë që ka mjaft talente. Ndoshta i mungon guximi, ndoshta dëshiron të ruajë statukuonë e rezultateve të paraardhësve të tij ose ndonjë “pikël uji” më tepër se të tjerët, ndoshta bazamentin e tij mental për Shqipërinë e ka në konturet e të qenit brenda me lojtarë mesoburra apo “pleq”. Nuk ka si konceptohet ndryshe deklarata e tij pas ndeshjes se “po të kemi Skelën e Lalajn në shtator, do të kemi një ekip akoma më të mirë në ndeshjet eliminatore që janë fare pranë?!”

Botërori i fundit, me gjermanët e ganezët të ripërtrirë në masë me lojtarë të rinj, që përballuan “makina lufte” të fuqishme si ato angleze, argjentinase, uruguajane etj., nuk ia ka prekur mendjen akoma kroatit tonë të respektuar. Sidoqoftë, nga katër miqësoret e fundit që nga 3 marsi 2010 me irlandezo-veriorët e deri me Uzbekistanin më 11 gusht, Kuzheja ka arritur 4 fitore me nga 1‑0. Rumunët i kemi në prag të shtatorit dhe le të shpresojmë se do të luajmë me dinjitet.                     

 



http://www.sportishqiptar.com.al/kombetarja-ka-loje-prodhuese-por-efektivitet-minimal/

Leave a Comment

%d bloggers like this: