Kamoranezi te Shtutgarti, Silvestre te Verderi

Mesfushori italian shkon në Bundesligë, mbrojtësi francez firmos për Bremenin

Mesfushori italian, Mauro Xherman Kamoranezi, do të luajë me Shtutgartin në këtë sezon, pasi Juventusi dhe klubi gjerman arritën një marrëveshje në ditët e fundit të merkatos. “Ne po presim vizitat mjekësore, por gjithçka duket në rregull dhe Kamoranezi do të vijë tek ne,” – tha drejtori sportiv i Shtutgartit, Fredi Bobiç. 34-vjeçari Kamoranezi ishte pranë kalimit te Birmingemi, dy javë më parë, por marrëveshja dështoi sepse teksat në Angli do ta ulnin së tepërmi pagën e lojtarit.

Te Shtutgarti ai do të përfitojë 1 milionë euro për secilin nga dy sezonet që do të luajë. Kampioni i botës me Italinë në vitin 2006 do të zërë vendin e Sami Khedirës që shkoi te Real Madridi. Ndërkohë, një tjetër skuadër e Bundesligës është përforcuar me një lojtar veteran. Majkëll Silvestre, ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid dhe kombëtares franceze do të luajë për Verder Bremenin. 33-vjeçari firmosi dje një kontratë dyvjeëare.Silvestre luajti për tetë vjet me Mançesterin, përpara se në vitin 2008 të kalonte te Arsenali. Në muajin qershor ai u la i lirë të largohej nga Vengeri.

“Një aventurë e re ka nisur për mua sot në Bremen, – tha Silvestre. – Kisha disa oferta, por u tërhoqa nga fjalët e trajnerit Shaf dhe drejtorit Allofs.” Transferimi i tretë i ditës së djeshme në Bundesligë ishte kalimi te Hanoveri i mesfushorit të kombëtares gjermane Markus Bislei. Menaxheri i Hanoverit, Jorg Shmadtke, bëri të ditur lajmin: “Donim të merrnim Tamas Hajnalin nga Dortmundi, por marrëveshja ishte e vështirë dhe fundi i merkatos po afronte. Kësisoj zgjodhëm të firmosnim me Bislein, që na la një përshtypje shumë të mirë gjatë Kupës së Botës.”



http://www.sportishqiptar.com.al/kamoranezi-te-shtutgarti-silvestre-te-verderi/

Leave a Comment

%d bloggers like this: