Josip Kuzhe do vazhdojë të jetë trajneri kombetares shqiptare

Presidenti i FSHF-së ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me kroatin
Tashmë mund të thuash me plot gojën se trajneri i kombëtares sonë përfaqësuese, është në gjendje të mirë, dhe së shpejti mund të rikthehet nën drejtimin e kuqezinjve. Mendohet se në ndeshjen e ardhme që ka Shqipëria në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian, pikërisht kundër Bjellorusisë, e cila na mundi në shtëpinë e tyre mund të kthehet tekniku dhe të marrë hak. Ndeshja do të luhet më datë 26 mars 2011. ndërkohë edhe vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka është shprehur se kroati do të vazhdojë të qëndrojë në krye të kuqezinjve.
Kuzhe do të vazhdojë kuqezi
Josip Kuzhe do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren shqiptare të futbollit. Pas shumë dyshimeve të hedhura për një ndërrim të mundshëm të trajnerit, si pasojë e hemorragjisë cerebrale që goditi papritur kroatin, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka shuar dyshimet duke thënë se Josip Kuzhe do jetë ende trajner i kuqezinjve. Në një komunikim telefonik për televizionin “Klan”, Duka ka konfirmuar çdo gjë duke u shprehur: “Unë besoj se Kuzhe do të jetë i mundur të vazhdojë”. Presidenti i Federatës së Futbollit as nuk e ka menduar zëvendësimin tij. Mesa duket, siguria që i kanë dhënë mjekët për përmirësimin e shëndetit të kroatit dhe periudha e gjatë deri në rifillimin e ndeshjeve për kualifikueset e europianit e kanë bindur presidentin Duka se bashkëpunimi me Josip Kuzhe mund të vazhdojë.
Curri, i pa kënaqur nga loja në Bjellorusi
Kombëtarja shqiptare ka shfaqur një lojë të zbehtë ndaj Bjellorusisë, ku humbi të martën mbrëma me rezultat 2:0, duke i dhënë fund kështu serisë pozitive prej tetë ndeshjesh pa humbje.
Skuadra shqiptare, që luajti në mungesë të Debatik Currit, Lorik Canës, Erion Bogdanit dhe pa trajnerin Kuzhe, ndaj bjellorusëve ka qenë e paorganizuar mirë në të gjitha repartet dhe totalisht jashtë forme. Pavarësisht mungesave, Debatik Curri mendon se ekipi kuqezi ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët. Madje, mbrojtësi kosovar thotë se lojë kaq të dobët të ekipit kuqezi nuk kishte parë ndonjëherë. “Çdo mungesë në ekipin tonë është mungesë e madhe, sepse ne nuk kemi një ekip me konkurrencë që mungesa mos të vërehet. Pavarësisht mungesave, loja ka qenë shumë e dobët dhe lojë më të dobët të kombëtares nuk kam parë”, ka thënë Debatik Curri për “Express”. Mbrojtësi Gençlerbirlixhi, pohon se futbollistët e Shqipërisë nuk kanë dhënë maksimumin kundër bjellorusëve. Ai mendon se në lojën e dobët mund të kenë ndikuar edhe temperaturat të Minskut. “Bjellorusia nuk ka ekip për të na mundur 2-0. Ata nuk kanë lojtarë cilësorë dhe gjithashtu në takimin me Shqipërinë edhe ata kanë pasur mungesa”, ka theksuar Curri, i cili pak ditë më parë ka operuar ligamentet e gjurit. Sipas tij, mesfusha nuk ka funksionuar si duhet të martën në Bjellorusi. Por, Curri nuk ka fajësuar vetëm mesfushën. Ai mendon se mbrojtja gjithashtu edhe sulmi nuk kanë qenë nëm formën maksimale. “Në pjesën e parë futbollistët ishin të përgjumur, pa ndonjë iniciativë”, thotë 26-vjeçari i cili do t’i mungojë kombëtares shqiptare për rreth gjashtë muaj, si pasojë e dëmtimit. Pas katër xhirove të zhvilluara në Grupin D, Kombëtarja shqiptare zë vendin e tretë në tabelë me 5 pikë të tubuara, tri më pak se Bjellorusia, që zë vendin e dytë dhe katër më pak se kryesuesja, Franca. Pas barazimit me Bosnjën dhe humbjes me Bjellorusinë, Curri mendon se mundësitë për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2012-të janë të pakta. “Ne të gjithë kemi dëshirë që të kualifikohemi, por mundësitë janë shumë të vogla. Nëse do të fitonim ndeshjen me Bosnjën, do të kishim shumë përparësi, por tani pas humbjes me Bjellorusinë, nuk kemi shumë mundësi. Por, ne do të luftojmë deri në fund”, është shprehur 26-vjeçari.

Leave a Comment

%d bloggers like this: