Kampionati i skuadrave të vogla

Nuk ndodh askund përveçse në Shqipëri, por skuadra të qyteteve me nën 20-25 mijë banorë do të jenë protagonistët e vërtetë të kampionatit të ri futbollistik, në plan për të startuar në 10 shtator. Nga Laçi e deri në Ballsh, këto skuadra do të diskutojnë mes tyre mbijetesën e deri tek zona europiane, në të njëjtën kohë që do të shndërrohen edhe në gjyqtarë të titullit.
Formati – Me një format të ri, me 14 skuadra në lojë, kampionati është bërë shumë më i paparashikueshëm. Përveç 2-3 skuadrave që duken një shkallë më lart, të gjithë ekipet e tjera janë pak a shumë në të njëjtin nivel. Këtu përfshihen edhe skuadrat e vogla të qyteteve të mëdha, si Apolonia apo Tomori, klube që pavarësisht se janë të vendosura në qytete kryesore, kanë buxhete të përafërta me “provincialët”.
Situata – Grumbulli i pothuajse 10 skuadrave me nivel të përafërt, një hap përpara duket për momentin vetëm Kastrioti, autor i një fushate blerjesh të fuqishme. Laçi është dobësuar në krahasim me sezonet e mëparshme. Bylisi ka humbur shumë lojtarë, ndërsa katër të porsaardhurat në Superligë duhet të jenë të gjitha në luftë për mbijetesë. Shkumbini, pas një sezoni në të cilin shpëtoi në plejaut, paraqitet në nivele të ngjashme. Nga këto llogari, nuk janë përfshirë vetëm gjashtë skuadra “të mëdha”, por Dinamo duket në krizë, ndërsa Teuta, Vllaznia apo Flamurtari, sot për sot, kanë vetëm ndonjë plus të vogël në krahasim me grupin e madh të skuadrave të Superligës.
Objektivat – Me Skënderbeun dhe Tiranën një shkallë mbi të tjerat, për skuadrat e vogla të qyteteve të vogla dhe të mëdha, do të ketë shumë për të luftuar. Në lojë do të jenë dy vende të Europa Ligës (një nga kampionati dhe kupa). Vllaznia e Flamurtari, pjesëmarrës në sezonin e fundit, janë dobësuar dhe nuk kanë më asgjë të sigurt. Teuta dhe Kastrioti mund të jenë në gjendje t’i rivalizojnë, por nuk përjashtohet që në luftë të futet edhe ndonjë skuadër tjetër, në “sezonin e jetës”. Megjithatë, lufta për mbijetesë pritet të jetë më e fortë se kurrë, me të paktën 7-8 skuadra që janë kandidatë për të rënë. Për më tepër, me vetëm 26 ndeshje në total, kostoja e pikëve të humbura apo fituara do të jetë shumë më e madhe se më parë, pasi mundësia për të rikuperuar do të jetë shumë më e vogël. Kjo ka ndodhur gjithmonë në vitet e fundit, por në këtë sezon, fusha si ajo e Ballshit, Laçit, Kamzës, Peqinit dhe të tjera si këto, do të jenë më përcaktuese se kurrë.
Klevis Gjoni

Skuadra të qyteteve me mbi 100 000 banorë
Tirana
Dinamo
Teuta

Skuadra të qyteteve me 50-100 mijë banorë
Vllaznia
Flamurtari
Skënderbeu
Apolonia
Tomori

Skuadra të qyteteve me nën 50 mijë banorë
Kamza
Pogradeci
Bylis
Shkumbini
Kastrioti
Laçi

Leave a Comment

%d bloggers like this: