Kazakistan, peqinasi Godelli shpallet kampion bote

godelliShqiptari nga Peqini Daniel Godelli është fitues i kampionatit botëror të peshëngritjes të mbajtur në Kazakistan.

22-vjecari nga Peqini ka arritur të mundë kështu kampionin aktual të botës, kinezin Lju Xiaojung, i cili doli i dyti në kampionatin e këtij viti.

Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshëngritje në peshën 77 kg, duke u bërë dhe peshëngritësi i parë shqiptar që arrin të marrë medalje ari në dygarësh në një kompeticion të tillë në sportin e peshëngritjes.

22-vjeçari mori medalje ari në stilin e shkëputjes pasi ngriti 171 kg, medalje argjendi në stilin e shtytjes me 198 kg dhe po medalje ari në dygarësh me 369 kg, duke lënë pas vetes kinezin Zhong dhe koreanin Jon Vi Choe.

Godelli tentoi të thyejë rekordin botëror në dygarësh, por dështoi në provën e tretë në stilin e shtytjes me 211 kg. Ky është rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë nga një peshëngritës shqiptar në një kampionat botëror, ndërkohë që 42 vjet më parë Ymer Pampuri mori medalje ari në stilin e forcës në Lojërat Olimpike “Mynih 1972”.

Ndërkohë, peshëngritësi tjetër shqiptar që garoi në peshën 77 kg, kampioni i Europës Erkand Qerimaj, arriti të zërë vetëm vendin e pestë në stilin e shkëputjes, ndërkohë që dështimi në 3 provat në stilin e shtytjes bënë që shkodrani të mos përfshihet në renditjen e dygarëshit.

Leave a Comment

%d bloggers like this: