KATEGORIA SUPERIORE/ Nga lëvizjet e trajnerëve, te golat e shënuar

Futbolli shqiptar e mbylli vitin 2010 me shumë ndryshime, jo vetëm në infrastrukturën e tij, e cila për hir të realitetit mbeti pjesa më pozitive, por edhe në atë çka dhanë skuadrat gjatë gjysmës së parë të sezonit në vazhdim 2010-2011. Në kampionatin e Kategorisë Superiore u luajtën 16 javë, pas të cilave Flamurtari u shpall “Kampion dimri” me 34 pikë, ndërkohë që sulmuesi i Tiranës, Pero Pejiç u shpall golashënuesi më i mirë i kësaj gjysme të kampionatit me 12 gola të shënuar. Por përpos këtyre dy dukurive që i përkasin kreut, në këto 16 javë kishte edhe dukuri të tjera, të cilat janë në ekstrem me to. Sepse ka skuadra, si Bylisi, që nuk arriti të marrë asnjë pikë në 8 ndeshjet jashtë fushës së tij, Elbasani që morri më pak pikë nga të gjitha skuadrat e tjera, apo Besa që në 16 ndeshje shënoi më pak gola nga skuadrat e tjera, vetëm 12. Në 96 ndeshjet e luajtura, më shumë spikati futbolli, por ato nuk shpëtuan edhe nga sindromi i dhunës, nga gjykimet e njëanshme, apo edhe nga problematika që Komisioni i Klubeve ua faturoi ndeshje pas ndeshjesh. Ndërsa më evidente për këtë periudhë është loja me trajnerët, ku në 12 skuadra drejtuan 17 trajnerë, ndërkohë që në 2 skuadra ende nuk janë caktuar trajnerët e rinj. Por në këtë gjysmë të parë të sezonit 2010-2011, futbolli shqiptar festoi edhe 80 vjetorin e krijimit të tij, i cili e veçoi aktualitetin si një nga më të suksesshmit e kësaj historie.

LËVIZJET E TRAJNERËVE

Dinamo: Luis Manuel Blanko nga java 1-16, Ilir Daja në vazhdim.

Shkumbini: Mirel Josa nga java 1-2, Agim Canaj nga java 3-14 dhe Përparim Daiu nga java 15 e në vazhdim.

Bylisi: Ilir Spahiu nga java 1-3, Agim Meta në javën e 4-t, Nikola Ilievski nga java 5-16. Pritet trajneri i ri.

Besa: Shpëtim Duro nga java 1-4, Përparim Daiu nga java 5-10, Gert Haxhiu nga java e 11-të e në vazhdim.

Tirana: Sulejman Starova nga java 1-6, Nevil Dede nga java e 7-të e në vazhdim.

Vllaznia: Mojash Radonjiç nga java 1-8, Mirel Josa nga java e 9-të e në vazhdim.

Elbasani: Krenar Alimehmeti nga java 1-16, Esad Karishik në vazhdim.

Nuk i ndryshuan trajnerët

Flamurtari: Gugash Magani; Skënderbeu: Shkëlqim Muça; Teuta: edi Martini dhe Laçi: Stavri Nica.

DUKURITË

# Më shumë pikë: Flamurtari ishte ekipi që grumbulloi më shumë pikë në 16 javët e para: 34 pikë, i ndjekur nga Skënderbeu me 31 dhe Vllaznia me 28 pikë. Në fushat e tyre më shumë pikë grumbulluan Skënderbeu e Flamurtari nga 24, ndërsa më shumë pikë në transfertë grumbulloi Vllaznia, 12.

# Më pak pikë: Elbasani ishte ekipi që grumbulloi më pak pikë: në fakt, 12, por zyrtarisht mbyll renditjen me 9 pikë, pasi 3 pikë i janë hequr nga FIFA për shkak të mospagimit të kroatit Darko Periç. Besa dhe Bylisi grumbulluan nga 15 pikë, duke ndarë vendet 10-11. Më pak pikë në transfertë grumbulloi Bylisi: 0 pikë.

# Asnjë pikë në transfertë: Bylisi është i vetmi ekip që nuk ka grumbulluar asnjë pikë në transfertë, në 8 ndeshje ka marrë 8 humbje.

# Më shumë fitore: Flamurtari mban dhe numrin më të madh të fitoreve, 11 të tilla në 16 ndeshje, ndërsa pas tij vijnë Skënderbeu me 10 e Vllaznia me 8. Kampionia në fuqi, Dinamo, ka regjistruar 7 fitore, po aq sa Tirana.

# Më pak fitore: Ekipet që ka shijuar më pak fitore në 16 javët e luajtura janë Elbasani dhe Besa me nga 3 dhe Bylisi me 4 fitore.

# Kontrasti: Flamurtari dhe Skënderbeu janë dy ekipet që i kanë fituar të gjitha ndeshjet në fushën e tyre, ndërsa Bylisi dhe Kastrioti nuk kanë fituar asnjë ndeshje në transfertë. # Barazimet: Besa është skuadra e barazimeve me 6 të tillë në 16 ndeshje, më pas vijnë Kastrioti e Tirana me nga 5. Më pak barazime kanë Flamurtari e Skënderbeu nga 1.

# Humbjet: Flamurtari, Vllaznia dhe Tirana janë ekipet që kanë pësuar më pak humbje, nga 4, ndërsa më shumë humbje ka pësuar Elbasani: 10 në 16 ndeshje, nga të cilat 3 në fushën e tij.

# Golat e shënuar: Skënderbeu është skuadra që ka shënuar më shumë gola në këto 16 javë: 26 gola, ndërsa nga 25 gola kanë shënuar Flamurtari e Dinamo. Më pak gola ka shënuar Besa: 12 gola, më pas vijnë Vllaznia me 16 dhe Elbasani me 17 gola.

# Golat në shtëpi: Më shumë gola në shtëpi realizoi Skënderbeu: 20 të tillë, më pas vijnë Flamurtari dhe Tirana me nga 16. Më pak gola shënoi Besa: 5.

# Golat në transfertë: Më shumë gola në transfertë realizoi Dinamo: 13, më pak gola në transfertë shënoi Teuta: 3 dhe më pas vijnë Vllaznia dhe Kastrioti me nga 4 gola.

# Gola në total: Në 16 javë, ose në 96 ndeshje të zhvilluara, u shënuan në total 288 gola, ku ekipet vendase shënuan 155 gola dhe ato udhëtuese realizuan 83 gola.

# Fitoret në total: U shënuan 76 fitore, nga të cilat 59 nga ekipet vendase dhe 17 nga ato udhëtuese.

# Barazimet: Gjatë 96 ndeshjeve të para u realizuan 20 barazime, ku me më shumë gola është ai 3-3 në takimin Dinamo-Laçi.

# Ndeshjet me më shumë gola: Ndeshjet me më shumë gola janë Teuta-Bylis 6-0 dhe Skënderbeu-Kastrioti 5-1.

# Golashënuesit: Shënuesi më i mirë i 16 javëve të para është sulmuesi i Tiranës, Pero Pejiç me 12 gola. Gjatë këtyre javëve u shënuan 3 tripleta nga Kuli i Shkumbinit, Martinena i Dinamos dhe Bërkiç i Skënderbeut.

MERKATO APO FJALË!

Thashetheme dhe realitete

Merkatoja dimërore e Kategorisë Superiore vazhdon me intensitet të lartë dhe skuadrat kanë në dispozicion përforcimet e para. Këto janë disa nga lëvizjet e fundit, deri më datën 4 janar 2011, ku zyrtarisht merkato është çelur më më 3 janar 2011. Sikundër ndodh në të tilla hapësira kohe, këtë herë skuadrat e Superiores shqiptare nuk kanë nguruar të largojnë dhe të afrojnë futbollistë, por edhe trajnerë, duke e bërë edhe më intrigues tregun e shit-blerjeve të tyre. Skënderbeu dhe Besa janë deklaruar më aktivë, madje edhe realisht me firmat e para, ndërsa Shkumbini këtë merkato e nis pasi ka larguar 5 titullarë, të cilët i ka quajtur si fajtorë të humbjes në javën e 16-të në Kavajë. Flamurtari, Vllaznia, Tirana e Dinamo deri tani vetëm teorikisht e kanë “cikur” këtë merkato, ndërkohë që edhe në skuadrat e tjera përveç fjalëve, ende nuk ka ndonjë lëvizje.

Flamurtari

Skuadra ka konfirmuar se nuk do të ketë asnjë largim, ndërsa mendohet që portieri Moçka të afrohet në Peqin ose në Ballsh. Klubi vlonjat ka parashikuar të blejë tre lojtarë dhe në listë e prioriteteve është dhe sulmuesi i Tiranës, Sebino Plaku.

Skënderbeu

Skuadër e “pangopur”, e cila ka deklaruar se ka marrë Cikalleshin e Arapin nga Besa, ndërsa po kërkon Muzakën nga Dinamo. Presidenca e Skënderbeut synon edhe shërbimet e mbrojtësit boshnjak të Shkumbinit, Ahmet Mujdragiç.

Vllaznia

Drejtuesit kuqeblu kanë kërkuar Gilman Likën, shkodranin që luan në Ligën 2 të kampionatit turk dhe në muajin janar pritet bashkimi.

Tirana

Ka probleme me sulmuesin Sebino Plaku që po shikon nga Flamurtari, por ka një ofertë për rikthimin e mesfushorit Gjergji Muzaka. Mbrojtësi kroat Matko Djarmati, pritet të jetë përforcimi i radhës i Tiranës, por trajneri Nevil Dede ka kërkuar edhe mesfushorit shkodran Gilman Lika.

Dinamo

Është larguar trajneri Blanko dhe në vendin e tij konfirmohet Ilir Daja. Në largim janë edhe dy futbollistët argjentinas: Garcia e Martinena, ky një super i paguar. Muzaka kërkohet nga Skënderbeu, Hidi e Bakaj synojnë ekipe të huaja.

Teuta

Duke qenë skuadra e vetme “puro” shqiptare, Teuta deri tani nuk ka asnjë sinjal për hyrje dhe dalje në lëvizjet e merkatos së dimrit.

Laçi

Nuk ka asnjë sinjal se do të jetë aktive në merkaton e janarit, por nga ana tjetër presidenti Laska ka deklaruar se nuk do të ketë largime. Mesfushori i Dinamos, Sajmir Gjokeja, është në planet e Laçit, ndërsa është bashkuar mesfushori shkodran Ervit Jacaj.

Shkumbini

Ka larguar 5 titullarë dhe ka deklaruar se ka hyrë në merkato për lojtarë seriozë e cilësorë. Në fokus portieri Sulejman Hoxha, Elton Grami, Ylli Shameti dhe sulmuesi i Kastriotit, Ivan Babiç. Veliaj ka ofertë në Azerbaixhan.

Kastrioti

Trajneri Ndreu pretendon që e ka skuadrën e duhur, por presidenti Djala ka deklaruar se, do të kërkojë një mesfushor dhe një sulmues me përvojë. Konfirmohen largimet e Djarmatit, Elton Gramit, Ylli Shametit dhe sulmuesi Ivan Babiç.

Besa

Ka firmosur me ish-portierin e Shkumbinit, Elvis Kotorri, si dhe me gjirokastritin Arlind Nora. Në listën e vijës së parë është dhe sulmuesi i Dinamos, Fatjon Sefa, si dhe mbrojtësi kavajas Erand Hoxha që luajti pjesën e parë të sezonit me Elbasanin.

Elbasani

Pas javës së 16-të i është larguar trajneri Alimehmeti dhe sulmuesi Sadiku, ndërsa mbeti “mister” aktivizimi i Dorian Bylykbashit. Pas konfirmimit të trajnerit Esad Karishik, po testohet sulmuesi serb Sasha Bogunoviç. Mbrojtësi Daniel Ramazani ka ofertë nga Shkumbini.

Bylisi

Tre lojtarët: Polizoi Arbëri, Maringlen Shoshi dhe portieri Stivi Frashëri, sipas medias kanë oferta nga jashtë Shqipërisë. Pritet trajneri i ri, ndoshta Sulejman Starova, si dhe portieri Sulejman Hoxha nga Apolonia.

Leave a Comment

%d bloggers like this: