Kalimash – Morine, aksidentet shkaktojne 3 te vdekur brenda 24 oreve

Kukës – Bilanc tragjik në autostradën Kalimash-Morin në 24 orët e fundit. Një grua 35-vjeçare nga Gjilani bashkë me fëmijën e saj 18-muajsh kanë humbur jetën të hënën në mbrëmje në Fushë-Dukagjin të Kukësit rreth 7 kilometër pasi kishin dalë nga tuneli duke udhëtuar në drejtim të pikëkalimit kufitar të Morinit. Ndërkohë, është plagosur bashkëshorti i saj, drejtuesi i mjetit dhe fëmija tjetër 12-vjeçar. Burime të Policisë së Qarkut Kukës bëjnë të ditur se rreth orës 20:50 të së hënës, mjeti tip “fuoristradë” me targë 543 KS 048 me drejtues Ganimet Sadedinin, pasi ka dalë nga tuneli i Kalimashit në autostradën Kalimash-Morin, është përplasur me një automjet tip “Ifa” me targë 3164A me drejtues shtetasin Adem Vata nga fshati Surroi i rrethit të Kukësit. Për pasojë kanë mbetur të vdekur në vend Ganimete Sadedini, 28 vjeçe, bashkë me vajzën 18-muajshe Olsa Sadedini, ndërkohë që është plagosur drejtuesi i mjetit Ganimet Sadedini 33 vjeç dhe djali i tij Olsi Sadedini, 12 vjeç. Të plagosurit janë transportuar për në spitalin e Kukësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se automjeti tip “fuoristrada” me targa të Kosovës është përplasur me mjetin tip “Ifa”, i cili ka qenë i parkuar në autostradë në një korsi sigurie. Ndërkohë që nga hetimet ka rezultuar se drejtuesi i automjetit tip “Ifa” nuk ka zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor për ndalimet në autostradë duke mos vendosur trekendëshin tregues dhe mjete të tjera fosforeshente. Ndërkaq, 24 orë më parë, pikërisht në orët e vona të mbrëmjes së diel një 62-vjeçar nga Kukësi ka humbur jetën pasi është përplasur nga një autoveturë me targa të Kosovës dhe që kishte si drejtues një qytetar nga Gjilani. Xhevat Duraku, 62 vjeç, nga fshati Morin i rrethit të Kukësit ka humbur jetën pasi është përplasur nga një autoveturë me targa të Kosovës me drejtues Besim Hysenin nga Gjilani. Gjatë tri javëve në autostradën Kalimash-Morin janë shënuar katër viktima me pasojë vdekjen.


Leave a Comment

%d bloggers like this: