KE: Shqiperia ka plotesuar kushtet për liberalizimin e vizave

KE vlerëson se Shqipëria ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave, tani duhet të vendosin ministrat e BE-së. Deklaratën e bëri dje në Bruksel, Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Bashkimit Europian, Cecilia Malmstrom, gjatë një takimi me ministrin tonë të Brendshëm, Lulzim Basha. Në komunikimin me mediat ajo theksoi se nga ky moment do të jetë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, ai që do të vendosë për heqjen e vizave me Shqipërinë. “Komisioni Europian ka shpallur raportin e tij për vlerësimin teknik të procesit, ku thuhet se Shqipëria i plotëson kushtet e udhërrëfyesit, se vendi ka bërë atë që duhet të bënte dhe se ne rekomandojmë heqjen e vizave. Tani i takon Këshillit të Ministrave të BE të vendosë, -deklaroi Komisionerja Malmstrom. Në takimin me Komisioneren Malmstrom, ministri Basha shprehu mirënjohjen që Komisioni i mbeti besnik përkushtimit të vet, që pas konstatimit të përmbushjes së kushteve, të rekomandonte heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Brendshme, Basha informoi Komisioneren Malmstrom edhe mbi hapat që Shqipëria vazhdon të hedhë në drejtim të konsolidimit të arritjeve dhe të rezultateve që bënë të mundur rekomandimin e Komisionit. “Për Shqipërinë procesi nuk ishte thjesht një fushatë me fillim dhe fund, por është dhe mbetet mbi të gjitha një proces i përkushtimit të thellë të Qeverisë shqiptare ndaj standardeve dhe reformave për ta bërë vendin pjesë të denjë të strukturave të Bashkimit Europian”, u shpreh ministri Basha. Në të njëjtën kohë, në takim u bisedua edhe mbi fushatën e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare për informimin e qytetarëve mbi liberalizimin e vizave, ku përfshihet edhe shpërndarja e informacionit në sportelet e institucioneve të përfshira në këtë proces dhe për përgatitjet për momentin kur do të fillojë lëvizja e lirë. “Përpjekjet dhe kontributi i Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit rajonal në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimit transkufitar, ishin një tjetër temë diskutimi në takimin e ministrit Basha me Komisioneren Malmstrom”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë ishte objekti kryesor i diskutimeve edhe në takimet që Basha zhvilloi në Bruksel me Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të Bashkimit Europian, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin, z. Michael Leigh dhe me z. Melchior Wathelet, Sekretarin e Shtetit për Migrimin dhe Azilin e Belgjikës, vendit që mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Schengen-i ballkanik
Në takimin me Komisioneren Malstrom, Basha u ndal edhe te çështja e schgengen-it ballkanik. “Në përputhje të plotë me angazhimin e institucioneve të Bashkimit Europian për heqjen e vizave për qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po luan një rol aktiv për konkretizimin e një
shengen-i ballkanik, në kuadër të presidencës shqiptare të Nismës Rajonale për Migrimin,
Azilin dhe Refugjatët, -tha Ministri
i Brendshëm gjatë takimit në Bruksel.


Leave a Comment

%d bloggers like this: